Saturday, December 12, 2009

Kur do të ndahet pushteti nga shteti?




7/12/2009 Tirana Observer
Shoqëria shqiptare aktualisht ndeshet përballë një qeverie, e cila bën sikur harron ose nuk e kupton se, shteti jemi ne të gjithë. Me kuptimin e fjalës se nuk mund të ketë shtet pa një popull, ashtu si nuk mund të ketë një shtet pa një qeveri, si dhe një qeveri pa një kryeministër. Kjo gjë do të thotë se askush nuk ka të drejtë të lozë me fatet dhe interesat e popullit shqiptar shumëvuajtur...Në parim, përfaqësuesi i shtetit, (kryeministri) siguron dhe ruan të përhershëm interesat e shoqërisë, dhe jo interesat e disa të fuqishmëve të veshur me pushtet e që bien në kundërshtim me interesat e kombit. Si përfaqësues shteti, si një kokë për qeverisje të vendit, demokracia shqiptare i ka dhënë mundësi lejimi të veprojë si të dojë e kur të dojë, por gjithmonë në emër të shtetit të tij, duke bërë gjithmonë të papërcaktuar jo vetëm premtimet por edhe marrjen e vendimeve.


Në parim në emër të demokracisë, përfaqësuesi i shtetit është kudo ndodhur si një person i shërbimeve publike, si një “pronë e shtetit”, fatkeqësisht kundra çdo mekanizmi të ashtuquajtur “shtetëror”.Konkretisht, si i pari i vendit e ish-doktor, kryeministri aktual është në përgjithësi i papërcaktuar në operacionet e tij, duke siguruar një neutralitet të shtetit kundër intervenimet qeveritare. Është më se e qartë se, shteti që ai drejton është në një entitet të vazhdueshëm e të përhershëm, të pandryshueshëm nga fillimi i tij, në një kohë që koha për Shqipërinë po ndryshon dhe evoluon.


Si pari i vendit, (kryeministrin) e bën të nevojshëm që të ketë fuqinë e shtetit në mënyrë që zgjidhë problemet komplekse, për të vepruar drejtë në interes të popullit, por jo që të jetë i njëanshëm për interesa të parapërcaktuara, pasi politika është e lirë dhe e barabartë para qenieve njerëzore. Po vallë a ndodh kjo, për një liri politike dhe autoritet të barabartë? A jemi të gjithë të barabartë?...


Dimë që shteti përbën qeverinë, por nuk është identike me atë, dhe se shteti nuk i takon qeverisë, por është qeveria ajo që i takon shtetit. Por, realiteti tek ne tregon se qeveria aktuale po çekuilibron këto marrëdhënie. Konfliktet e fundit në politikën shqiptare, edukata dhe gjuha banale e kryeministrit në Parlament, përbën një rrezik mbarëkombëtar të vendosjes të një “diktature të re” Made in Albania.


Sipas tij, të gjithë komunistët nuk kanë ndryshuar, përveç tij.Sot, shoqëria shqiptare aktualisht ndeshet përballë një qeverie, e cila bën sikur harron ose nuk e kupton se, shteti jemi ne të gjithë. Me kuptimin e fjalës, nuk mund të ketë shtet pa popull. Ashtu si nuk mund të ketë një shtet pa një qeveri, si dhe një qeveri pa një kryeministër.


Kthimi i përfaqësive shqiptare në çifligje interesash dhe korrupsioni të njëpasnjëshme. Emërimi i ambasadorëve të tipit militant partie, mësues fshati në vendet e BE-së, si dhe diplomatë pa arsimin përkatës dhe kulturën më elementare të punës janë pasqyra e qeverisë së sotme. Kryeministri shqiptar nuk nguroi të mashtronte me premtime lehtësimi biznesin shqiptar në Greqi, duke mos u bërë më i gjallë për ta.


Protesta e fundit e simpatizantëve emigrantë të PS-së në Athinë, tregoi qartë se përfaqësia shqiptare nuk i përket mbarë emigracionit, por i përket simpatizantëve të PD-së. Ambasadori shqiptar i veshur nën petkun diplomatik, bëhet zëdhënës i partisë në pushtet, duke lënë mënjanë detyrat shtetërore. Kjo gjë u pa edhe në deklarimet e fundit në shtypin shqiptar, ku sipas tij, protesta e emigrantëve nuk qenka bërë nga socialistët.


Ky përfaqësues i shtetit shprehet njëlloj siç thoshte dikur Ludoviku se: “shteti jam unë”, në një kohë kur duhet të sigurojë dhe të mbrojë liritë individuale kundër arbitraritetit të qeverisë. Shteti (pra qeveria) është i papërcaktuar në operacionin e tij. Personeli i burokracisë publike, forcat e sigurisë, ushtrisë, të drejtësisë dhe të gjitha shërbimet publike, janë në pronësi të shtetit, por jo të Qeverisë.


Kryeministri i sotëm i do të gjitha. Do bregdetin, por do malet dhe fushat. Çfarë shikon i do t’i ketë të gjitha të tijat, dhe për këtë ushtron pushtetin mbi vetë shtetin. Skandalet e herëpashershme nga disa anëtarë të qeverisë, tregon se (shteti i uzurpuar nga pushteti) është i pa fuqishëm për t’i dalë ballë jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë juridike. Kjo ndodh pasi qeveria del mbi kompetencat e mekanizmave, që në përgjithësi përbëjnë vetë shtetin. Pra mbi të gjitha qeveria ka “pushtuar” shtetin, në një kohë kur dihet se qeveritë vijnë dhe ikin, ndërsa shteti qëndron që nga krijimi i tij. Por për një pjesë të mirë, akoma nuk është kuptuar që qeveria është një mekanizëm i shtetit...


Në teori flitet se të gjithë njerëzit janë para ligjit të barabartë, edhe pse nuk janë të gjithë të njëjtë. Interesat e njerëzve janë të ndryshëm, me konflikte dhe mosmarrëveshje në shoqëri, ku në këto momente është e nevojshme ndërhyrja e shtetit për të zgjidhur këto konflikte të situatës në shoqëri, por duke mos ndërhyrë në fushën e drejtësisë. Konfliktet e qeverisë me opozitën për mos-hapjen e kutive të votimit. Akuzat kundrejt njeri-tjetrit, mungesa e kulturës dhe e tolerancës përbëjnë një shqetësim për mbarë shoqërinë shqiptareNjë dialog i ndershëm është e vetmja mënyrë e zgjidhjes së problemeve në shoqëritë demokratike dhe civilizuese, për të gjetur një zgjidhje të dobishme të interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve. Kur bëhet një padrejtësi, të gjithë mbështetemi te shteti, por edhe kur kemi nevojë që të ndërhyjë themi;


A ka shtet?


Ku është shteti?


Pra nuk themi ku është qeveria...


Pak kohë më parë, lidhur me dënimin e Bollanos, pamë se në një deklaratë për shtyp “ KRYEMINISTRI” mbrojti me pa të drejtë kryetarin e shoqatës “Omonia”, duke deklaruar se, “Zbatimi i ligjeve, me nuanca politike nuk i shërbejnë vendosjes së ligjit”. Në këtë mënyrë, kryeministri i qeverisë shqiptare mbron Bollanon, duke hedhur poshtë me pa të drejtë drejtësinë e vendit të tij. Pra ky ishte pozicioni i parë i kreut të qeverisë shqiptare ndaj procesit gjyqësor të nisur pak muaj më parë ndaj kryebashkiakut të Himarës.


Kryeministri ndërhyn në drejtësi pa të drejtë, kur njerëzit para ligjit janë të barabartë. Ai fyen jo vetëm altarin e drejtësisë, por njëkohësisht i jep një goditje edhe demokracisë së vendit. Drejtësia e dënoi Bollanon jo për nuance politike, por se ai me vetëdashje ka shkelur ligjin, duke fyer popullin e cënuar vlerat e tij. Futja e hundës së kryeministrit në punët e brendshme në Drejtësisë, tregon qartë se, Berisha është Ludoviku i shqiptarëve. Se shteti i përket Berishës dhe jo popullit. Por për çdo padrejtësi themi se ku është shteti dhe jo pushteti...


Qeveria e 28 qershorit në koalicion me LSI-në, duhet të jetë më ambicioze në diplomacinë e jashtme. Emigrantët në Greqi kanë nevojë për një përfaqësi të denjë, ku porta e saj të jetë e hapur për të gjithë, dhe jo një degë partiake.


Demokracia është ajo që të jep të drejtën të ngresh një problem që i shërben interesave te vendit, pavarësisht nga kostumi dhe kravata politike që ka veshur politikani apo diplomati. Kritika që bëhet në interes të vendit nuk është inat personal, por është një e drejtë e çdo qytetari si brenda dhe jashtë vendit. Nga politika shqiptare dihet shumë mirë që në shtete anëtare të BE-së, nuk pranojnë ambasadorë të kriterit politik, por diplomatë karriere. Të kundërtën ndodh me shtetin tonë, ku në këto vende emëron ambasadorë dhe diplomatë të karakterit politik (militant) , që kanë treguar thjesht zbatues, ose përcjellës “megafon” të politikës së qeverisë. Një fenomen i zakonshëm që u duk për të parën here pas viteve 90-të, e që vazhdon deri më sot.


Një institucion shtetëror që nuk ka vend për njerëz të aftë, që kanë mbaruar studimet përkatëse, për njerëz të aftë e mëndje të freskët, padyshim është i një energjie që nuk i përgjigjet situatës, në një kohë kur Shqipëria është në NATO dhe po bëhet gati të trokasë në portën e BE-së.Sot, në demokracinë e brishtë shqiptare, shumica e partive politike po përfaqësojnë interesa të ngushta materiale si edhe të disa klasave duke dëmtuar deri diku imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre janë një tregues kuptimplotë përball elektoratit.


Nga ana tjetër, partitë politike të përfaqësuar nga shtresa e popullit pa bërë dallim të pasur apo të varfër, do të mbeteshin gjithnjë të pashmangshme nga misioni i tyre historik. Mos kryerja e misionit ndaj situatave dhe kërkesave në kohë do rrisnin pakënaqësinë e elektoratit. Lidhur me këtë Uinston Çërçill ka theksuar se “Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave. Konflikti politik në Shqipëri përbën një rrezik kombëtar, por mbi të gjitha nën hijen e presidentit i cili deri më sot nuk po mban një qëndrim kritik ndaj dy forcave të mëdha politike.


Çdonjëri nga ne është i lirë të mendojë dhe të vendosë për mendimin e tij ashtu siç mendon, për të mirën e përgjithshëm, për të zgjedhur figurën politikë që beson, për Demokracinë. Në këtë liri të shprehjes dhe të barazisë u mbështet dhe u ndërtua demokracia e sotme, ndërsa disa të tjerëve në vendin tone u dha të drejtë që partinë për të cilën ju besua ta trajtojnë si një çiflig të vetin. Sikur të mos mjaftojë kjo, një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që i dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë sa që sot nuk u besojnë syve të tyre.Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon këta parazit në trupin e saj të brishtë.


Këta drejtues pushteti që uzurpuan shtetin të kthyer në parazitë në kurriz të shoqërisë, janë të pathyeshëm në demokracinë shqiptare. Por në këtë demokraci të brishtë që sapo ka hedhur themelet pas një diktature 50-vjeçare, duket se i lehtëson këta parazitë të zhvillohen. Ndërsa vetë parazitët kujdesen që mundësinë që i dha demokracia për tu zhvilluar pa pengesa, të mos i lërë mëndja që të të sundojnë në dëm të saj, sepse më pas nuk do të kenë më mundësi për të gjetur vendin dhe kohën për të qenë më parazitë në kurriz të popullit.


Demokracia u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që për të na qeverisur na premtojnë, të na gënjejnë dhe të na mashtrojnë sa here që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit së bashku me kravatën politike.U ka dhënë mundësi që kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa pasur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ata vendi do të shkonte në katastrofë, pasi më parë kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Gjithashtu u lejon këtyre parazitëve të shoqërisë që të bënin privatizimin shtetëror me stilin “Made in Korruptiv Albania”, duke grabitur për vete dhe njerëzit e tyre pasuritë e popullit, pasurinë shumë vjeçare të ndërtuar me mund dhe djersë.


U lejon që të na flasin për korrupsion, në një kohë kur këta parazitë nuk mund të jetojnë një ditë pa të. Na flasin për një ndryshim në sistemin tonë demokratik, kur vetë në radhë nuk kanë ndryshuar, duke ditur se erdhën nga sistemi i mëparshëm.


Na flasin për anti-komunizëm nga pozita e ndekomuniste apo të kriptokomunizmit, duke na bërë që të qeshim, në një kohë kur është për të qarë. Thua se Shqipëria nuk kishte më parë, si edhe nuk ka as sot element fizik të pastër.


Në emër të demokracisë na vidhen në mes të ditës votat. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në parlament njerëz që nuk e meritojnë, pasi priten të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin kur zihen ngushtë dhe kur duhet të japin llogari para drejtësisë. Fenomeni i shumë përfolur Gërdeci i Mediut apo rruga Basha, mbeten tashmë të harruar nga pushteti i sotëm. Po këta njerëz që vranë apo vodhën popullin, sot janë përfaqësues të tij.


Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa prezencën e qytetarëve. Populli voton për qeverinë për të udhëhequr shtetin. Është populli ai që i jep besimin disave që të jenë në krye të shtetit. Demokracia u ka lejuar që në emër të saj çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin legalizojnë qindra objekte e banesa të pa miratuara në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën, në një kohë kur duhej prishur. Flasin për liberalizimin e vizave kur vetë janë të liberalizuar pasi e dinë që nuk realizohet. Flasin dhe premtojnë pasi e dinë sa më shumë të premtojnë aq më shumë do ti besojmë. Miratojnë ligje penale dhe statute partie, në një kohë kur janë këta të parët që nuk i zbatojnë. Bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen evropiane, pasi më parë na kanë marrë votën, e më pas na lëmë të rrimë në mëshirën e fatit dhe në duart e ndërkombëtarëve për të na ndihmuar. Demokracia gjithashtu lejon edhe indiferentizmin tonë për mëkatet e mëkatarëve, duke lënë në mëshirë të tyre fatin e fëmijëve tanë, fatin e kombit tonë. Për këtë indiferentizëm të sotëm, shoqëria e të nesërmes nuk do të na i fal, por ja që në demokraci duhet të jetojmë së bashku edhe me këta...