Wednesday, November 25, 2009

Berisha- Papandreu takim sekret më 27 nëntor


Publikuar me 24/11/2009 Tirana Observer

Prapaskenat

Kryeministri grek Jorgos Papandreu, ka ftuar në një takim informal në Prespë, kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe atë maqedonas Nikola Gruevski. Tema zyrtare e takimit do të jetë mbrojte nga ndotja e liqeneve të zonës së Prespës. Por mediat greke shkruajnë se arsyet e këtij takimi, veç emrit të Maqedonisë do të jetë edhe situata e tensionuar politike në Shqipëri. Misteri i këtij takimi mes Berishës dhe Papandreut, edhe pse është i pari mes tyre, është mbajtur i fshehtë si nga pala greke, por edhe nga stafi i kryeministrit Berisha. Ndërkohë që Papandreu është edhe Presidenti i Internacionales socialiste, por edhe mik i Edi Ramës. “Tirana Observer” zbardh sot të gjitha detajet e fshehta të këtij takimi.


Mediat greke kanë bërë të ditur dje, se më datë 27 nëntor në Prespë do të mbahet takimi i tre kryeministrave Papandreu, Berisha dhe Gruevski për mbrojtjen nga ndotja e liqeneve të kësaj zone. Mësohet se ka qenë vetë kryeministri George Papandreou, që ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe Nikola Gruevski të Maqedonisë, në një takim joformal në Prespë, ditën e premte, 27 nëntor, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Parkut Prespa (Center for Information Portal). Sipas njoftimit, nisma e Kryeministrit konfirmon rëndësinë shumë të madhe, të dhënë nga qeveria greke në ruajtjen e mjedisit vetëm disa ditë para Samitit të Kopenhagenit, mbi ndryshimet klimatike, si dhe dy muaj para përvjetorit të dhjetë që doli nga një komunikatë e përbashkët e kryeministrave në shkurt të vitit 2000, që shpalli vendosmërinë e tyre për të bashkëpunuar për mbrojtjen e liqeneve të Prespës. Ndërkohë, nga stafi i kryeministrit Berisha, gjithçka është mbajtur e fshehtë dhe nuk ka asnjë njoftim për këtë takim.


Arsyet e vërteta të takimit

Por duke tejkaluar arsyet zyrtare të njoftim të kryeministrit grek, ky takim zhvillohet për shumë arsye të tjera. Çështja më emergjente që ka për të zgjedhur kryeministri grek, është debati për emrin e Maqedonisë. Dhe në këtë takim të parin mes tij dhe kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, Papandreu do diskutojë gjerësisht për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Rol në këtë çështje do të ketë edhe kryeministri ynë, pasi Berisha ka një ndikim të madh tek partitë shqiptare në Maqedoni. Takim tjetër i rëndësishëm do të jetë dhe ai mos Papandreut dhe Berishës. Mësohet se në këtë takim, veç kufirit detar, një temë mjaft e rëndësishme do të jenë zhvillimet politike në Shqipëri. Është më se e kuptueshme që Berisha do t’i kërkojë homologut grek, që është edhe kryetari i Internacionales Socialiste, por edhe mik i Edi Ramës, të ndërhyjë tek ky i fundit për të zbutur klimën politike.


Historia Berisha-Papandreu

Që pas zgjedhjeve të 2005, Berisha tentoi të instalojë me qeverinë “Karamanlis” një urë preferenciale komunikimi dhe bashkëpunimi. Gjatë një udhëtimi të tij drejt vendeve të Lindjes së Mesme, kryeministri i sapozgjedhur Berisha, arriti të marrë një takim të shkurtër me Karamanlisin në aeroportin e Athinës, aq sa i mjaftoi për ta siguruar homologun grek se një erë e re marrëdhëniesh duhet të fillonte mes Tiranës dhe Athinës zyrtare. Ndërkohë, duhet theksuar se Karamanlis ishte i preferuar për Berishën sepse ishte i djathtë. Deri në zgjedhjet e parakohshme greke, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës dukeshin të përkryera. Por ndryshimi aktual politik në Athinë dhe simpatia e hapur që kryeministri i ri Papandreu ka shfaqur ndaj opozitës së majtë shqiptare (Papandreu ishte i vetmi lider politik evropian që zbriti në Tiranë për të ndihmuar PS-në gjatë fushatës), mund të përbëjnë një problem jo të vogël për qeverinë “Berisha-Meta”. Elementet potenciale të një ftohjeje me sfond politik janë të gjitha aty. Ndërkohë që ndryshimi i krahut politik në Greqi, ka sjellë bashkë me shumë ngazëllime dhe shpresë majtas në Tiranë. Dhe gjatë këtij takimi, kryeministri shqiptar ka mundësinë më të mirë që ta bëjë homologun e tij grek një partner të qeverisë së tij të re.


Takimi

Mediat greke kanë bërë të ditur dje, se më datë 27 nëntor në Prespë, do të mbahet takimi i tre kryeministrave Papandreu, Berisha dhe Gruevski për mbrojtjen nga ndotja e liqeneve të kësaj zone.


Arsyet e vërteta

Duke tejkaluar arsyet zyrtare të njoftimit të kryeministrit grek, ky takim zhvillohet për shumë arsye të tjera. Çështja më emergjente që ka për të zgjedhur kryeministri grek, është debati për emrin e Maqedonisë.


Politika shqiptare

Berisha do t’i kërkojë homologut grek, që është edhe kryetari i Internacionales Socialiste, por edhe mik i Edi Ramës, të ndërhyjë tek ky i fundit për të zbutur klimën politike.