Sunday, October 25, 2009

Greqia, jo më një vend tmerri për emigrantët


Publikuar ne gazeten Tema
25 tetor 2009

Papandreu: Respekt për emigrantët
Kryeministri i sapozgjedhur grek Papandreu, që në mbledhjen e parë të tij ka kërkuar një respektim të veçantë për emigrantët, ku i pranishëm ka qenë edhe Avokati i Popullit, Jorgo Kamini, që ka trajtuar problemin e mprehtë të emigracionit. Në këtë mbledhje u kërkua një respekt dhe shërbim më i mirë ndaj emigrantëve. Kuadri ligjor grek tashmë ka marrë një formë të njëjtë me legjislacionin evropian. Avokati i Popullit ka kërkuar interesimin dhe vëmendje ndaj emigrantëve të paligjshëm, pasi ligji i tanishëm u ndalon çdo shërbim publik dhe më kryesorja shërbimi shëndetësor, duke propozuar që këta të fitojnë edhe asistencën sociale.
Kryeministri Papandreu ka theksuar se: “Flas për mbrojtjen e të drejtave esenciale të qytetarëve, pa përjashtim. Pa përjashtime dhe paragjykime për shkak të origjinës, përkatësisë fetare, gjendjes ekonomike e të çdo lloj diversiteti tjetër”
Kryeministri i ri ndodhet përballë një sfide për të bërë realitet angazhimet e marra për emigrantët. Kjo u pa që në mbledhjen e pare të tij si kryeministër i vendit, ku kishte ftuar avokatin e popullit. Angazhimet e Jorgo Papandreut për emigrantët janë shprehur vite më parë. Në muajin nëntor të 2007 në një nga sallat e hotelit “Titania” në Athinë, në një takim masiv me komunitetet e emigrantëve në Greqi, me temë “Emigranti duhet të ndihet me dinjitet dhe i barabartë në Greqi”, Papandreu la gojëhapur emigrantët kur tha se: “E di se çdo të thotë emigracion. E di se çdo të thotë racizëm. E di çdo të thotë të kesh mall për atdheun tënd. Sa shumë keni kontribuar për të ndërtuar Greqinë. Keni kontribuar duke rritur fëmijët tanë, duke ndihmuar të moshuarit. U keni kontribuar kaq shumë familjeve, duke punuar për turizmin tonë, bujqësinë, duke luftuar bashkë për ndërtimin e veprave të Lojërave Olimpike të 2004. Suksesi i atyre lojërave i dedikohet edhe punës suaj. Të gjitha këto duhet që t’i afirmojmë. T’i themi, t’i dëgjojmë, sepse ne duhet të njohim se sa i madh është kontributi i juaj që dhatë për Greqinë. Është e drejta juaj të merrni pjesë në këto zhvillime, ndërsa për ne, është e domosdoshme pjesëmarrja juaj, për të ndërtuar sëbashku një shoqëri më të drejtë, më njerëzore, një shoqëri më solidare që nuk ka frikë të ndryshmen, por që e përqafon dhe e shndërron në force lëvizëse. Sepse ju, me kulturën tuaj, e bëni më të pasur Greqinë. Duam një Greqi ku emigranti do të ndihet krenar, do të ndihet me dinjitet, do të ndihet i respektuar. Do të ndihet se është qytetar i barabartë në këtë vend”. Ndërsa sot kryeministri Papandreu me ndryshimin e qeverisë në Greqi, ka bërë edhe ai ndryshimin e politikës për emigrantët. Kjo gjë lidhet pasi ai tek këta të fundit shikon një komunitet “aleat”, një komunitet që i ka të gjitha mundësitë për t’u integruar në shoqërinë greke.
***
Kryeministri Papandreu ka mbajtur premtimin e dhënë gjatë viteve kur ishte në opozitë. Kjo përbën një realitet, pasi qeveria e re e porsadalë më 4 tetor, ka kthyer plotësisht politikën e emigracionit, duke u shkëputur përfundimisht nga ish politika konservatore e Micotakis, Andrea Papapndreu, Kostas Simitis dhe Kostas Karamanlis, që jo pak herë ishin dënuar nga ndërkombëtaret për shkelje të të drejtave të emigrantëve dhe për një politikë të tipit policor. Zgjedhja për së dyti herë e Mihalis Krisokoidis në rolin e ri të ministrit për Mbrojtjen e Qytetarit, përkon me rolin përcaktues të integrimit të emigrantëve në Greqi. Krijimi i kushteve për integrimin e emigrantëve duket se po bëhet realitet, pasi ky vend në këtë drejtim renditet i fundit në BE.Lidhur me ndryshimin e politikës së emigracionit ministri i mbrojtjes së Qytetarit, Krisokoidis u shpreh se: “Ky vend nuk mund të jetë më një ferr për emigrantët”.
Një brezi të fëmijëve të emigrantëve, të cilët janë lindur dhe rritur në Greqi, por nuk njihen ende zyrtarisht, do t’iu jepet shtetësia greke. Kështu ka vendosur qeveria e sapozgjedhur”.Me këtë vendim qeveria po bën një reformë ligjore në rishikimin e legjislacionit të emigracionit duke pasur parasysh ndërtimin e drejtë të politikave për emigracionin, duke u shkëputur nga vitet e mëparshme të dënuar nga organizatat ndërkombëtare. Këto masa të marra nga qeveria tregojnë për një përmbysje të plotë të situatës ekzistuese të shtetit policor, ku fëmijët dhe vetë emigrantët trajtoheshin si qenie të huaja “Ufo”, pa asnjë të drejtë më elementare, pa dinjitet etj. Me këtë ndryshim të ligjit do fitojnë të drejtat e tyre rreth 250.000 fëmijë emigrantësh, nga ku rreth 150.000 fëmijë shqiptarë, të cilët do ta ndjejnë veten të sigurt për të mos u dëbuar nga Greqia.Deri më sot, edhe pse fëmijët kanë lindur në Greqi, ndjekin shkollat në mësimin e gjuhës vendase, flasin greqisht, por nuk ekzistojnë fare, pasi nuk janë të regjistruar në dokumentet përkatëse, nuk kanë asnjë lloj dokumenti.Qeveria e Kostas Simitis dhe Kostas Karamanlis do të mbahen mend nga emigrantët, ku i pari mbushte stadiumet me gra dhe fëmijë, ndërsa i dyti për ngritjen e kampeve të përqendrimit për mbajtjen në kushte ç’njerëzore të emigrantëve dhe fëmijët e tyre. Rebelimet e herëpashershme në këto tipe kampesh përqendrimi kanë tërhequr edhe vëmendjen e organizmave ndërkombëtare si raste unike.Jo pak herë Greqia është denoncuar për trajtimin “çnjerëzor” të emigrantëve.
Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar shpesh qeverinë konservatore të Karamanlisit për keqtrajtimin e emigrantëve dhe dëbimin e tyre drejt Turqisë, Shqipërisë, Afganistanit dhe Pakistanit (kryesisht emigrantë të ardhur nga vendet myslimane). Në 2008, nga Greqia u ekstraduan 40.000 klandestinë shqiptarë, ndërsa sot sipas një plani strategjik, i kthehen vendit tonë çdo ditë 4-5 autobuza me shqiptarë, ndërsa në Pakistan dhe Afganistan, klandestinët kthehen me transportin ajror.Ndryshe nga politika Karamanli për mbajtjen e emigrantëve të paligjshëm në burgje apo bodrume të komisariateve të policive, politika e sotme greke ka vendosur që të zbatojë marrëveshjen e Dublinit 2, ku të paligjshmit të mos mbahen më, po të kthehen menjëherë nga vendet ku kanë ardhur. Të mos harrojmë tragjedinë në shtëpinë bamirëse të “Agios Varvara” në Athinë ku u zhdukën 502 fëmijë shqiptarë, në një kohë kur nuk duheshin mbajtur atje pa dijeninë e shtetit shqiptar. Duhet theksuar se një marrëveshje qeveria Karamanli ka bërë me vendin tone për dënuarit shqiptar në Greqi, që këta të vuajnë dënimet e tyre në burgjet shqiptare, duke i dhënë saktësisht edhe listat përkatëse. Kjo ndodh në një kohë kur dihet që shqiptarët dënohen disa herë më rëndë se sa vendasit për të njëjtin shkelje të ligjit. Kjo marrëveshje padyshim do të sjellë për vendin tonë edhe ndryshim në legjislacionin shqiptar.Karamanliu për paaftësi politike ose për qëllime të ndryshme, mbushi komisariatet e policive, burgjet, bodrumet e kështjellave, ish kazermat e ushtrisë, për t’i treguar popullit se po merr masa për të luftuar emigracionin klandestin. Kohët e fundit qeveria e tij nëpërmjet zv/ministrit të Brendshëm Markojanakis kishte planifikuar dhe ngritjen e 15-20 kampeve të tjera, duke shfrytëzuar ish kazermat ushtarake. Ky planifikim erdhi menjëherë pas ngritjes së 4 burgjeve të reja për 2009, ndërsa ish ministri i Brendshëm Pavlopulos do mbetet si një nga vetmit ministër që dinte vetëm të premtonte dhe asgjë tjetër. Për gati 20 vjet qeveritë e mëparshme kanë lënë ilegale deri më sot jo vetëm fëmijët, por edhe 150.000 gra që kanë lindur fëmijë në këtë vend misterioz.Dhënia e të drejtave politike të emigrantëve dhe kryesisht brezit të dytë si dhe premtimi për dhënie të nënshtetësisë përbën një hap pozitiv, por nuk duhen harruar problemet e tjera imediate të tyre. Për emigrantët ende mbetet pezull njohja e viteve të punës, sorollatjet e panumërta në shërbimet publike, duke filluar nga rinovimi i dokumenteve e deri tek shërbimi mjekësor, si ensimat si një kusht kryesor për legalizimin e tyre etj. Mungon një politikë e ndihmës sociale, ku emigrantët nuk mund të mjekohen falas…Një plagë për këtë vend mbetet se ku kanë shkuar ndihma ekonomike (26 milionë euro) që ka dhënë BE, për emigracionin e ligjshëm dhe atë klandestin, ku u dhanë me qëllim ndihme për emigrantët dhe integrimin e tyre.Zv/ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Spiro Vujas ka kërkuar një ndihmë ekonomike “ekspres”, një shumë prej 2 milionë euro për problemin e emigracionit, pasi eurot e dhëna nga BE, nuk dihen akoma se ku kanë shkuar. Gjatë vizitës së tij në ishullin e Mitilinit, ai i ka kërkuar disa herë të falur emigrantëve për kushtet e këqija të jetesës. Nga ana tjetër, Organizata “Doktor pa Kufi” bën fjalë se në disa kampe ku mbahen emigrantët e paligjshëm, gra dhe fëmijë të pashoqëruar kanë nevojë për ndihmë mjekësore, por sidomos një ndihmë psikologjike.Sot qeveria Papandreu ka përmbysur përfundimisht politikën e emigracionit të ish kryeministrit Karamanlis, ka përmbysur atë politike që për shumë vite ligjin e emigracionit e kishte kthyer në ligjin e tregtisë, ku emigrantët punonin vetëm për të paguar taksat shtetit, avokatët për rinovimet e lejeve të qëndrimit.Më e rëndësishme është se ka ndryshuar edhe forma e trajtimit të policisë përballë emigrantëve. Ministri aktual Krisohoidis ka theksuar me të madhe se: “Vendi nuk ka nevojë për një polici të tipit “Rambo”. Nuk do të ketë keqtrajtime dhe rrahje të qytetarëve dhe te fëmijët, këto nuk do të ndodhin më, nuk mund të durojmë vandalizma dhe raste huliganizmi ku vendosin fatin e vendit”.