Festivalet e Filmit, substance kulture dhe integrimi
Tirana Observer9 tetor 2009
Një njeri i mençur pat thënë dikur se: “Fatkeqësia më e madhe është kur njeriu ka sy dhe nuk ka mundësi të shohë”. Por sot në shoqërinë tonë shikojmë se ata që na udhëheqin në vend që të shkojnë përpara, qëndrojnë në vend, ose vijnë pas shoqërisë, pasi punën për të cilën paguhen e quajnë si një diçka të tepërt. I indinjuar do të ndalesha te sjellja jo korrekte e qeverisë shqiptare, përballë detyrimeve reciproke me vendin fqinjë, me vendin që fati na solli ta kemi komshi. Ndoshta në pamje të jashtme mund të mos ketë shumë rëndësi për politikën shqiptare, ndërsa për emigrantët përbën një shqetësim konkret. Atë që nuk bën qeveria shqiptare, sot e bëjnë një grup emigrantësh, për të cilën duhet respektuar dhe vlerësuar. Por...Kur bëhet fjalë për një vjedhje apo vrasje, të gjitha kanalet televizive nisin maratonë, se kush mund ta japë më parë ekskluzivisht, ndërsa gazetat mbushin faqen e parë me tituj bombastikë. Por kur fjala bëhet për artin tonë jashtë kufirit të Shqipërisë, asnjë nuk merr mundimin që të bëj detyrën e shtëpisë, pasi lajmi nuk shitet. Po fatkeqësisht edhe Radio Televizioni Shqiptar, që mbahet me taksat e çdo familje emigranti apo nga vetë ata , duket sikur e ka të tepërt të bëjë atë që i takon. Është një fenomen që me të drejtë duhet të na shqetësojë, pasi shqiptarët jashtë atdheut të tyre nuk janë vetëm vrasës dhe plaçkitës, nuk janë vetëm mbushës së burgjeve të Greqisë, por...Atë që nuk bën ministria e Kulturës, ambasada shqiptare e më në fund shteti, e bëjnë një grup emigrantësh nga Greqia. Emigrantë artistë që dinë të organizojnë e të respektojnë vendin fqinjë ku jetojnë dhe punojnë. Pasi kanë kaluar me sukses Festivalin e Parë të Filmit Shqiptar në Greqi, të shfaqur në kinemanë “Triano” në Athinë, ky grup emigrantësh (5-6 vetash) me në krye regjisorin e talentuar Bujar Alimani që me entuziazëm kanë vendosur rikthimin e këtij festivali me filma grekë në Shqipëri. Një respekt i dy anshëm që bën krenarë gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi, por duke përjashtuar në përgjithësi qeverinë shqiptare.Indiferentizmi dhe moskokëçarja, përbën për njerëz të ndershëm dhe me kulturë, një veprim të papranueshëm dhe pa përgjegjësi morale për shoqërinë e sotme shqiptare, një veprim pasiv që flet qartë më shumë se kurrë. Një veprim që na kthen dekada pas.Kjo qeveri tregoi edhe një herë se është e pazonja që t’i përgjigjet respektit reciprok vendit fqinjë, kur këto kanë të bëjnë me artin dhe kulturën të organizuar nga vetë emigrantët shqiptarë. Nuk teprohet kur thuhet se janë iniciativat e vetë emigrantëve për të organizuar festivale të tilla, për të bërë të pamundurën në të mundur, për t’i treguar vendit fqinjë se nuk janë vetëm ndërtues dhe pastrues, por dinë të merren edhe me art dhe kulturë.Të organizosh një festival të filmit shqiptar në Greqi dhe anasjelltas, nuk është e lehtë, kur mendon sigurimin e materialit, përkthimin e filmave, si dhe gjetjen e ambientit dhe përgatitjen e spoteve përkatëse, pa llogaritur burimet financiare. Të gjitha këto bëhen nga dëshira dhe vullneti i mirëfilltë i një grupi emigrantësh, përballë indiferentizmit qeveritar. Festivalet të tilla janë substancë kulture dhe integrimi. Edhe vetë Qendra Kinematografike Shqiptare i ka kthyer kurrizin Festivalit të Filmit grek në Tiranë. Është ndoshta mungesa e fondeve ekonomike, që më në fund ky institucion shtetëror të ngrejë i turpëruar duart përjetë për të mos marrë pjesë në Festivalin e Parë të Filmit grek në Tiranë. Ky institucion shqiptar për gjysmë shekulli ka shërbyer si një akademi të vlerave artistike, duke u përballuar me situatat e kohës, ndërsa sot duhet të jetë një akademi emancipimi shoqëror duke kaluar kufijtë e vendit. Por koha ka treguar se ky institucion mund të shpërdorohet nga vetë politika, ose të ecë më përpara, atëherë kur njerëzit janë të ndërgjegjësuar nga ana artistike, por kurrë nga ana ideologjike e politike...I indinjuar sa s’ka më, grupi i punës i vetëm pa asnjë mbështetje të qeverisë shqiptare, i vetëm arriti më në fund të realizojë me sukses ëndrrën dhe pikësynimin shumëvjeçar. Kur bëhej fjalë për Festivalin e Parë të Filmit Shqiptar në Greqi, Qendra e Kinematografisë së Greqisë u qëndroi pranë grupit të emigrantëve për ta realizuar atë me sukses, duke ftuar edhe 4-5 artistë shqiptarë që për më shumë se një javë qëndruan në hotelet nga më të mirët në Greqi, si miq me shpenzime falas. Po të njëjtën ndihmë dha edhe ambasada shqiptare në Athinë që siguroi transportin e materialeve të nevojshme nga Qendra e Kinematografisë Shqiptare. Por...Sot kur bëhet rokada, Qendra e Kinematografisë Shqiptare tregohet e pafuqishme për të mbështetur realizimin e Festivalit të Filmit Grek në Tiranë, kur pritet që muajin nëntor të 2009-ës, do të organizohet në Athinë Festivali i Dytë i Filmit Shqiptar. Po si mund të ndihen vallë grupi organizator përballë grekëve?Por grekët këtë radhë ia kanë dalë vetë në krye me përfaqësinë diplomatike në Tiranë, dhe me sponsor të dy-tre Bankave. Ata kanë mbështetur grupin e punës së emigrantëve që Metropoli i Tiranës për tre ditë rresht do të mirëpresë në festival 13 filma grekë, ku 5 nga këta do të jenë me metrazh të shkurtër.