Tuesday, August 11, 2009

Kur përçahet e majta, fiton e djathta.



Malaj ne Kallamate me emigrantet 26/06/2009

e martë , 11 gusht 2009


Tirana Observer



Sot më shumë se kurrë socialistët e kanë të detyrueshme të bëjnë atë që nuk bënë dje, duke u shkëputur me të djeshmen për të dalë nga errësira e sotme e getos. Së bashku të kenë një strategji bashkëpunimi për të ardhmen, të kenë një unitet brenda partisë së tyre, por mbi të gjitha edhe një bashkim të spektrit të majtë. Siç dihet përçarja e të majtës për së dyti herë ardhësi i dha fitoren të djathtës, në një kohë edhe pse këtë radhë u morën më shumë mandate në krahasim me atë të 2005.


Zgjedhja e kreut të ri brenda kampit socialist padyshim duhet që të rrisë besimin në krijimin e një krebiliteti të mëtejshëm përball elektoratit të tyre, me qëllim për të siguruar në të ardhmen fitoren e maxhorancës, pasi “filozofia Rama” nuk funksionoi ashtu siç duhej. Një nga figurat më të rëndësishme në PS, Arben Malaj, e sheh si një gjë konkrete dorëheqjen e Edi Ramës nga kryesimi i partisë, me shpresë kundrejt një platforme politike për bashkimin e së majtës. Edhe pse kanë kaluar një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, socialistet brenda selisë rozë ende nuk po gjejnë vetveten, duke pritur me padurim kongresin e tyre si një zgjidhje vendimtare.


Të ndarë në dy klane të “mirët dhe të “këqijtë”, socialistët treguan se të “mirët” nuk mundën të ecin përpara, pasi nga prapa nuk i lënë të “këqijtë”, ndërsa këta të fundit nuk mund të bëjnë më shumë se më parë, sepse nuk i lënë të “mirët”. Por a mjafton kjo për partinë më të madhe opozitare? Zgjedhjet treguan karakterin moralo-politik të çdo partie, njëkohësisht treguan edhe vetë karakterin e drejtuesve të tyre. Treguan banalitetin e gjuhës së politikanëve, treguan kulturën individuale të tyre përballë elektoratit shqiptar, i cili në përgjithësi tregoi një nivel më të lartë se sa këta politikanë.


Fituesi nuk gjykohet dhe as kritikohet një lloj si humbësi...


Që të humbasësh në zgjedhje elektorale do të thotë që ke bërë një sërë gabimesh, po kjo humbje në asnjë mënyrë nuk të jep të drejtë të mbash peng një parti të tërë. Asnjë ligj apo statut partie nuk e lejon një gjë të tillë, të veprohet sipas qejfit e të mos jepet dorëheqje në rast humbje. As një parti kudo ndodhur nuk konsiderohet si një pronë personale dhe trajtohet si një çiflig familjar, por ja që kjo gjë ndodh në vendin tonë, pasi politika shqiptare në përgjithësi është e lidhur me korrupsionin. Entuziazmi dhe dëshira i popullit tonë, Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, sot duket si një diçka e pabesueshme, pasi politika i ka rrënjët tek e djeshmja. Populli shqiptar është i vetëdënuar që të durojë akoma edhe disa vite të tjera deri në ndërgjegjësimin e politikës, ku mungesa e një uniteti ndërmjet partive politike edhe kur vjen koha për interesat e kombit shqiptar ende nuk njihen në vendin tonë.


E majta për herë të dytë e shikon veten në opozitë në një kohë kur në mbarë Evropën kishin fituan të djathtët, për këtë shkuan në zgjedhje të papërgatitur, pa asnjë program zgjedhor me mendimin se mund të bëhej ndonjë shaka për të fituar. Socialistët brenda kampit të tyre i kishin të gjitha mundësitë që të bindnin jo vetëm simpatizantët e tyre, por edhe njerëzit e lëkundur. Por kjo nuk u bë pasi “Filozofia Rama i vetëm” drejt fitores dështoi, duke treguar se një bashkiak i mirë nuk mund të jetë dhe një politikan i mirë. Në selinë rozë pak janë ata që marrin kurajën dhe kritikojnë atë.


Arben Malaj nga të parët ka marrë përsipër përgjegjësinë morale dhe atë politike, duke luajtur një rol të rëndësishëm në çlirimin e plotë të partisë nga censura Rama, ndërsa Blushi shihet më tepër si një “zhurmues” në momente të caktuara. Islami del në skenë pas një muaji, ku pa bërë autokritikë personale del si një njeri kryesor “anti Ramë”. Tashmë të ndarë në grupe të aftë e të pa aftë, brenda PS në emër të një reforme e majta e re duket se diçka po lëviz. Të tjerët fshihen pas hijes së kryetarit duke mos marrë guximin për të kërkuar arsyet e humbjes. Dhe kjo është kolona e xhaketave të vjetra, është kolona e djeshme që nuk ka asnjë të përbashkët me pjesën më të madhe të PS. Është kjo kolonë që mban në censurë të plotë dhe peng PS. Është kjo kolonë që rrallë kanë folur ndonjëherë në altarin e Parlamentit kur duhej folur, ndërsa sot heshtin përsëri në një kohë kur nuk duhej heshtur. Vallë kjo është PS e sotme?


Konkretisht në Asamblenë e PS, Rama tregoi se nuk është një politikan me vizion të gjerë, por është një njeri që di të vendos diktate dhe të shpërfillë mbarë një parti, gjë që më parë nuk ka ndodhur kurë. Humbja në zgjedhje po ndikon tek vete kreu i PS, si edhe një humbje të logjikës me ideologjinë se fajtorë janë edhe komisionarët e tij duke i kërcënuar deri në penalizimin e tyre para drejtësisë. Abuzime të tilla në kurriz të elektoratit tregojnë se “filozofia Rama” ka një ngritje profesionale për të mos njohur humbjen dhe nxjerrë përgjegjësinë. Rama nuk pati njerëzillëkun në kohën dhe vendin e duhur, që të përshëndeste emigrantët e ardhur nga Greqia, të përshëndeste degën e PS në Greqi, të cilët dhanë ndihmesë e tyre në organizimin dhe dërgimin e dhjetëra autobusëve, si dhe të qindra mijërave emigrantëve.


Malaj: Në garë pa kushte


Malaj një ndër nga figurat më të njohura, si dhe më pak të përfolura të PS, duket qartë se është kandidati i vetëm deri në këto momente, më potent për të marrë në dorë frenat e partisë më të madhe në opozitë, ku do të ketë mbështetjen edhe të ish-liderit të kësaj partie të Fatos Nanos. Ish-ministri i Ekonomisë shqiptare Aben Malaj, po shihet qartë se mbetet një nga protagonistët që është futur në garë për kreun e PS.


Ndryshe nga të tjerët Malaj pretendohet si një kandidat i mundshëm për të marrë kreun, pasi më shumë se të tjerët ka cilësitë e një politikani evropian. Si një ekonomist me përvojë, me një gjuhë të moderuar Arben Malaj mund të jetë ndoshta politikani që i mungon sot kreut të PS,në vendosjen e një uniteti brenda dhe jashtë partisë së tij. Duke bërë një krahasim me të ndonjë kandidat tjetër, Malaj del në skenë si një politikan i plotësuar plotësisht, si një politikan i karakterit evropian. Së bashku me Ben Blushin janë të parët që po ngrenë zërin kundër Ramës për largimin e tij në zbatim të statusit të partisë.


Malaj ka një favor kundrejt Blushit pasi ky i fundit ka mundësi që të mos hedhë kandidaturën në qoftë se do të ketë përsëri përball Ramën. Malaj e ka nisur garën pa kushte brenda PS dhe për këtë ku ende nuk kanë përfunduar zyrtarisht përfundimet zgjedhore, ka kërkuar njohjen e humbjes nga Rama. Tashmë Malaj, po përbën për Ramën një dhimbje koke, po kjo nuk e shpëton atë, pasi humbja në zgjedhje i jep të drejtë Arben Males të kandidojë. Duke marrë parasysh çdo kosto politike brenda partisë Malaj me vendosmëri do të bëjë të pamundurën në të mundur për të pasur sukses. Bëhet fjalë se brenda kampit socialist ai do të ketë mbështetje edhe sikur të ketë përballë edhe vetë kreun e sotëm Ramën. Ai është i vendosur deri në fund pasi vetë statusi i partisë ja lejon një gjë të tillë, për të hedhur kandidaturën e për të marrë kreun. Duke pasur përballë edhe Ben Blushin, z. Malaj duket se do ta ketë të lehtë betejën për të fituar, duke marrë në konsideratë aftësitë e tija si një ekonomist e politikan.


Si një ekonomist nga më të mirët e vendit, si një figurë me zë politik brenda kampit, pritet që në të ardhmen të jetë ai që do të drejtojë PS, duke pasur mbështetjen e ish-liderit të kësaj partie të Fatos Nanos dhe shokëve të tij. Në media Malaj është shprehur se: "Vendimet e duhura në kohën e duhur, por ju garantoj vetëm një gjë që çdo angazhim do të jetë pozitiv për t’u bërë pjesë e maksimizimit të energjive pozitive që ka PS-ja në tërësinë e saj dhe jo si një garë individuale, për një sfidë individuale. Besoj që në politikë secili ka detyrimin të jetë aktiv dhe jo thjesht shikues lajmesh".


Toleranca dhe mënyra e komunikimit nga ana e Arben Malaj janë një plus që mund të luajë edhe një rol të rëndësishëm në pajtimin për bashkimin e të majtës së sotme të përçarë. Paralel me të Ben Blushi si një ish-ministër i Arsimit nuk ka rezultatet e ish-ministrit të Ekonomisë, në një kohë kur vendi ynë sot me krizën ekonomike ka nevojë më shumë për një kryeministër me profil ekonomik se sa një doktor apo piktor.


Rama luftë për të mbajtur pushtetin e kreut


Rama i djeshëm apo i sotëm, ndryshe nga Malaj me çdo lloj mënyrë mundohet të mbajë në krizë politike mbarë Shqipërinë, duke mbajtur peng rezultatin përfundimtar për mosnjohje të humbjes. Veprimi i tij njëanshëm cinik po ul nga dita në ditë imazhin e partisë së tij. Rama sot mundohet që të luftojë errësirën me të njëjtën monedhë dhe jo me dritë. Kjo tregon se gjatë gjithë karrierës së tij politike nuk mësoi se urrejtja nuk luftohet me urrejtje, por me dashuri. Për kreun e PS këto ishin krejt të huaja, pasi harroi nga vinte dhe nuk dinte se ku të shkonte, duke mos pranuar se në Demokraci njerëzit të zgjedhin të heqin për gabimet që bën.


Por një ide e re që shprehet për të ecur përpara duhet pranuar dhe jo shkatërruar, duke vrarë moralisht njerëzit për të cilën besojnë se kanë aftësi më të mira se Rama për të udhëhequr PS-në atje ku e meriton. Por kjo ide nuk duhet vrarë me logjikën humbëse se: “Jam akoma unë”. Kjo gjë i ngjan më shumë Kolombit i cili kur u nis, nuk dinte se ku shkonte dhe kur arriti, nuk dinte se ku ndodhej.


Në jetën politike Rama gabimisht u fut nga Nano, pasi për të politika ishte njëlloj si mbas thënieve të piktorit të madh me famë botërore Pikaso që, “Një pikturist bën atë çfarë shet, ndërsa një artist shet atë që pikturon”. Atij ju dhanë shumë shanse për të mësuar nga të tjerët, por më e mira për të, ishte largimi i tyre dhe vendosja e vetos nga ana e tij. Sot kreu socialist nuk di se ku ndodhet. Ai harron parimet më elementare të Demokracisë. Me idetë e tij mundohet të shmangë realitetin, pasi për të çdo gjë për të mbetet ashtu siç ishte më parë.


Njëkohësisht ai futet në rangun e atyre gjeneralëve, të cilët kur fitojnë betejën në luftë zor se mund të bëjnë paqe. Me shpresën e numërimit të disa kutive kreu socialist shtyn nga dita në ditë dorëheqjen e tij sipas statutit të kësaj partie, duke mbajtur peng moralin e partisë më të madhe të vendit. Sipas parimit: “Sa më shumë të jesh i heshtur, aq shumë dëgjon”, rreth tij janë mbledhur ata njerëz të cilët rrallë kanë folur në parlament, ose rrallë dolën për të bërë fushatë elektorale. Janë këta që fatkeqësisht që nuk dalin në skenë në rast humbje, por në hije brenda mureve të selisë rozë i bëjnë këshilla për të mos dhënë dorëheqje.


Me punën e tij si kryetar bashkie, Rama u bë njeriu më i dashur i shumicës, ndërsa në jetën politike si kryetar i saj, po humbet nga dita në ditë atë dashuri që kishte fituar në beteja për vite të tëra. Që të ngjitesh sipër në majën e suksesit politik duhet që të mos i shkelësh njerëzit që ke poshtë, pasi kur të zbresësh ata që i kishe poshtë do t’i kesh përballë. Rama erdhi në Shqipëri dhe u ngjit brenda një kohe të shkurtër me katapultë, ku brenda partisë nuk njohu termin e fjalës “UNITET”.


Me një strategji se marketingu është një profesion ku mund të bindësh njerëzit që të blejnë gjera që nuk duhen me para që nuk kanë, Rama u mundua shumë në fushatën elektorale, duke mos paraqitur në programin e partisë së tij asnjë gjë të re, duke ju larguar përfundimisht parimit se: Mos pyesni çfarë bën vendi juaj për ju, por pyesni çfarë mund të bënit ju për vendin tuaj”. Rama sot ka braktisur në një moment të pa përshtatshëm partinë e tij, duke bërë pushime personale nga shtet në tjetrin, në një kohë kur duhej të ishte sa më pranë.