Tuesday, August 11, 2009

Një drejtore shkolle, ndiqet penalisht, për mësimin shqip, të fëmijëve shqiptarë

Drejtoresha e shkolles Stela Protonotariu qe u mesonte shqip femijeve
Publikuar ne gazetn "NDRYSHE"



Integrimi i emigrantëve në Greqi do të kishte një sukses të plotë nëqoftëse vetë shteti e ndiente veten të integruar në praktikë në zbatimin e një politikë të drejtë për emigracionin. Po kjo gjë nuk i leverdis shtetit helen, pasi integrimi i emigrantëve do të luante një rol të rëndësishëm në tregun e ligjshëm të punës, duke i larguar njëherë e përgjithmonë ata nga puna e zezë, por kjo do të dëmtonte fitimet e punëdhënësve.





Integrimi i emigrantëve do të ndikonte që vete sistemi të kishte detyrime përball shtresës së emigracionit.Ksenofobia dha nacionalizmi vetëm dëme i kanë sjellë njerëzimit. Ky fenomen më shumë se kurrë prek vendet e Ballkanit. Edhe pse njerëzimi po jeton në shekullin e XXI-të, këto vende janë të mbërthyera nga ky fenomen tepër negativ. Kohët e fundit është folur shumë për marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera që ekziston me Greqinë, ndërsa në praktikë qëndron ndryshe, ato janë të cekëta dhe ndoshta të ngrira, por me interesa të mëdha ne dem të popullit tonë.


Karamanlisi bëri vizitën e tij "zyrtare" në Shqipëri në një kohë të papërshtatshme për politikën shqiptare. Ai mori gjithçka që kërkoi, në një kohë kur rreth 700.000 - 800.000 shqiptarë punojnë dhe jetojnë në këtë vend pa patur zë, me liri të kufizuar. Po e njëjta gjë po ndodh edhe me fëmijët e tyre që lindën në këtë vend europian.


Një problem për Greqinë sot nuk janë vetëm emigrantët e brezit të parë, por "një rrezik" për këtë vend paraqiten gjithashtu edhe emigrantët e brezit të dytë, që nga politika vendase shikohen si një rrezik kombëtar. Frika e imagjinuar nga nacionalistët apo media, kanë bërë që shteti grek tu japë emigrantëve dhe fëmijëve të tyre liri të kufizuar dhe me pikatore të drejta sociale përball reklamave shumëngjyrshe.


Në këtë vend dy rrugë mbeten për brezin e dytë: ose integrimi në shoqërinë vendase, ose veçimi i tyre nga kjo shoqëri. Greqia fatkeqësisht ka zgjedhur rrugën më të keqe, rrugën e veçimit të kësaj shtrese. Bëhet fjalë për një popullsi që është 10% e aftë për punë, si dhe për 200.000 fëmijë të lindur në këtë vend dhe që konsiderohen të huaj.





Emigracioni i sotëm ka treguar se me gjithë përpjekjet e bëra herë pas herë mbetet si një proces i dështuar, mbetet një peng i politikës së caktuar që të përdoret në momente të veçanta.Politika jo e drejtë shtetit ndikoi negativisht në mbarë popullin grek. Zhvillimi i mentaliteteve mbrojtëse "të mbrohemi" nga emigrantët, niveli i ulët ideologjik, reflekset frikësuese të mbarsura nga media, përshtypja se emigracioni është një fenomen fatkeqësie kombëtare, që mund të mbizotërojë mbi shoqërinë greke.


Emigrantët, në përgjithësi, gjetën në këtë vend një popull me një arsimim më të ulët se vetë ata, si dhe një vend tepër fanatik të besimit fetar, ku një grek i vërtetë është vetëm ai i fesë së besimit ortodoks dhe askush tjetër. Ky nivel i ulët arsimor luajti një rol të rëndësishëm në mbarë politikën greke.Përfundimi i këtyre mentaliteteve në popull, si edhe në mekanizmin drejtues në Greqi bëri që një sërë masash dhe ligjesh të konsiderohen nga mekanizmat ndërkombëtare si jo rezultative, por edhe pa zgjidhje për emigrantët e izoluar prej vitesh...


Greqia nuk kishte arsye përse të trembej nga emigrantët nëse ata trajtohen si të barabartë dhe të respektohen nga shoqëria vendase, ta ndjejnë veten të barabarte, atëherë këta mund te jene shpresa e madhe jo vetëm për Greqinë, por edhe për mbarë Evropën. Në qoftë se jo, emigrantët mund të shndërrohen në një forcë të madhe pakënaqësie me përmasa të rrezikshme për Greqinë. Ngjarrjet e fundit në këtë vend me komunitetin mysliman tregoi qartë se emigracioni kudo që emigron nuk i humbet në mes të rrugës te drejtat e njeriut.





Atje ku ka jetë ka dhe shpresa, por ka edhe...





Historia kthehet në vitet 2005-2007, ku jashtë orarit të mësimit zyrtar, ish drejtoresha e shkollës fillore nr.132 në Athinë z.Stela Protonotariu, organizoi mësimin e gjuhës greke për prindërit e fëmijëve të shkollës, njëkohësisht edhe mësimin e gjuhës amëtare të fëmijëve, që përbënin 75% të numrit të përgjithshëm të shkollës.( Bëhet fjalë për komunitetin shqiptar dhe arab).


Për këtë veprim human, ministria e Arsimit e ka pushuar nga puna dhe e ka dërguar para drejtësisë për shkelje detyre. Largimi i drejtoreshes Stela Protonotariu ndikoi që të shuhen endrra e dhjetra fëmijëve të emigrantëve, si dhe vetë emigrantëve të cilët mbas pune uleshin dhe mësonin gjuhën greke. E vetëm përball racizmit vendor përqafonte dhe ndihmonte familjet e emigrantëve pa dallim. Por sot me dashje apo jo del në skenë racizmi jo nga shoqëria por nga vetë mekanizmi shtetëror, që tjetër thotë dhe tjetër vepron. Si një aktor dhe spektator ky vend i BE-se prej 30 vitesh kthehet pas në vitet e mesjetës dhe të turpit .


Problemi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e emigranteve është prekur jo pak herë, po kjo më shumë bën fjalë për shtetin fqinjë me Greqinë. Dora Bakojani në një takim me perfaqësues të emigracionit shqiptar ishte shprehur se : " Askush nuk ju ndalon të hapni shkolla shqiptare në Greqi. Duhet që vetë shteti juaj të ketë një interes në këtë drejtim. Ne ju ndihmojmë me ambientet ( shkolla), ndërsa ju duhet të siguroni librat dhe mësuesit". Por në Greqi tjetër thuhet dhe tjetër veprohet.Masa e marrë kundra kësaj gruaje përbën një sulm me pikpamje raciste nga qeveria Karamnli në një kohë kur duhej përgëzuar.





Integrimi i shtresës së emigrantëve nuk bie nga qielli, por integrohet në shoqërinë vendase atëherë kur vetë shteti të jetë integruar në mentalitetin e tij mesjetar.Theksohet se fëmijët e kësaj shkolle janë nderuar në festivale të ndryshme ndërkombëtare. Por sot?...Çdo gjë i takon të kaluarës pasi ëndrra e tyre sëbashku me disa mësues është shuajtur. Po kë shqetësoi mësimi i gjuhës amëtare të fëmijëve? Ishte një krim që duhej dënuar, apo një vlerësim që duhej dhënë nga qeveria.?





Greqia nuk mund të rrezikohet nga mësimi i gjuhës amëtare të 80 fëmijëve emigrantë të cilët patën mundësi ta mësonin me ndihmën vullnetare të disa mësuesve. Sudimet vendase kanë treguar se një fëmi që mëson gjuhën e vendit të tij ka më shumë rezltate se fëmija që i pritet e drejta e mësimit të gjuhës amëtare.Në krah të saj janë sindikata e arsimit, shoqatat e mësuesve dhe e prindërve që kërkojnë pezullimin e gjykimit që është shtyrë për në vitin 2010.Partitë politike të majta kanë reaguar ashpër duke e cilësuar këtë veprim si një nacionalizëm të tepruar duke akuzuar ministrinë e Arsimit për rritjen e një ksenofobie.


Partia parlamentare Siriza me anën e deputeteve të saj Perikli Koroveshi dhe Takis Kurtakis ka kërkuar një takim me ministrin e arsimit për pezullimin e çështjes gjyqësore, gjë që deri më sot nuk është bërë e mundur.Dy ditë më parë ministri i Arsimit, Aris Spiliotopulos pati bërë një takim në zyrën e tij me ish drejtoreshën e shkollës për të diskutuar nga afër këtë problem, por si gjithnjë duke ju çështjes së penalizimit të saj.


Ky fenomen tregon qartë se Greqia nuk është e gatshme për një shkollë shumëkulturshe, por është vetëm për një shkollë nacionale, për një shoqëri jo të barabartë. Tregoi edhe një herë se në politikën vendase sundon nacionalizmi i tepruar grek. Tregoi se emigrantët nuk i përkasin shoqërisë së sotme të 2009. por një shoqërie tjetër. Tregoi se mësimi shumë kulturor mësohet dhe mbetet vetëm në letër me anën e ligjit nr. 2413 të 1996, ku bën fjalë për dhënie ambientesh dhe mikpritjen e mësimit të gjuhës. Gjithashtu parashikimet e ligjit për mësimin e gjuhës amëtare për fëmijët e emigrantëve mbeti vetëm teori kur asnjëherë nuk u zbatua...


Nga ana tjetër, Greqia, ashtu si çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian, e ka për detyrë të krijojë kushtet për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Qeveria "Berisha" s'ka bërë asgjë për diëka të tillë, ndërsa mburret se po i fryn financat nga viti në vit, megjithëse ka premtuar se do të realizojë hapjen e shkollave të gjuhës shqipe jashtë vendit tonë. Synimi është që shteti dhe shoqëria të shqetësohen dhe bashkohen sot, për ta ngadalësuar e kufizuar sa më shumë që të jetë e mundur këtë hemorragji kombëtare, sepse nesër do të jetë shumë vonë dhe çmimi që do të paguajmë si komb, shumë më i shtrenjtë.





Shteti duhet te ndërgjegjësohet për interes të kombit.Është vetë shteti që ka për detyrë kryesore morale dhe politike zgjidhjen e problemit të mësimit të gjuhës shqipe të fëmijëve tanë në emigracion. Në 18 vite të emigracionit, siç dihet shteti shqiptar asnjëherë nuk ka qenë në lartësinë e duhur me këtë problem. Megjithatë, asimilimi gjuhësor i fëmijëve tanë të larguar nga Shqipëria në moshë të vogël, apo të lindur në imigrim, vazhdon me përmasa më të mëdha dhe më shqetësuese, sepse kjo e keqe, kurrsesi, nuk ndalet e kufizohet ndjeshëm me nisma personale, familjare e ngushtësisht lokale.


Vizita e presidentit Bamir Topi më 27 nëntor 2007 ishte një hap para në marrëdhëniet mes dy vendeve, po të kemi parasysh faktin që homologu i tij, Papulias, tre vite më parë anuloi vizitën e tij në Shqipëri. Presidenti Topi kërkoi nga parlamentarët grekë që shteti helen të lehtësojë procedurat për emigrantët shqiptarë me hapjen e shkollave shqipe për fëmijët tanë.


Po të kthejmë kujtesën do të shohim se në nëntor 1998 nënshkruhet një akt-marrëveshje ndërmjet dy ministrive përkatëse të Greqisë dhe Shqipërisë.


Në janar të vitit 2001 ish kryeministri Ilir Meta u premton emigrantëve 300 abetare.


Më 2004 ish ministri Luan Memushi justifikohet se për shkollat shqipe në diasporë shteti ynë nuk ka fuqi financiare për të investuar njëlloj si vendet e tjera.


Në vitin 2006 ish ministri i arsimit Genc Pollo deklaron se në pesë qytetet më të mëdha të Greqisë do të hapen shkolla shqipe. "Ne synojmë që këto shkolla të jenë publike, pra të paguhen nga buxheti ku derdhin taksa edhe emigrantët. Jam i ndërgjegjshëm për kufizimet tona financiare megjithë shtimin e parashikuar për arsimin. Sot një pjesë e fëmijëve të emigrantëve tanë mund të mësojnë gjuhën amtare në Athinë, Selanik, Vollos, Patra...





Dhënia e të drejtave qytetare të barabarta ndaj emigrantëve në Greqi, presupozon edhe një ndërgjegjësim të vetë shoqërisë greke. Ky ndërgjegjësim në vendin fqinjë duhet të jetë i shpejtë në mënyrë që emigrantët me të mirat e të këqijat e tyre të bëhen pjesë e jetës politike-shoqërore helene. Izolimi nga mësimi i gjuhës shqipe bën një gabim taktik e politik të rëndë, që në thelb dëmton fëmijët e një kombi të huaj që të integrohen normalisht në jetën shoqërore të vendit pritës. Gjuhëtari i ndritur Sami Frashëri ka thënë: "Gjuha është gjeja e parë e përcaktimit të kombësisë".


Prandaj duhet ndërgjegjësimi politik ...