Monday, August 10, 2009

Ambasadori Bashkim Zeneli dekorohet nga Ministria greke e Rendit

Ambasadori Zeneli me ministrin grek te Rendit, Jorgos Vulgarakis
gazeta Ballkan

12 dhjetor 2005


Ne kuadrin e largimit të tij nga Greqia, në një ambient të sinqertë dhe miqësor, ambasadori shqiptar Bashkim Zeneli u prit dje nga ministri i Ruajtjes së Rendit Jorgos Vulgarakis. Ministri grek ka falënderuar ambasadorin shqiptar Zenelin për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur, gjë që ka ndikuar në zgjidhjen e shumë problemeve dhe lehtësimin për t’u ardhur sa më afër njeri-tjetrit. Gjithashtu, ai theksoi se Zeneli luajti një rol të rëndësishëm në forcimin marrëdhënieve reciproke ndërmjet dy ministrive të rendit, aq sa edhe për çështje të tjera që preokupojnë dy vendet, si problemi i emigracionit, lëvizja në kufi, homogjenët grekë në Shqipëri etj.

Vulgarakis e ka konsideruar këtë periudhë të qëndrimit të ambasadorit shqiptar në Greqi si një gjë të veçantë e të shkëlqyer, e cila vuri bazat e një bashkëpunimi më të mirë për të ardhmen ndërmjet dy vendeve.

Personalisht, ai e ka konsideruar ambasadorin një mikun e tij të veçantë dhe në shenjë mirënjohje dhe të një bashkëpunimi të mirë ai dhuron Medaljen e Statujës së Fitores, duke u shprehur “që me këtë dua të simbolizojë dhe marrëdhëniet e mira që ne zhvilluam gjatë gjithë kësaj periudhe, ku u zgjidhën shumë nga problemet që ekzistonin më parë dhe këto u zgjidhën në një kohë pa u bërë objekt bisedash dhe diskutimesh. Ambasadori shqiptar, pasi ka falënderuar ministrin grek, u shpreh se diplomacia i ka këto norma, nga ku vjen një moment për t’u larguar, por mbi të gjitha largohet me përshtypjet më të mira nga Greqia dhe në mënyrë të veçantë nga ministria ku drejton zoti Vulgarakis.

Zeneli ka vlerësuar si një gjë të shkëlqyer dhe tepër pozitive bashkëpunimin me të, po ashtu edhe ndërmjet dy dikastereve. Zeneli, në çastet e fundit të takimit me ministrin grek, tregoi edhe njëherë shqetësimin e tij lidhur me problemin e emigrantëve. Edhe këtë radhë në një ambient krejt ndryshe, ai i ka kërkuar ministrit grek që në prag të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri emigrantët të shkojnë të lirshëm në Shqipëri. Duke e falënderuar publikisht, ai i kërkon ministri grek datën e lëvizjes së lirshme të emigrantëve...