Friday, August 07, 2009

Këtu është Greqia ore!...


Edhe një provokim tjetër nga policia vendase. Një provokim që nuk i shkon për shtat një vendi demokratik. Një vendi që po kthehet disa dekada prapa përsa i përket lirisë së njeriut. Greqia mbetet larg vendeve të tjera të bashkimit evropian. Është i vetmi vend që kërkon për të drejtat e diasporës dhe e fundit në Europë në plotësim e të drejtave për të huajt. Veprimi i sotëm e kthen këtë vend të djepit demokratik disa dekada prapa...

Me këto fjalë një polic vendas i ka grisur Kuranin një emigrantit nga Afganistani. Kjo gjë ka ndodhur ditën e mërkurë pasdite në zonën Agio Nikolaos, në oborin e Kishës një grup patrulle prej dhjetë policisë gjatë kontrollit kanë ndaluar 4 emigrantë afganë, ku njërit prej tyre i kanë grisur Kuranin. Provokimi i policisë nuk është mjaftuar me kaq, por më pas duke e grisur dhe e shkelur me këmbë i ka thënë emigrantëve se këtu është Greqia ore. Xhevahiret e policisë greke vazhdojnë nga gabimi në gabim, pasi Karamanlisi ka vendosur në krye drejtues me pikëpamje ekstremiste të djathta. Masat e Berluskonit kohët e fundit kundra emigrantëve u ka dhënë krahë policëve greke që të veprojnë si të duan dhe kur të duan duke mos llogaritur më dinjitetin njerëzor. Dihet që emigrantët nga Afganistani apo Iraku nuk janë emigrantë ekonomik, por të azilit politik, të cilët duhet të përfitojnë ndihma sociale nga shteti. Por në vend të ndihmës sociale, ata fyhen dhe keqtrajtohen edhe në ambientet e kultit fetar.

Grisja e Kuranit menjëherë ka mbledhur emigrantët e vendeve të ndryshme myslimanë të cilët më pas janë hakmarrë duke bërë dëme serioze duke thyer xhama dyqanesh dhe makinash. Më pas turma i është drejtuar rajonit të policisë, por janë ndalur nga forcat e ruajtjes së rendit disa metra më larg. Banorët vendas, të frikësuar nga turma, janë distancuar duke mos u besuar syve për dëmet që i solli protesta e djeshme dhe e sotmja. Policia vendase menjëherë ka rrethuar turmën duke mbikëqyrur nga larg hap pas hapi.

Ditën e enjte pasdite në orën 6, rreth 5.000 emigrantë myslimanë të veshur me kostumet kombëtare kanë protestuar fuqishëm në qendër të Omonias. Në mbështetje të tyre kanë edhe disa organizata rinore të majta. Për dy orë rresht emigrantët e komunitetit mysliman kanë bashkuar fuqishëm zërin e tyre për të dënuar aktin banal të policisë greke. Nuk është hera e parë që policia greke provokon komunitetin mysliman duke mos respektuar as edhe rregullat më elementare të kultit fetar.

Protestat do të vazhdojnë edhe ditët e tjera.

Siç dihet, Greqia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që ka kufizuar në maksimum lirinë e kultit fetar për komunitetin mysliman. Myslimanët në Greqi përbëjnë shtresën më të përbuzur të qeverisë Karamanli. Athina mbetet i vetmi vend qe nuk ka një Xhami si dhe një varrezë për komunitetin mysliman. Për të varrosur të afërmit e tyre duhet të udhëtojnë rreth 700 kilometra për ne Veri të vendit, në Komotini.

Ka më se një muaj që dy tre kanale vendase po trajtojnë nga java në javë emigracionin si një bombë me sahat. Në epiqendër janë emigrantët e komunitetit mysliman. Kanali televiziv “Alter” dhe “Mega” janë më tipikët që po rrisin ksenofobinë në vend, duke theksuar se myslimanët lindin disa herë më shumë fëmijë në krahasim me vendasit. Kështu në dhjetë vitet e ardhshme analistët grekë shprehin shqetësimin se myslimanët do të përbëjnë 50 për qind të popullsisë së vendit.