Integrimi për në BE nuk është vetëm çështje dëshire, sesa një moral politik
Integrimi i Shqipërisë për në BE, nuk mund të ecë pa u integruar në radhë të parë qeveria shqiptare, partitë opozitare dhe mbarë shoqëria civile. Të ecësh në rrugën e integrimit për në familjen e madhe europiane nuk është vetëm një çështje dëshire, sesa një detyrim moral dhe politik. Të jetosh në Shqipëri do të thotë të jesh i duruar. Populli shqiptar ka meritën e tij në këtë anë. Asnjë popull tjetër në Europë nuk mund të duronte kaq vite të tëra për nevojat më elementare për jetën. Kur ne të jemi gati me ndërgjegje të plotë se kemi arritur objektivat e BE, atëherë edhe Europa do të na përqafojë...
Të mirën shoqëria shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika e vendit do të ishte në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli shqiptar ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë “Drejtësinë” e mbërthyer në kthetrat e kësaj “politike të re” me fytyra të vjetra. Të mirën mbarë shoqëria jonë do ta kishte kur kjo politikë të ishte në shkallën e duhur dhe jo të punonte për interesat vetjake, por të shikonte pak më larg, drejt Europës.
Abuzimet e ndryshme në kurriz të popullit tregojnë se politika e sotme ka një ngritje profesionale në premtime dhe mashtrime, përball një populli të vuajtur të çon vetvetiu në pyetje se, a mund të luftohet mashtrimi dhe korrupsioni nga njerëz të korruptuar? Po a mundet që Europa të na pranojë kështu se si ne po paraqitemi para saj?...
Korrupsioni shumë vjeçar që ka mbërthyer mbarë politikën shqiptare në dëm të interesave të kombit, padyshim do të linin një hije në momente më kritike për vendin tonë. Qeverisjet e dështuara të një pas njëshme, epshi për një karrierizëm të pafund për një pushtet të pavdekshëm, vazhdojnë sot akoma të mbajnë peng dëshirën dhe aspiratën e popullit shqiptar për në familjen e BE.
Koha po tregon se dëshira dhe aspirate e popullit tone, do të mbetet akoma për një kohë të gjatë si e tillë, përderisa në politikën shqiptare mbizotëron akoma mentaliteti ballkanas, që punët tone të na i bëjnë të huajt. Komisioni siç dihet pak ditë më parë e klasifikoi me të drejtë ose JO, përsëri vendin tonë të padenjë për liberalizimin e vizave, në një kohë kur nga qeveria shqiptare pritej më shumë iniciativë në marrjen e një sërë reformash në përputhje me kërkesat e BE. Pushteti i sotëm, ose më saktë qeveria Berisha po të kishte një vullnet të mirëfilltë politik, i kishte të gjitha mundësitë reale dhe mbështetjen e partive të tjera politike për zbatimin e reformave, duke u nisur nga krimi i organizuar, imigrimi ilegal, pajisja me pasaporta biometrike dhe karta identiteti.
Çdo vit nga pasiguria dhe kontrolli i vijës kufitare imigrojnë në rrugë ilegale rreth 40.000-50.000, përfshi këtu edhe trafiqe për qëllime të shfrytëzimit seksual, bimë narkotike droge etj. Të huajt në raportet e tyre jo pak herë e kanë cilësuar Shqipërinë si një nga burimet kryesore në Ballkan, si dhe një vend ku drejtësia nuk ka bërë punën e saj në penalizimin për trafikimin njerëzor. Mungesa e vullnetit politik i qeverisë për të bërë në kohë dhe cilësi “detyrën e shtëpisë” ku detyrimet njiheshin pasi paralajmërimet ishin dhënë me kohë.
Shqipëria pret nga të tjerët, bën sikur harron që duhet të tregonte me fakte, se dëshironte të ndërtonte shtetin e saj demokratik, por jo me abuzime në emër të saj. Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk është ende një shoqëri demokratike, pasi përballet jo më nga ligji demokratik, por nga ligji klanor, nga politikanë apo njerëz që kanë pushtuar majat e pushtetit, që edhe këtë e përdorin për interesat vetjake. Pushteti i sotëm përbën vetë shtetin që është përfaqësues i një shoqërie, që nuk gëzon sa duhet autoritetin e shtetasve te vet, si dhe jo më të fitojë respektin dhe mbështetjen e ndërkombëtareve.
Kur ne të jemi gati me ndërgjegje të plotë se kemi arritur objektivat e BE, atëherë edhe Europa do të na përqafojë
Vendimi i Komisionit të BE-së, duke e përfshirë vendin tonë në “listën e zezë” është bazuar në punën e dobët të qeverisë aktuale, e cila deri më sot jo vetëm që është tallur,por vazhdon ende të japë premtimet e radhës pa plotësuar më parë standardet. Mungesa e transparencës së politikës shqiptare, puna e dobët në diplomacinë e jashtme kundrejt një ministri pa imunitet, treguan në përgjithësi seriozitetin e sistemit të sotëm shqiptar.Si një politikan i vjetër, kryeministri Berisha kohët e fundit ka ndërruar edhe mentalitetin në qeverisjen e vendit, duke mos patur asgjë të përbashkët me Berishën e viteve ‘97.
Humbjen në liberalizimin e vizave dhe futjen e vendit tonë në “listën e zezë” Berisha e ka komentuar se, është e lehtë të kritikosh europianët se po e shndërrojnë Shqipërinë në geto, por në radhë të parë duhen plotësuar standardet në kartat e identitetit, pasaportat biometrike dhe sigurimi i kufijve. Por a mjafton kjo?...
Populli i ka dhënë votëbesimin qeverisë për drejtimin e vendit në katër vitet e ardhshme, po kjo në asnjë mënyrë nuk i jep të drejtë qeverisë që të mos flijohet për interesat e kombit, Dihet qe qeveritë janë kalimtare, ndërsa populli qëndron po i njëjtë, ku dhe fatet e tij varen në duart e tyre. Realiteti ka treguar të kundërtën, ku për hir të pushtetit, karrierës politike, Berisha për të mbajtur pushtetin sakrifikon çdo gjë në dëm të tjetër kujt, sakrifikon edhe lirinë e lëvizjes së popullit të tij.
Është një turp që një vend që pretendon të trokasë në dyert e BE, të sillet si një çifligar përball qytetarëve të tij, duke bërë “Pazar më jep, të jap”. Në një aspekt shikon se populli përpiqet me të gjitha mënyrat për të jetuar, ndërsa qeveritarët, kasta e tij shikojnë interesat vetjake farefisnore, duke mos hedhur sytë larg pjatës së tyre.Mendohet se ka të bëjë me psikologjinë apo mentalitetin e një udhëheqësi i dalë nga komunizmi dhe që përbën një realitet të hidhur duke pasur parasysh ngjarjet e ’97-ës. Sundimi i këtij udhëheqësi nuk ka asgjë të përbashkët me një koleg të një vendi të BE. Berisha i sotëm po të kishte një dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë politik për interes të kombit, ai mund të kishte bërë të pamundurën në të mundur, por Ai e di më mirë se kushdo tjetër se izolimi i shqiptarëve për vite të tjera, mund ta mbajë në këmbë që të qeverisë duke e votuar atë njëlloj si dikur në kohën e monizmit.
Në një aspekt shikon se populli përpiqet me të gjitha mënyrat për të jetuar, ndërsa qeveritaret shikojnë interesat e tyre. Sot në parlament rrallë mund të gjesh ndonjë politikan që të luftojë për interesat e kombit. Mungesa e kulturës së politikanëve tanë, mashtrimet dhe ofendimet në debatet publike tregojnë qartë se vendi ynë me këta së bashku do të vuajë akoma edhe dekada të tjera. Politika shqiptare paraqitet para popullit shqiptar me një nivel të ulët kulturor, mashtrues dhe lypës.
Anëtarësimi në BE, ka përpara një sërë detyrimesh dhe kanunesh pasi ka të bëjë në radhë të parë me vetë sigurinë e këtij komuniteti, ku për këtë gjë edhe kanë rezervat e tyre përball nesh.Nga ana tjetër dëshira dhe aspirata e popullit tonë për familjen e madhe europiane është e diktuar njëkohësisht edhe nga zhvillimet e fundit të KQZ, ku ende nuk ka bërë të njohura rezultatet e zgjedhjeve te 28 qershorit te 2009.
Paralajmërimet e ndërkombëtareve në këtë drejtim nuk u dëgjuan nga mbarë politika shqiptare, që politizuan qendrat e votimeve, duke përfshirë edhe vetë KQZ-në. Komisionit Europian iu dha e drejta të na trajtojë ndryshe nga të tjerët, vendimi i tij për të lejuar pa viza në vendet e Shengenit të popullsisë Serbisë, Mali i Zi si dhe Maqedonisë përbëjnë një privim kundrejt Shqipërisë, duke ndëshkuar qeverinë shqiptare pasi kjo nuk ishte në gjendje ti siguronte popullit të saj pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, ndërsa nga ana tjetër vendet me më shumë problematika për vetë Europën bënë të mundur liberalizimin e vizave.
Duke parë në tërësi anëtarësimin e vendeve në BE, lidhur me përbërjen fetare mendohet se privimi i Shqipërisë ka të bëjë më shumë edhe me këtë përbërje fetare, pasi deri më sot asnjë vend me përbërje myslimane nuk ka bërë të mundur të lëvizë lirshëm apo të futet në familjen e madhe të BE. Duke u nisur nga kjo anë shikojmë se Turqia ka 50 vjet që ka bërë kërkesën për t’u bërë anëtare në BE, si dhe është në pritje si kandidate prej dhjetë vjetësh.
Publikuar, 5 gusht 2009 ne gazeten SOT dhe START