Liria e fjalës së lirë në demokraci nuk është dhuratë e asnjë politike...
Gazeta Sot, më 14 Maj 2009
Shumë gjëra i humbëm pasi nuk i ngritëm në kohën e duhur, ndërsa disa të tjera i humbëm sepse nuk patëm kurajon. Por edhe kur i ngritëm problemet dhe prekëm interesat e pushtetit, menjëherë ndaj shtypit ushtrua dhunë. Liria e fjalës në demokraci nuk është dhuratë e qeverisë, por është detyrë e sa. Ta respektojë dhe ta mbrojë atë, të mbrojë mbi të gjitha fjalën e lirë në demokracinë shqiptare...
Shteti, në kuadër të detyrimeve ndaj shtetasve duhet të respektojë, të mbrojë, dhe promovojë të drejtën e të gjithë shtetasve për të jetuar një jetë pa dhunë. Në demokraci çdo individ duhet të gëzojë të drejtën themelore për të shprehur qartë mendimin e tij. Dhuna e herë pas hershme kundër fjalës së lirë tregoi qartë se politika shqiptare nuk është mësuar akoma të pranojë kritiken e shtypit të lirë, të pranojë se në vendin tonë ka vend edhe për fjalën e lirë. Liria e fjalës së lirë në demokraci nuk është dhuratë e politikës së qeverisë aktuale, po është detyra e kësaj që të respektojë të drejtat themelore, të mbrojë me çdo kusht nderin dhe dinjitetin e çdo gazetari. Tentimi për mbylljen e gazetës Tema, duke hedhur në rrugë stafin e saj, tregon qartë se Shqipëria akoma nuk është shkëputur nga mentaliteti ballkanik, duke kthyer dhunën për interesat politike.
Si në vitet e diktaturës ashtu edhe sot, koha ka treguar se shteti u trembet qytetareve te ndërgjegjshëm. U trembet kritikave dhe aq më shumë FJALA E LIRË, liria e shtypit, sepse të veshur me pushtetin e votës së popullit nuk duan ndryshim, por me çdo kusht duan të qëndrojnë sa më shumë në pushtet. Qeveria me çdo mënyrë mundohet të mbys diskutimet apo kritikat që bën shtypi, duke mos llogaritur imazhin e keq që i sjellin vendit.
Lindja e shtypit të lire në Shqipëri pas viteve 1991 e më pas ka treguar se sa kaotik dhe në gjendje të vështirë është gjendur ky shtypi i lirë. Jo pak herë kryeministri shqiptar është sulur si egërsirë medias dhe në veçanti shtypit të lire. Berisha akoma nuk po shkëputet nga mentaliteti ish komunist, duke gjunjëzuar një pjesë të gazetarëve. Në Greqi askush nuk merret me median, përkundrazi është ajo që ka zbuluar skandalet e njëpasnjëshme të qeverisë Karamanlis. Berisha po jep shembullin më të keq si kryeministër përball shtypit shqiptar. Presionet e ndryshme të tij përball një opozite indiferente tregojnë se media shqiptare është në cënim e sipër...
Më e keqja është se kjo metodë antidemokratike është trashëguar përtej kufirit të vendit tonë. Si një biznes dhe jo mjet informimi, është venë re se edhe jashtë kufirit shqiptar veprohet me të njëjtën censurë, me të njëjtën dhunë. Gazetarët nuk kanë kurajon të ngrenë dhe të trajtojnë problemet, pasi një pjesë e tyre nuk duan të prishin marrëdhëniet reciproke, ndërsa pjesa tjetër indiferente hesht. Konkretisht korrupsioni në konsullatën shqiptare në Athinë është trajtuar nga media shqiptare në Shqipëri, por asnjëherë nga media shqiptare në Greqi. Këto mundohen tu sjellin emigrantëve shqiptare informacionin e duhur, por asnjëherë nuk prekën sado pak ryshfetin dhe korrupsionin që prej vitesh mbizotëron në këtë dikaster përfaqësie. Një pjesë janë kthyer në paterica dhe zëdhënës të ambasadës, për të marrë ndonjë reklamë apo lëmoshë. Po mbi të gjitha shtypi shqiptar përfaqësohet nga biznesi grek dhe një gazetë nga një minoritar. Shumë probleme të emigrantëve nuk preken dhe trajtohen. Mungon sado pak vullneti i mirëfilltë për të luftuar anët negative dhe të nxjerrë ato pozitive.
Në përgjithësi qeveria i ka frikën gazetarëve, kur këta përcjellin të vërtetën. Janë të pakta ato vende në botë që nuk kërcënohet liria e shtypit, në një kohë kur është parakusht për një shoqëri të lirë. Indiferentizmi dhe heshtja e institucionit të Drejtësisë të lë të kuptosh se sa i politizuar është ky institucion. Jo pak herë gazetarët janë bërë objekt të dhunës në një kohë kur shkruanin për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Nga ana tjetër shteti nuk ka mbetur duarkryq, por ka ndërhyrë fuqishëm ndaj shtypit, në një kohë që raportet ndërkombëtare lidhur me këtë gjendje shqetësuese pasojnë njëra -tjetrën. Problemi i krijuar gjatë gjithë viteve të demokracisë ndikoi pamundësinë që Shqipëria të ketë një shtyp të lirë dhe të pavarur. Shteti shqiptar duke përfshirë të gjitha qeveritë kufizuan në maksimum tolerancën, duke futur në një kornizë hapësirën për të patur shtypin e lire dhe të pavarur. Fatkeqësisht po e njëjta gjë ndaj shtypit ndodh edhe jashtë kufijve të Shqipërisë në përfaqësitë tona. Konkretisht në Greqi ndaj gazetarëve shqiptar veprohet po e njëjta metodë si në Shqipëri.
Në krahasim me vendet fqinjë, shtypi shqiptar duket se mban njëanshmëri, nuk funksionon i pavarur për të mbajtur një distancë nga politika. Ai nuk është në opozitë, si dhe në shumë raste ka treguar se ka humbur raportin për të funksionuar sipas rregullave të tregut, për të qenë konkretisht një shtyp i marketizuar. Por edhe pse kemi më shumë gazeta se çdo vend tjetër mendoj se, numri i tyre kaq i madh fatkeqësisht në thelb është vetëm një pjesë e fasadës të regjimit mafio-shtet, vendosur dhe konsoliduar në vite. Shumë botues gazetash janë të politizuar dhe ngrenë në qiell politikën, ndërsa një pjesë tjetër e errësojnë atë. Edhe pse kemi shumë gazeta, ato nuk mund të jenë tregues të një demokracie të lirë, për aq kohë sa ato të flasin me të njëjtën gjuhë që imponohet nga qeveria aktuale.
Kjo ka bërë që kryeministri Berisha ashtu si më pare edhe Nano, të kontrollojë jo vetëm shtypin e shkruar, por tenton të kontrollojë tërësisht mbarë median, të diktojë fjalën e lire duke mos kursyer edhe ushtrimin e dhunës. Një fakt konkret në median e folur është TVSH, një kanal televiziv mbarëkombëtar, por i politizuar. Kushtet aktuale kanë ndikuar që një pjesë e gazetarëve të punojnë të angazhuar si punonjës të një redaksie, ku shkruajnë me ose pa honorarë, të pa siguruar në sigurime shoqërore etj.
Të pakët janë ata gazetarë që punojnë të lirë që kapërcejnë politikën editoriale të botuesit, ndaj pikëpamjeve të tij politike. Edhe në ato raste kur bën përpjekeje që të denoncojë korrupsionin e qeverisë, do të gjendet përballë dhunës së pushtetit, siç është rasti i fundit i gazetës Tema dhe botuesit të saj, Mero Baze. Sikur të mos mjaftojë kjo vendi ynë është i vetmi vend në botë, që shtypi i lirë nuk shkon në zonat rurale.
Në mars të viti 2008 me porosi të kryeministrit Sali Berisha gjobitet me 20 milionë lekë gazeta Sot. Po kjo gazetë ka qenë viktimë edhe e ish kryeministrit Fatos Nano. Viktimat në shtypin e shkruar pasojnë njëra tjetrën. Pushteti aktual me kryeministrin Berisha nuk e ka dashur asnjëherë shtypin e lire, kjo është pare edhe më pare ndaj gazetës Koha Jonë, e cila për shumë vite u përballua me represionet antiligjore të pushtetit Berisha. Dhuna e ushtruar ndaj gazetarëve Bardhok Lala, Zamir Dule, Përparim Halili, Besar Likmetaj, si dhe keqtrajtimi i zv/ kryeredaktorit të gazetës Albania, apo djegia e makinës së analistit Mero Baze, nuk janë një rastësi i momenteve të caktuara, por fatkeqësisht janë presione që qeveria ushtron ndaj shtypit të lire. Vallë është rastësi që raporti vjetor për lirinë e shtypit, publikuar më 29 prill 2008, e renditi Shqipërinë në vendin 105 ndër 195 vendeve të tjera?
Një shqetësim mbetet akoma që shtypi i lire po ndeshet me një dhunë të dukshme dhe disikriminuese nga qeveria aktuale. Politika shqiptare në përgjithësi e ka lënë në mes të katër rrugëve, duke mos e trajtuar njëlloj si pushtetet e tjera, pasi mentaliteti mesjetar nuk e konsideron si të tillë. Ky mentalitet që mbizotëron deri më sot e ka quajtur shtypin treg dhe jo mendim, opinion dhe qëndrim publik. Shqipëria duhet të shkëputet njëherë e përgjithmonë nga metodat e vendeve ish- bllokut komunist, për të përmirësuar imazhin e saj në arenën ndërkombëtare, pasi pretendon për në BE.