Tuesday, July 28, 2009

Emigracioni shqiptar, edhe viktimë e sigurimeve shoqërore?...


Gazeta Sot , 14 Maj 2009

(300.000 persona humbasin pensionin në Greqi)


Njohja e sigurimeve shoqërore është nga problemet më të mëdha që shqetësojnë emigrantët tanë. Zgjidhja e këtij problemi në rrugë juridike apo politike do të jetë një zgjidhje përfundimtare për pensionet të tyre të pleqërisë. Faktikisht ku edhe emigracioni është më i madh, me shtetin fqinjë helen janë zhvilluar edhe dy takime të nivelit ministror, si dhe tre takime në nivel specialistesh, ku e fundit ka qenë me Institucionin e Sigurimeve Shoqërore Shqiptare. Për mbrojtjen sociale të emigranteve shqiptare është organizuar në Tiranë Konferenca rajonale Ministrore, ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore. Por a mjafton kjo?...


Emigrantët e dy atdheve dhe pa asnjë atdhe janë të detyruar tashmë ti kthejnë sytë nga Shqipëria me shpresë për një zgjidhje të këtij problemi. Të pasiguruar sistematikisht jo për faj të tyre, por për faj të politikës së dy vendeve, të cilët prej shumë vitesh po i mbajnë peng këta emigrantë. Për faj të politikës grekë - shqiptare rreth 300.000 emigrantë po humbasin pensionet e tyre, teksa qeveria greke ka hedhur për konsum një dialog me masat e gjera punonjëse. Në një kohë kur arkat e sigurimeve shoqërore janë të boshatisura nga humbja e një miliardë euro, vendi ynë po bën sehir
Hipokrizia e politikës shqiptare, përrallat për sigurimet shoqërore të emigrantëve tanë kudo ndodhur është mbarimi i lirisë qytetare për të besuar pushtetin por edhe mbarë vetë shtetin. Ky pushtet me vullnetin politik gjithmonë ka luajtur çdo lloj bixhozi në kurriz të emigracionit shqiptar. Një fenomen aspak serioze për një shtet të porsa futur në NATO, e që pretendon të hap derën e BE...
Dimë që për çështjen e sigurimeve shoqërore autoritetin në dorë e ka vetëm Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Është ajo që bën koordinimin e të gjitha çështjeve, që kanë të bëjnë me evidentimin dhe menaxhimin e emigrantëve për motive punësimi në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionin përkatës të BE-së. E gjithë politika shqiptare kujtohet për emigrantët vetëm një here në katër vjet, vetëm për tu vjedhur votën, armën e fundit të emigrantëve

E themi këtë se nuk është aspak e ndershme dhe dinjitoze që Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha pak ditë më pare në një takim me përfaqësuesit e Unionit të Shoqatave të Shqiptarëve të Greqisë, ka deklaruar se: Çështja e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve është shumë një prioritet i qeverisë "Berisha". Kjo ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara mes kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Karamanlis gjatë vizitës së fundit të kryeministrit grek në Tiranë. Për këtë qëllim, palët ranë dakord për një marrëveshje të përbashkët mbi njohjen e ndërsjellë të sigurimeve shoqërore dhe të pensioneve. Por në fakt ministri Basha ka bërë edhe një here mashtrimin e radhës së qeverisë Berisha, pasi dihet që midis dy kryeministrave nuk u diskutua kjo çështje. Kur dihet që aktualisht me vendin tonë janë në fuqi marrëveshjet bilaterale të punësimit me Gjermaninë, Greqinë dhe Italinë.
Po më pas nuk ka mbetur edhe kreu socialist që në prag të zgjedhjeve parlamentare, ka prekur këtë problem me një grup përfaqësuesish emigrantësh nga Greqia duke u thënë se: Është e domosdoshme, që i gjithë mundi i tyre, për efekt pensioni, të njihet përmes marrëveshjes dypalëshe mes vendit tonë dhe Greqisë, mes vendit tonë dhe Italisë.
Ne do të bëjmë një politikë të re ndryshimi edhe në këtë aspekt dhe do të bëjmë marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore të të gjithë emigrantëve shqiptar, të cilët nuk do të humbin asnjë ditë pune lidhur me sigurimet shoqërore dhe pensionin.
Që nga viti 2000 me Greqinë kanë filluar kontaktet institucionale për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurimet shoqërore, por deri tani ato kanë mbetur vetëm në teori. Në atë kohë kreu socialist Nano ishte tepër entuziast për këtë çështje, pasi kishte marrë edhe premtimin e qeverisë greke të Kosta Simitit. Më 31 korrik të 2006 në Athinë, ish ministri i Punës Kosta Barka me homologun grek Cituridis, patën dhënë shprese për emigrantët, e cila vetëm shprese mbeti, pasi edhe premtimi mbeti premtim. Po e njëjta gjë ndodhi edhe me drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë në një takim që u mbajt në ambientet e ambasadës sonë në Athinë, të cilët në vend që të kërkonin njohjen e viteve të punës emigrantëve tanë, kërkonin nga emigrantët që këta të bënin sigurimin vullnetar pranë këtij institucioni shtetëror. Një praktik tepër e dënueshme, që i detyronin emigrantët që të siguroheshin edhe në sigurimet shoqërore shqiptare, në një kohë kur duhej ngritur zëri nga ky dikaster apo institucion shtetëror për njohje pensioni nga homologët grek. Po si gjithnjë u zgjodh rruga më e lehtë dhe më e pa ndershme në kurriz të emigrantëve
Vitet e emigracionit treguan se Legalizimi i Emigrantëve Shqiptarë është një proces i një anshëm, pasi probleme të tjera sociale u dalin përpara emigrantëve të pambrojtur. Padrejtësitë që u bëhen në shtetin fqinjë mesa duket nuk kanë të mbaruar. Askush nuk po shqetësohet se çfarë do të bëhet me emigrantët (brezit të pare) mbas 10-15 vjetësh, pasi asnjë shtet nuk po u njeh vitet e punuara në Greqi.


Emigrantët çdo vit premtime dëgjojnë dhe marrëveshje për pensione nuk po shikojnë.


Aktualisht kriza ekonomike, korrupsionet e ndryshme të qeverisë Karamanlisë ka bërë që nga viti në vit fondet për pensionet të pësojnë një ulje me ritme të shpejta. Jo pak here shteti helen është përpjekur për të gjetur rrugë shpëtimi me anë e reformave. Por deri më sot asnjë qeveri nuk e ka marrë përsipër këtë, pasi e shikojnë këtë çështje si një bombë me sahat që pritet të plasë nga çasti në çast. Qeveria Karamanlis po shikon se Sistemi i Sigurimeve Shoqërore nga viti në vit po shkon drejt një katastrofe reale. Analistët vendas të shqetësuar shprehin me keqardhje se defiçiti në arkat e këtij sistemi është i zymtë.

Rreth 3.5 miliardë euro i duhen këtij sistemi për normalizimin e gjendjes në arkat e sigurimeve shoqërore. Këtë shqetësim here pas here e ka trajtuar edhe media vendase për te sensibilizuar sado pak opinionin publik, duke nxjerrë në sipërfaqe realitetin, që ka të bëjë me të ardhmen për marrjen e pensioneve. Dihet që krahas popullit vendas në këtë vend punojnë edhe emigrantë, që përbëjnë 10-12 për qind të fuqisë punëtore të këtij vendi. Në një krizë ekonomike prej shumë vitesh gjenden arkat e sistemit të sigurimeve shoqërore, që brenda 18 muajve vlera në aksionet e tyre kanë rënë në 72 për qind. Theksohet se në fund të vitit 2007 vlerat e aksioneve nga të siguruarit ishin në 5.46 miliardë euro, ndërsa sot ka rënë në 1.53 miliardë euro...
Po të njëjtin fat ka pësuar edhe Sistemi i Sigurimeve Shoqërore ne Bujqësi ( OGA), ku punojnë rreth 90 mijë emigrantë. Në këtë sektor humbja e parave ka shkuar deri në 45 për qind, nga 245 milionë në 135 milionë euro. Humbje të mëdha të kontabilitetit kanë pësuar edhe aksionet shtetërore ( TSMEDE) që kanë rënë me 76 për qind.
Përgjegjësia kryesore bie mbi qeveritë që kanë qeverisur këtë vend në dy dekadat e fundit. Një debitor kryesor në arkat e të siguruarve është vetë shteti. Shumë ministri si dhe ato në shërbime publike përbëjnë thelbin kryesor të defiçitit. Nuk ishte e rastit që në shtëpinë e ish ministrit të Punës, Mangina, u gjenden duke punuar të pa siguruar emigrantë nga Azia. Ky skandal detyroi ministrin të japë dorëheqjen. Po mentaliteti ballkanas në mënyrën e qeverisjes nuk mund të ndreqet pse hiqet një ministër dhe zëvendësohet me një tjetër. Në të gjitha spitalet, ministritë, dikastere apo metro, të gjitha pastrueset nuk janë të siguruara në sigurimet shoqërore. Vetëadministrimi i keq kësaj pasurie të derdhur nga mundi dhe djersa e punonjësve vendas dhe e emigrantëve përbën një tjetër skandal për qeveritë e këtij vendi. Ky fenomen në aspektin social përbën korrupsion të veçantë në mohimin e mosnjohjes së viteve të punës të emigrantëve tanë. Dhe ky problem social sa vjen dhe po bëhet çështje dite, duke mos gjetur asnjë rrugë dalje...