(Votat e emigrantëve, një e drejtë kushtetuese në demokraci?...)
Nga politikanë të ndryshëm apo analistë shumë herë është folur rreth kësaj çështje, por siç dihet deri më sot asnjë përpjekje serioze nuk është bërë për të drejtën e votës së emigrantëve. Pushteti i sotëm ashtu si edhe i mëparshmi bëjnë sikur harrojnë se “Votimi” është një e drejtë, por edhe një detyrim i çdo qytetari të ndërgjegjësuar kudo ndodhur. Është detyrë e mbarë politikës shqiptare e qeverisë aktuale që t’u japë mundësi emigrantëve të kudo ndodhur për të votuar. Është demokracia që u jep këtë të drejtë, duke shfuqizuar çdo padrejtësi në mohimin e të drejtave politike. Pushteti nuk është shteti...
Shumë është folur në këtë drejtim se duhet apo jo që të votojnë emigrantët. Analistë dhe politikanë të ndryshëm kanë dhënë mendimin e tyre duke folur për emigrantët, por në mungesë dhe pa marrë mendimin e tyre. Mohimi i pjesëmarrjes së emigrantëve në të drejtat politike përball koncepteve të disave, bëjnë të mundur që votat e emigrantëve të mos kontribuojnë progresisht për vendin e tyre. Por faktikisht politika shqiptare në mënyra të ndryshme nuk u dha mundësinë emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në vendet ku jetojnë.
Diktatura politike shqiptare ua preu bashkëqytetareve tanë edhe në këto votime mundësinë që të shprehin vullnetin politik, të zgjedhin e të dëgjohet zëri i tyre. Emigrantët tanë me kohë duheshin që të gëzonin mundësinë për të marrë pjesë aktive në jetën politike të vendit, duke votuar sa herë në Shqipëri mbahen zgjedhje apo referendume. TË ZGJIDHEN DHE TË ZGJEDHIN. Pushteti i sotëm duhet të hedhë sytë përqark dhe të marrë eksperiencë nga vendet e përparuara në BE.
Të shpërndarë në 133 vende të botës, rreth 1.250.000 emigrantë shqiptarë për arsye të ndryshme emigruan vullnetarisht në vendet më të zhvilluara të një qytetërimi më të lart se vendi qe lanë. Por frika se numri i madh i emigrantëve dhe pesha vendimtare që do të kishin në rezultatin final në votime, si dhe interesi apo tundimi i partive politike, sidomos atyre në pushtet për të manipuluar me këto vota do ishte prezentë. Si emigrant prej 20 vjetësh besoj se emigrantët në përgjithësi janë të ndërgjegjësuar në këtë drejtim, sa të marrin pak nga koha e tyre dhe ta japin për atdheun.
Mendoj se është një mesazh që ata i bëjnë politikës shqiptare dhe në veçanti qeverisë aktuale. Asnjë parti politike nuk pati kurajon e mirëdashje që në zgjedhjet parlamentare 2009-2013, të përfshijë në listat e kandidatëve të paktën një emigrant. Kjo tregon se vendi ynë në demokracinë e sotme ndodhet përballë lirisë së kufizuar dhe diktaturës politike.
Ndarja dhe veçimi i shtetasve, mohimi i të drejtave politike të emigrantëve se këta të fundit nuk kanë të drejtë të përfaqësohen në parlamentin shqiptar, me justifikimin se janë emigrantë, tregon se politika shqiptare është kufizuar brenda një guaske. Por pushteti nuk është shteti. Shteti jemi të gjithë ne, pushteti është kalimtar.
Vazhdimi i kësaj politike tregon qartë se sot emigrantët janë të detyruar që të votojnë për të tjerët, por në asnjë mënyrë për veten e tyre. Por deri kur do të vazhdoj kjo liri e kufizuar përball kësaj diktature e ethshme pushtetare?...
Emigrimi jo gjithmonë është i përhershëm. Askush nuk mund të thotë me siguri se emigrantët e sotëm nuk do të kthehen në atdhe, ashtu si nuk është e sigurtë që politika shqiptare me politikën e sotme do të fitojë besimin e humbur te rinisë shqiptare në emigracion. Po të hedhim një sy në vendet e tjera si, Itali, Greqi, Danimarkë, Belgjikë, Austri, etj, shikojmë se emigrantëve tanë u është dhënë mundësia që të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare europiane, ndërsa vendi ynë as e ka menduar për një gjë të tillë.
Vendet e tjera me vullnetin politik që mundësojnë votën e emigrantëve kanë arritur standarde të larta për sa i përket ndershmërisë së procesit votues, në një kohë ku procesin e menaxhon shërbimi civil dhe zyrtarët e qeverisë.Jorgo Papandreu, kryetar i partisë më të madhe opozitare PASOK, në Greqi, ishte emigrant për shumë vite duke punuar si pastrues xhamash, bojaxhi etj. Po demokracia vendase nuk e ndaloi që të merrej me politike. Gjithashtu në emigracion ka qenë edhe ish kryeministri Kostas Simitis. Shqipëria duhet të dale nga mentalitetet e një vendi Ballkanik dhe të hedhë shikimin drejt Europës…
Mungesa në realizimin e zgjedhjeve të ndershme, mos pajisja me kartat e identitetit, ndikoi që për votimet e emigrantëve të mos bëhet fjalë, me justifikimin se është e parakohshme të debatohet në kushtet e konjukturës aktuale e jo më e drejta për të votuar. Me pretekstin se nuk jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të ndershme, shumë here është folur nga politika diktatoriale se emigrantët janë të përhershëm në vendet ku jetojnë dhe se nuk kanë të drejtë të votojnë në Shqipëri, për këtë gjë nuk mund të realizohej ndershmërisht votimi i tyre. Si maxhoranca ashtu edhe opozita nuk shfaqën konkretisht ndonjë dëshirë të madhe në këtë çështje, përkundrazi u kanë kërkuar me premtime boshe vetëm votën e tyre.
Qeveria greke u ka dhënë mundësi emigrantëve të saj që jetojnë në vendet e BE të votojnë në vendet e tyre . Tre parti në këtë vend kanë venë kandidat për zgjedhjet parlamentare tre emigrantë, ku ndërmjet tyre dy shtetas shqiptar dhe një nga Palestina. Konkretisht, Partia e Ekologëve të Gjelbër, surpriza e këtyre zgjedhjeve, ka përfshirë në listat edhe një emigrante nga Shqipëria, z. Eleonora Zoto, që jeton prej shumë vitesh në Selanik.