Tuesday, July 28, 2009

Duam varret tona!...


Gazeta Sot, 08 Maj 2009

(Myslimanët, varre dëgjojnë dhe varre nuk shikojnë)


Greqia bëri të pamundurën për ngritjen e një memoriali dhe varrezave në Shqipëri, për ushtarët e saj të vrarë. Por si një vend demokrat, duhej të bënte të njëjtën përpjekje për ngritjen e varrezave së komunitetit mysliman, të cilët nga viti në vit varreza dëgjojnë dhe varreza nuk shikojnë. Ndoshta një absurditet por një realitet për Greqinë e sotme europiane, që edhe të vdekur, myslimanët nuk mund të varrosen në qytetin ku jetojnë dhe banojnë.


Athina mbetet qyteti i vetëm në Bashkimin Europian që nuk ka xhami dhe një varrezë për komunitetin mysliman, të cilët për të varrosur të afërmit e tyre bëjnë qindra 600-700 kilometra larg Athinës për në veri të Greqisë. Në aspektin njerëzor, prej vitesh kjo çështje nuk po gjen një zgjidhje, edhe pse në Athinë jetojnë rreth 800 mijë myslimanë përfshi edhe të huaj. Në dhjetë vitet e fundit ky komunitet sa vjen dhe po rritet në numër, duke krijuar një shqetësim për politikën dhe shoqërinë vendase. Më shumë se vendasit këtë padrejtësi e vuajnë edhe emigrantët e ardhur nga vendet aziatike, afrikane, arabe që përbëjnë kryesisht këtë komunitet në këtë vend. Për kufizimin e lirive fetare ky vend jo pak herë nga organizmat ndërkombëtare është gjykuar dhe kritikuar për shkelje e të drejtave të njeriut, për liritë e kufizuara etj. Jo pak herë shteti helen u ka premtuar komunitetit mysliman ndërtimin e një varreze të vetme në Athinë, por siç duket vite të tjera myslimanët duhet ti luten zotit, që të afërmit e tyre të mos vdesin shpejt. Varrimi i tyre u ndalohet për tu varrosur pranë varreve të fesë ortodokse. Për këtë ata duhet që trupin e të vdekurit ta varrosin qindra kilometra larg Athinës për në Veri të Greqisë, në qytetin e Komotinis, ku siç dihet në këto vende përbëhet nga myslimanet me origjinë turke. Është një fatkeqësi e madhe të lindësh dhe të vdesësh mysliman. Je i barabartë me qytetarët me fe ortodokse, për të punuar dhe paguar detyrimet qe ke përball shtetit dhe shoqërisë me liri të kufizuara.
Kur vdes nuk ka të drejtë të varroset atje ku ka lindur, por të gjitha këta i varrosin në një varr të vetme. Athina i ka frikë myslimanët jo vetëm kur janë në jetë, por edhe të vdekur nuk i duan pranë. Mashtrimet e qeverisë vazhdojnë nga viti në vit... Qeveria Karamanlis u kishte premtuar më 2005 krijimin e një varreze, por më pas premtimi u kthye në një mashtrim të radhës. Greqia bëri çmos duke mos lënë gur pa lëvizur, për ngritjen e varrezave në Shqipëri për ushtarët e saj të rënë në luftë, por si një vend demokrat, duhej të bënte të njëjtën përpjekje krijimin e varrezave për komunitetin mysliman, që varreza dëgjojnë dhe varreza nuk shikojnë. Kur ky komunitet priste më së fundi zgjidhjen përfundimtare nga premtimet e shumta se, në periferi të Athinës do të jepej një vend për krijimin e varrezave, një tjetër pengesë u ka dale nga ministria Brendshme e Greqisë.

Ministria e Brendshme greke ka hedhur poshtë kërkesën për ngritjen e një varrezë për komunitetin mysliman që jeton në këtë vend. Zv/ministri Athanasio Nakos i ka kthyer me shkrim përgjigjen komunitetit mysliman që kishin kërkuar kohë më pare krijimin e një varrezë për këtë komunitet në Athinë. Në përgjigje thuhet se Ministria e Brendshme sipas planifikimit për krijimin e varrezave myslimane në zonën Ksisto pranë Athinës, është një vend i papërshtatshëm për këtë punë. Në parlamentin grek është debatuar nga deputetë të partive te majta që kanë kërkuar sqarime përkatëse lidhur me këtë problem, që me sa duket vetëm në Greqi nuk mund të gjejë zgjidhje. Edhe pse më pare ishte caktuar vendi prej 30 hektarësh nga Kisha Ortodokse e Greqisë, në dispozicion nga ana e saj për ngritjen e varrezave, më pas është ndaluar me justifikimet e radhës. Pak ditë më parë deputeti Perikili Koroveshi ka debatuar gjatë në parlamentin grek me zv/ministrin e brendshëm, Athanasio Nakos.

Lidhur me këtë padrejtësi kryetari i bashkimit të komunitetit mysliman N. Elgantouresimane në gazetën e përditshme TO VIMA është shprehur se: Që nga viti 2006 organet përkatëse na siguronin krijimi i varrezave myslimane, në një kohë që po afrohej nga dita në ditë, shohim se qeveria vendosi pengesa të tjera, ndërsa shteti nuk po bën asgjë për ne myslimanët. Kjo tregon se fjalët e qeverisë mbeten në ajër. Për këtë problem edhe një premtim tjetër ka ardhur javën e kaluar nga politika vendase gjatë takimit të zv/ministrit të Jashtëm Thodoros Kasim me Arkipeskpin Jeronimo, që kanë shprehur njëzëri ngritjen e varrezave. Theksohet se komuniteti mysliman është mësuar me premtime të një pas njëshme, duke e kthyer këtë problem në një legjendë të veçantë historike. Athina jo vetëm që nuk ka varre për këtë komunitet, po nuk ka zyrtarisht edhe një xhami. E njëjta gjë ndodh edhe në qytetin e Selanikut, ku drejtuesit po japin shembullin më të keq në zhvillimin e mentalitetit në rritjen e ksenofobisë dhe racizmit. Një shembull që nuk i shkon për shtat Greqisë së sotme të 2009. E frikësuar nga terrorizmi islamik i shtatorit 2001 në SHBA, ky vend ka marrë masa të rrepta, duke e parë këtë komunitet si një rrezik kombëtar.

Kjo dukuri u bë realitet pak kohë më parë, ku 20 pakistanezë u rrëmbyen dhe u mbajtën me ditë të tëra nga shërbimi sekret... Është i vetmi vend në Bashkimin Europian, që deri më sot nuk po zbaton nenin nr.13 të Kushtetutës dhe nenin 9 të Marrëveshjes Europiane, për të drejtat e njeriut, në lirinë e besimit fetar. Për këtë myslimanët në Athinë për shumë vite me radhë po ndjenë një padrejtësi në lirinë e kultit fetar. Bodrumet e kthyera në kulte fetare kanë ndikuar që pronarët e tyre të gjobiten nga Prefektura e Athinës, me arsyen se ato u kthyen në xhami.

Premtimet më 2008 nga qeveria e Karamanliut se, komuniteti mysliman në vitin 2009 do të kishte më së fundi një copë tokë për të varrosur myslimanët në Ksisto dhe në Eleona, edhe pse të gjitha shpenzimet do të bëheshin nga vet vendet myslimane, mbeti vetëm premtim. Për këtë çështje komuniteti mysliman në Athinë ka kërkuar edhe ndihmën e Arkipeskopit të Greqisë z. Jeronimo, për të biseduar nga afër si për ngritjen e një xhamie ashtu edhe për ngritjen e një varreze. Në 2005 Kisha Ortodokse i kishte premtuar rreth 30 hektarë për ngritjen e varreve, ku tre vite më vonë kreu i saj kishte biseduar edhe me diplomacinë e jashtme të vendit. Kanë kaluar 33 vjet kur për të parën herë ( 1976) u kërkua ngritja e një xhamie në Athinë nga Arabia. Më 1983 shteti grek vendosi në letër të ndërtojë xhaminë në Marusi, disa kilometra larg nga Athina, ku nuk ndërtua pas reagimeve të vendasve.
Më 2000, ligji nr.2833 lejonte ngritjen e Qendrës Kulturore Islamike dhe xhami në Peania të Athinës me shpenzimet e Arabisë Saudite, por kur pritej të ngrihej ajo që ishte vendosur, u ngrit një kishë ortodokse. Në Tetor të 2006 ministria e Arsimit ka paraqitur një projekt ligj për ngritjen e xhamisë në Eleona, po edhe sot nuk është venë gjë në lëvizje, pasi aty ndodhet baza detare, dhe për të lëvizur në një vend tjetër shpenzimet shkojnë në 5.000.000 euro.

Për këtë shumë komuniteti mysliman në Athinë ka shprehur dëshirën që ta shlyej, por gjë që nuk është pranuar, sepse është detyrë e ministrisë së Mbrojtjes. Komunitetit i Bashkuar Mysliman në Greqi midis përpjekjeve të shumta i ka dërguar peticion ( 27 janar 2009) ministrisë së Arsimit për ngritjen e varreve. Odisea e varreve vazhdon...
- Në Angli ndodhet varri më i madh në Europë për myslimanët si dhe xhamia të shumta -Në Suedi ndodhen sot mbi 10 varreza për myslimanët, si dhe 5 xhami dhe 150 vende shërbimi të kultit mysliman

-Në Francë ka gjithashtu varreza të tilla si dhe 12 xhamia dhe 2.000 vende shërbimi kulti fetar.
- Në Oslo të Norvegjisë xhamia është ndërtuar më 1980, ndërsa në Poloni më 1989
- Në Rusi ( Moskë) xhamia është ngritur më 1980, ndërsa në Skoci (glaskovi) më 1913
- Në Portugali ( Lisbonë) më 1998, në Malta më 1978, ndërsa Irlandë (Dublin) më 1978