Bashkim Zeneli, do të kthehem aktiv në politikë...
Presidenti grek Papulias me ambasadorin Bashkim ZeneliGazeta “Ballkan”
16 dhjetor 2005
16 dhjetor 2005
intervista ekskluzive me ambasadorin Bashkim Zeneli para largimit nga Greqia
Ka zhvilluar takimin e fundit pasi është pritur nga kupola e politikës greke, ku është vlerësuar shumë. Natyrisht për punën e zhvilluar në përmisimin e miqësisë midis shqiptarëve dhe grekëve, midis dy shteteve tona. Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Bashkim Zeneli, pak kohë para largimit të tij në një intervistë për “Ballkanin” rrëfen bisedën e zhvilluar një ditë më parë me Presidentin e Greqisë, Karolos Papulias, si dhe takimet me kreret e shtetit helenë dhe homologet e tij ambasadorë. Bashkim Zeneli, para se të emërohej diplomat në Greqi, ka qenë ambasador në Gjermani dhe është i pari zyrtar shqiptar që është zhvendosur në Berlin, kryeqytetin e Gjermanisë së Bashkuar. Por para se t’i hynte karrieres diplomatike, Bashkim Zeneli ka qenë një nga politikanët më të njohur në vend dhe një nga drejtuesit e Partisë Socialiste. Për disa vjet sekretar i marrëdhënieve ndërkombëtare me PS-në.
Zeneli “çau izolimin” perëndimor që të majtët trashëgonin nga e kaluara e Partisë së Punës. Bashkim Zeneli ka qenë deputet i PS-së gjatë legjislaturës 1992-1996, ndërkohë që në zhvillimet e brendëshme në të majtën ai ka qenë pjesë e grupit që herët kërkonin heqjen e trashëgimisë marksiste nga programi socialist.
Edhe pse përdor diplomacinë në përgjigjen e tij, ambasadori Bashkim Zeneli e shpreh të qartë se me çfarë do të merret në të ardhmen e afërt. “Do të jem pjesë aktive e politikës shqiptare”, shprehet në intervistën ekskluzive për gayetën “Ballkan”. Pa dyshim që kuptohet qartë destinacioni politik i diplomatit Bashkim Zeneli. Të kthehet të jetë një nga protagonistët e politikës së të majtëve shqiptare në radhët e PS, ku ai është një themeluesit dhe ka qenë për disa vite , një nga drejtuesit kryesor të saj...
Ambasadori Zeneli flet edhe për punën e tij si diplomat...
A mund të komentoni largimin tuaj para kohe nga detyra e ambasadorit shqiptar në Greqi dhe a ju ka mbetur diçka pa realizuar gjatë këtyre tre vjetëve që ju drejtuat përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë në Athinë?
Natyrisht, një ambasadë ka një ditë që vjen dhe një ditë që mbaron misionin e tij. Se sa është kjo hapsirë kohore nuk ka shumë rendesi. Rëndësi ka si largohesh , si e ke kryer detyrën. Dhe unë them se këtë e kam kryer me shumë përkushtim , me një ndjenjë përgjegjësie, por edhe me një vizion të qartë europianist për domosdoshmërinë e forcimit gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Dhe këtë e gjykojnë më mirë të tjerët. A ka mbetur gjë pa u realizuar? Natyrisht e mira nuk ka fund, shumë gjera janë bërë, shumë mund të bëheshin më mirë, shumë të tjera nuk varen vetëm nga ambasadori.
Ju jeni pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Greke, z. Papulias. A mund të na thoni diçka?
Unë pata edhe nderin të pritem në një takim të veçantë nga Presidenti Papulias, por edhe kënaqësinë që ky takim ishte shumë i gjatë, por edhe shumë miqësor. Biseduam për mjaft probleme të marrëdhënieve dypalëshe, për emigrantët shqiptarë që jetojnë këtu, për minoritetin grek, për të ardhmen europiane të Shqipërisë, për zhvillimet në Rajon etj. Emëruesi i përbashkët i kësaj bisede ishte: marrëdhëniet ndërrmjet dy vendeve janë strategjike dhe për forcimin e tyre duhet punuar edhe në të ardhmen më shumë vullnet.
Dhe si e vlerësoi kontributin tuaj si ambasador gjatë këtyre tre vjetëve?
Zoti Papulia vlerësoi se marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë janë në nivelin e tyre më të mirë që kanë njohur ndonjëherë dhe se janë një shembull për marrëdhëniet në Rajon. Dhe këtu Presidenti theksoi, po e them fjalë për fjalë: “Ne ju vlerësojmë pa masë për kontributin e çmuar që keni dhënë për ngritjen në këtë nivel të marrëdhënieve. Ju keni qenë një ambasador i shkëlqyer, një politikan i guximshëm, por ajo që ka shumë rëndësi i keni dhënë marrëdhënieve një dimension njerëzor”. Kjo ishte në esencë përgjigja e saj që më pyetët.
Nga bashkëpuntorët tuaj në ambasadë kemi mësuar se në një nga pritjet që kolegët tuaj ambasadorë kanë dhënë me rastin e largimit, ju kanë cilësuar si “model i diplomatit, si shembull për të gjithë ne kolegët në Athinë, ne kemi mësuar shumë nga ju”. A është e vertetë?
Kam pasur vërtet shumë takime, dreka apo darka lamtumire që kanë dhënë kolegët e mi të vendeve të ndryshme. Unë i falenderojë dhe u jam shumë mirënjohës.
Nuk ju përgjigjët pyetjes sime?
Është e vërtetë ajjo që iu kanë thënë diplomatët e ambasadës që më shoqëronin në atë drekë. Këtë e shprehu një ambasador i një vendi shumë të rëndësishëm , në një drekë ku ishin ambasadori i SHBA, Rusisë, Austrisë, FYROM, Irlandës e disa kolegë të tjerë. Natyrisht këto deklarime kanë edhe kortezinë e të tilla rasteve. Unë i marr me “firot legale”. Atë që thonë “se kemi mësuar” e kishin fjalën për shkëmbimin e vazhdueshëm të mendimeve për zhvillimet në Rajon, për perspektivën e Rajonit, e veçanërisht për perspektivën e Kosovës.
Hapi i parë që pasoi ardhjen tuaj në Athinë ishte blerja e godinës së re të ambasadës. Ndërkohë u bënë ndryshime pozitive edhe në sektorin konsullor. Si u arrit kjo?
Për këtë është folur dhe shumë, janë bërë edhe disa dokumentarë nga kanale të ndryshme televizive. Godina ka rëndësinë e vet, por ajo që është më e rëndësishmja është si punohet me atë godinë. E rëndësishme shumë është që unë kam pasur bashkëpunëtorë diplomatë shumë të mirë, të aftë, seriozë të përgjegjshëm, të kulturuar. Të gjithëve iu u vë notën 10-të.
Të gjithë i falenderoj për mirëkuptimin dhe për mbështetjen që më kanë dhënë. Dhe të gjithëve u kërkojë ndjesë që nuk kanë bërë më shumë se një javë pushime. Të mos mendojë me xhelozi kurkush se kanë bërë qejf në plaxhet dhe ishujt apo buzuqet e Greqisë.
Sektori i Konsullor! Këtu mund të them se nga pikpamja konceptuale është bërë një përmbysje e plotë. Unë vija nga Gjermania me një shërbim konsullor që nuk i kalonte dhjetë vetë në ditë. Këtu ishte krejt ndryshe. Punojnë dhe jetojnë 700 mijë shqiptarë. Të gjithë kanë nevojë për t’iu shërbyer. Dhe të gjithëve jemi detyruar t’iu sherbejmë. Kur erdha këtu, u tmerova që bashkëatdhetarët e mi flinin jashtë edhe për 2 net për të zenë radhën për të hyrë në ambasadë për një vulë. Vinin nga larg, nga ishujt. Punonte vetëm një sportel, me dy konsuj. Tani kemi shërbim konsullor vertet model. U shërbehet 500-600 vetëve në ditë, pra secili mbaron punë në më pak se 1 minutë.
U hoqën listat, u hoqën rradhët. U vendos një central telefonik me përgjigjet e regjistruara për të gjithë shërbimin konsullor e ku mund të marrin njëherësh 30 vetë. Kjo e ka lehtësuar shumë punën e atij që vjen për një proçedurë të caktuar. Në vitin 2002 u është shërbyer 60.000 vetëve, ndërsa këtë vit, deri në fund të nëndorit, u është shërbyer 150 mijë vetëve.
Këtë vit janë prodhuar 3 herë më shumë pasaporta se në vitin 2003. ndërkohë, megjithëse janë ulur disa tarifa konsullore, të ardhurat në krahasim me vitin 2002 janë rritur 3 herë. Kjo është njera anë! Por ajo që është më e rëndësishmja është se sektori konsullor “doli” jashtë zyrave. Dhe kjo është parësore për një shërbim konsullor.
Diplomatët , dhe veçanërisht konsujt, e shpërngulën punën e tyre aty ku vertet janë problemet e bashkëatdhetarëve: në pikat kufitare, në pjesmarrjen në gjyqe, në komunikimet me policinë, bashkitë, prefekturat, burgjet etj. Gjatë këtij viti trupi diplomatik ka vizituar të gjitha burgjet e Greqisë dhe ka marrë kontakte me shtetasit tanë që vuajnë denimet. Por nga këto kontakte kanë dalë edhe problemet, që më pas jua kemi ngritur edhe autoriteteve tona edhe autoriteteve greke.
Çfarë roli ka luajtur prania e 650 mijë emigrantëve shqiptarë në ecurinë e marrëdhënieve midis dy vendeve , por edhe në vetë punën e ambasadës që ju drejtoni?
Prania e 650 mijë emigrantëve këtu është një element shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve, ashtu siç është e rëndësishme në këto marrëdhënie prania e minoritetit grek në Shqipëri! Pa harruar kontributin e veçantë të emigrantëve në ekonominë greke, ata kotribuojnë edhe për një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre këtu, por edhe për Shqipërinë.
Tani imazhi për shqiptarët që jetojnë në Greqi, ka ndryshuar plotësisht, dhe kjo në radhë të parë u dedikohet vetë atyre që punojnë dhe jetojnë me ndershmëri, por edhe hapsira ligjore që u ka krijuar shteti grek për emigrantët. Të mos harojmë një gjë thelbësore: politika është interes. Ne kemi dhe duhet të kemi marrëdhënie të mira me çdo vend, por pastaj kur ndalemi një për një, Greqia përbën vertet prioritet në politikën tonë të jashtëme, ashtu si edhe Italia, ku prania e shqiptarëve është më e madhe.
Në vazhdim të pyetjes suaj, është pikërisht është kjo prani shumë e madhe e shqiptarëve këtu që dimesionon ndryshe edhe punën e përfaqësisë sonë. Unë p.sh. në Gjermani nuk kam kërkuar kurrë shtesa personeli për sektorin konsullor, dipllomatik apo teknik. Këtu po. Nuk u dilet zot shtetasve të tu as me frymë të shejntë e aq më pak me deklarata demagogjike. Çdo problem kërkon zgjidhje teknike, ligjore, administrative. Pa qenë i vetkënaqur, kësaj them se ia kemi arritur.
Si i komentoni vlerësimet që ju bënë këto ditë autoritetet greke, si ministri i Rendit Jorgo Vulgarakis dhe kryetarja Dora Bakojani, që ju shpall qytetar nderi të Athinës?
Unë i falenderoj sinqerisht për nderin që më bënë dhe ju jam mirënjohës për vlerësimet. Ministri i Rendit Vulgarakis u shpreh se, “ishte fat për Shqipërinë që kishte ambasador një personalitet të tillë, për fat edhe për Greqinë ku ju punuat për forcimin e marrëdhënieve”. Unë kam bërë detyrën time, për të përfaqësuar me dinjitet vendin tim. Ministrin apo edhe autoritete të tjera shumë të larta greke i falenderojë për mirënjohjen.
Me çfarë përshtypjesh largoheni nga Greqia?
Me përshtypjet më të mira, absolutisht më të mira. Me Greqinë duhet vazhdimisht të punojmë që të jemi miq të mirë. Të ndërtosh marrëdhënie shumë të mira është shumë vështirë, se nuk bëhen me një fjalë goje: do punë, do vizione europianist, do mirkuptim të përditshëm, do guxim për të kapërcyer edhe ngjarrje të veçanta, duhet të shohësh përpara. Në qoftë se themi p.sh ne media se Greqia kthen mbrapsht 50 mijë apo 100 mijë emigrantë të paligjshëm dhe këtë e stërmadhojmë, nuk mund të quhemi seriozë në politikë, sepse lufta kundër trafikut ilegal është sa e përbashkët, aq edhe parimore.
Dhe në anën tjetër të mos harrojmë të vlerësojmë publikisht angazhimin e ministrit Vulgarakis, që për rastte festash, pushimesh verore, Vitin e Ri, et, ka nxjerrë urdhërat që edhe ata shqiptarë që nuk kanë rinovuar lejet e qendrimit të kalojnë kufirin lirshëm. Kjo do çmuar, ashtu siç duhet të reagojmë edhe ndaj kalimeve të paligjshme të kufirit.
Po ju them një shifër: nga 45 mijë kalime të paligjshme të kufirit në Greqi për këtë vit, 40 mijë janë shqiptarë dhe asnjë nuk është burgosur, por janë kthyer. Pavarësisht nga halli që kanë, duhet t’i qajmë hallin kësaj kategorie.
Ne gazetarët që jetojmë këtu, kemi parë se keni qenë ndër ambasadorët më publikë, me intervista, deklarata, bashkëbisedime me mediat greke. Ka të bëjë edhe me pasionin e vjetër të gazetarisë?
Diplomacia publike është pjesë e rëndësishme e natyrshme e punës së një ambasadori. Kush “trembet” të flasë, t’i përgjigjet një pyetje, nuk ka pse rri ambasador.
Bashkëshortja juaj, zonja Zeneli ka fituar edhe ajo shumë simpati në radhët e emigrantëve shqiptarë veçanërisht të grave, duke qenë aktive dhe organizatore e mjaft veprimtarive. Ju si e keni gjykuar këtë kontribut?
Ëngjëllushja vertetet ka qenë shumë aktive edhe në Gjermani, por sidomos këtu në Greqi. Ka zhvilluar mjaft veprimtari sidomos me gratë intelektuale në Athinë, apo qytete të tjera. Kanë festuar së bashku 7 dhe 8 marsin, ka zhvilluar veprimtari për fëmijët etj. Unë e kam patur dhe e kam emëruar si një bashkëpunëtore shumë të afërt dhe padyshim si një këshilltare shumë të mirë.
Ju ishit një figurë e njohur e Partisë Socialiste kur socialistët morën pushtetin më 1997 dhe pas disa muajsh u emëruat ambasadorë në Gjermani. A patët hezitime që të futeshit në sektorin e diplomacisë?
Unë me politikën e jashtme jam marrë vazhdimisht, pothuajse gjatë gjithë jetes viteve të mia të punës, kështu që edhe kalimi në diplomaci ishte i natyrshëm.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, do të mbeteni në sektorin e diplomacisë? A ju është bërë ndonjë ofertë?
Të shikoj, asgjë nuk kam vendosur prej këtu. Kur të kthehem do të gjykoj. Gjithsesi, në politikë do të jem shumë i pranishëm e shumë aktiv. Kam investuar që në fillimet e demokracisë si në jetën politike, ashtu edhe atë parlamentare.
Zoti ambasador, ju falenderoj për këtë intervistë dhe ju uroj suksese dhe mbarësi kudo që të ndodheni...
Ju falenderoj juve dhe ju përshëndes publikisht për angazhimin tuaj shumë dinjitoz si gazetar në Greqi, por edhe si veprimtar shumë aktiv.