Saturday, November 14, 2009

Mos vallë ka ardhur koha që të kemi edhe ne një politikë për emigracionin?


Ngritja e ministrisë së Emigracionit një sfidë për shtetin shqiptar

Publikuar ne gazeten "Tirana Observer"

13 /11/2009


Një përgjigje për këtë politikë pritet të japë vetë shteti shqiptar që ka një numër të madh popullsie të imigruar dhe të harruar për gati 20vjet. Një shtet që ende nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij, që nuk është në gjendje akoma të hartojë një hartë demografike, për emigrantët që përbëjnë 30% të popullsisë shqiptare. Midis problemeve të tjerave shteti shqiptar në këtë drejtim po jep shembullin më të keq, përsa i përket emigracionit shqiptar kudo ndodhur, që kohët e fundit është bërë problemi më kryesor në axhendën e BE. Pak ditë më parë në Athinë u mbajt edhe Forumi i Tretë Botëror i Emigracionit, si një problemet më imediate të kohës, për një menaxhim sa me të mirë të tij.
Por, edhe pse kanë kaluar afërsisht dy dekada emigrimi, prezenca e shtetit në menaxhimin e këtij fenomeni ka qenë pothuajse zero, në një kohë kur kjo çështje kërkon mbi të gjitha një unitet dhe solidaritet politik, si dhe një administrim mbarë e kombëtar në lidhje me vendet ku kanë emigruar shqiptarët. Për këtë nga shteti shqiptar kërkohet një politikë konkrete, duke lënë mënjanë premtimet e radhës.
Ngritja e ministrive bëhet mbi bazat e nevojshmërisë të vendit dhe asnjëherë për interesa portofoli ministror. Vendi ynë ka 14 ministri plus edhe një tjetër ( POLLO), ndërsa vendi fqinjë helen ka 12-të. Aleanca e LSI-së me PD nxorrën jashtë loje që në ditët e para ministrinë e Integrimit, pasi ministri i jashtëm i ka marrë kompetencat kësaj ministrie, në një kohë kur më shumë se asnjëhere tjetër kjo ministri të përfshinte edhe emigracionin, duke shërbyer edhe si një ministrin e tillë.

Shpetim Zinxhirija
shpetimballkan@yahoo.gr

Ka vite që është hedhur ideja për ngritjen e një ministrie për emigracionin dhe mbarë diasporën, po dhe kaq vite po heshtet. Asnjë politikan nuk ka marrë mundimin të diskutojë për këtë problem në altarin më të lartë të shtetit, në parlamentin shqiptar.
Jo pak herë ish presidenti Alfred Moisiu kish kërkuar krijimin e kësaj ministrie për diasporën, po kërkesa e tij deri më sot, kanë mbetur në sirtarët e indiferentizmit dhe burokracisë së shtetit të sotëm. Dihet që emigracioni shqiptar në aspektin politik i është qëndruar larg, jo për të bërë mrekullira dhe të pamundurën, por për të bërë më elementaren. Gjatë gjithë këtyre viteve shteti dhe mbar; politika pak janë shqetësuar, edhe pse ne si vend imigrimi nuk kemi qenë as te parët dhe as të fundit. Po ndryshimi i vendit tonë është se 25 %-30% e popullsisë mbas viteve 1990 u zhvendos në shumë vende të botës, kundrejt një indifertentizmi madhor shtetëror.
Fenomeni i i imigrimit masiv i popullit shqiptar përtej kufijve ballkanik e ka renditur vendin tonë në vend të parë, i cili edhe sot në mënyra nga më të ndryshme bën përpjekje ligjore për të ndalur sado pak atë. Po vallë a mund të ndalet emigracioni klandestin vetëm me masat ligjore?...


Emigracioni një sfidë për proçesin e integrimit europian


Shqipëria po përballet me sfidën më të madhe në rrugën e procesit të integrimit europian, ku përveç problemeve të tjera të brendshme, një problem të madh ka edhe emigracionin, ku për këtë duhet të përmbushë të gjitha detyrimet morale-politike. Me sa duket, çelësi i zgjidhjes për diasporën njëlloj si dhe në vendet të tjera të është ristrukturimi, pra ngritja e një institucioni shtetëror. Është një proces që mbart kosto politike dhe ekonomike, që kërkon mbi të gjitha shumë punë dhe vullnet të përbashkët në vijën politike.
Për të qenë sa më efekt duhet të bëhet e mundur që qeveria të hartojë dhe t’u përgjigjet strategjive të qarta për diasporën, për problemet që dalin për nje zgjidhje efikas dhe të efektshëm. Si një bord drejtues, kjo ministri do të luaj një rol të rëndësishëm për përcaktimin e drejtimin strategjik, vijën politike të qeverisë e të shtetit shqiptar në diasporë, që deri më sot ka munguar.
Studimet e dala nga ky institucion shtetëror në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit do të ndikonin faktikisht në organizimin e copëtuar të emigracionit. Për të patur këtë kërkon vullnet politik nga ana e qeverisë. Por nuk është çudi që në ngritjen e këtij institucioni do të ketë edhe rezistencë të kundërt, edhe pse emigracioni po ndeshet me të drejtat morale, të punësimit, të respektimit dhe konsolidimit të drejtave të tyre, nga mospërfillja nga organet shtetërore të vendeve pritëse në mungesën e respektit dhe dinjitetit.
Në momentet e sotme shteti shqiptar nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij, nuk di saktësisht se a i mbrohen të drejtat më elementare të tyre, por është mjaftuar vetëm me ndonjë relacion të dërguar nga ndonjë ambasadë e tij. Këto realicione në të shumtët e rasteve kanë treguar se kanë qenë të kundërta me realitetin, pasi në krye të stafit drejtues ambasadori ishte emëruar si diplomat politik dhe një përçues i vijës partiake.
Koha ka treguar se premtimet dhe angazhimet e herë pas hershme të partive të ndryshme politike, në fushata elektorale përball halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm premtime dhe asgjë tjetër.
Në një takim të fundit me përfaqësues të emigracionit shqiptar nga Greqia, kryeministri shqiptar në Tiranë (6/05/2009) është shprehur se: “Qeveria është e angazhuar plotësisht të pajisë gjithë shtetasit e vet, kudo që ndodhen, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke i dhënë një shans lëvizjes tuaj të lirë në hapësirën shqiptare dhe evropiane. Me mund, përkushtim dhe me djersë ju arritët të jeni tashme një faktor dinjitoz në zhvillimin e shtetit fqinj dhe një element i rëndësishëm në miqësinë midis dy popujve. Qeveria shqiptare, ka përgatitur të gjitha lehtësitë e mundshme fiskale e ligjore për lehtësimin, inkurajimin dhe transferimin e bizneseve dhe investimeve tuaja në vendlindjet dhe trojet tuaja në Shqipëri. Ne jemi vend mikpritës për të gjitha investimet e huaja, por më të gëzuar jemi, natyrisht, për iniciativat e bashkatdhetarëve tanë.”
Si në vitet e shkuara por edhe sot, shteti shqiptar nuk po tregon një interes të veçantë për legalizimet e tyre, për pensionet në vendet ku punojnë, për shërbimin mjekësor, arsimin dhe kulturën. Marrëdhëniet e politikës shqiptare me emigracionin i janë lënë momentit dhe rastit, pasi ambasadat shqiptare kudo ndodhura e me personel përkatës, jo vetëm që nuk kanë kohë, dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë për të bashkëpunuar, por fatkeqësisht janë kthyer thjesht në punonjës të rëndomtë në ciklime dhe vulosje dokumentesh etj.

Menaxhimi i emigracionit shqiptar në duar e dy punonjësve specialistë…


Drejtoria e Emigracionit pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, e ngritur apostafat me një personel të pakët prej dy specialistësh nuk mund të përballojnë dot problemet e mëdha të emigracionit shqiptar të shpërndarë në 60 vendet e botës. Koha po tregon se vendi ynë i ka kthyer kurrizin jo vetëm emigracionit të brezit të parë, por edhe fëmijëve të tyre. Lind pyetja. Kush organ dhe dikaster merret me emigracionin shqiptar? Kush organ dhe dikaster ka verifikuar realizimin ose jo të objektivave të Strategjisë Kombëtare të Imigracionit Shqiptar hartuar në vitin 2006.

Strategjia Kombëtare për Imigrimin vetëm një strategji në letra

Një strategji që jo vetëm bëri bujë, por edhe shpenzimet nuk ishin të pakta, pasi hartimi u bë jo vetëm pa studiuar emigracionin aktual, por u hartua nga të huajt ( Italia), duke mos i përshtatur aspak vendit tonë. Sot për këtë strategji shqiptare me “gjeneral të huaj” po heshtet dhe askush nuk merr përgjegjësinë, të thotë se sa janë realizuar objektivat…Ngritja e për shumë folur e një ministrie emigracioni do të ndryshonte klimën ekzistuese të emigracionit shqiptar, pasi shumë studime, si dhe lidhja me Diasporën do të ishte një nevojshmëri për kushtet aktuale të vendit tonë. Diaspora në shumë raste ka zbuluar të metat që ekzistojnë në marrëdhëniet shtet-emigracion. Si një vend i madh imigrimi dhe vend pritës për emigrantët e tjerë del si domosdoshmëri ngritja e kësaj ministrie me një njerëz specialiste të kësaj fushe.
Në Greqi problemet e emigracionit i mbulon Ministria e Brendshme, por pranë ka Institutin e Politikave për Emigracionin, që harton ligjet e emigracionit dhe bën studime të shumta. Hartimet e ligjeve të emigracionit si dhe studimet shkencore për emigracionin mbajnë vulën e këtij institucioni shtetëror.Italia edhe pse problemin e imigrimit e ka zgjedhur para 60 - 70 vjetësh, edhe pse ekonomia e vendit nuk bazohet nga emigrantët e saj, ka sot ministri emigracioni.
Shteti shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh. Futja në NATO, si dhe më pas në BE, nevojat e vendit bën të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni shtetëror. Shumë emigrantë, intelektualë, shkencëtarë në emigrim u kanë rënë kambanave të para për të dhënë alarmin jo vetëm për komunitetin , por edhe për vetë shtetin shqiptar se dikush duhet të merret me problemet e tyre.
Arsimi, kultura, sigurimet shoqërore dhe biznesi shqiptar janë lënë në mëshirën e fatit, thua se këta nuk i përkasin Shqipërisë shqiptare. Po në qoftë se do të kishte patur një institucion shtetëror ( ministri) të organizuar apostafat për bashkëpunim nëpërmjet shtetit dhe emigracionit, problemet do të ishin krejt ndryshe. Po pse hezitohet akoma?...
Diaspora ka nevojë për të, jo për bukë dhe ujë. Administrimi sa më i drejtë i emigracionit kërkon padyshim edhe kushtet normale. Në të gjitha fushat Diaspora është një potencial i madh jo vetëm ekonomik dhe politik, por edhe në aspektin social dhe kulturor.
Aktivitet e bëra deri më sot në Diasporë mbajnë vulën e vetë emigrantëve. Seminaret e ndryshme, festivalet e filmave shqiptarë, festivalet e fjalës artistike, hapja e ekspozitave, panairet e librave si dhe i biznesit janë bërë kryesisht me forcat e tyre.
Politikanë mund të justifikohen se shteti ynë nuk ka fuqinë financiare njëlloj si shtet e tjera, por të kujtojmë se sa para futen në vit nga emigrantë, sa para u merren atyre për ciklimet e dokumenteve pranë ambasadave tona, (ku shteti vulos po shtetin). Mund të themi se po të kishte një vullnet të mirëfilltë, kjo ministri do të ishte ngritur prej kohësh në Shqipëri.

Integrimi i vendit tone në BE bën të domosdoshme ngritjen e ministrisë së emigracionit


Ndryshimi klimaterik do të ndikojë në një zhvendosje të madhe tektonike të popullsive të vendeve të ndryshme. Futja e Shqipërisë në BE, e bën më shumë se kurrë të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni, pasi lëvizja e emigrantëve nga një vend në tjetrin do të jetë i lirë. Shqipëria e sotme matet me Europën e dikurshme që emigronte për në kontinentet e tjera, ndërsa sot Europa është bërë vend pritës i emigrantëve që përbëjnë rreth 10-12 % të popullsisë. Po e njëjta gjë do të ndodh edhe në Ballkan.
Besoj se nuk do të jetë e largët ajo ditë kur vendi do të ndeshet përball emigracionit klandestin nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Për këtë duhet që shteti shqiptar të përgatitet jo vetëm për të sotmen, për emigrantët e tij kudo ndodhur, por për të hartuar një strategji kombëtare për emigrantët që do të vijnë.Shqipëria nuk ka më se çfarë humbasë, kur ka në diasporë ndodhen rreth 25%-30% së popullsisë, në një kohë kur duhet të mendojë për të mirën e kombit, se emigracioni nuk është një problem partiak por mbarë kombëtar. Në të kundërt kur dëshira, vullneti, shqetësimi dhe angazhimi janë në një shkallë të lartë, kjo pengesë komplekse inferioriteti bëhet më e lehtë dhe shumë shpejt e kapërcyeshme.
Mendoj se ka ardhur koha për ngritjen e këtij institucioni për të mirën e kombit, por më parë në hartimin e një harte demografike…