Friday, October 30, 2009

PREMTIMI DHE MASHTRIMI


Gazeta, Tirana Observer

29 Tetor 2009

Për politikën shqiptare më e lehtë është premtimi dhe mashtrimi se sa t’i shtrohet punës. Premtimi dhe mashtrimi përbëjnë metodën më efikase të pushtetit. Qeveria aktuale erdhi në pushtet me anën e premtimeve dhe do ta mbajë pushtetin vetëm me anën e mashtrimeve. Premtimi dhe mashtrimi janë binomi i politikës së qeverisë ardhur në pushtet nga një popull i lodhur. Sfida më e madhe e qeverisë përveç ekonomisë dhe korrupsionit, drejtësisë ka dhe trafikun e qenieve njerëzore. Një sfidë që më tepër do angazhim konkret se sa deklarata dhe pallavra.

Liberalizimi i vizave në vendet në BE përbën një strategji politike për qeverinë shqiptare që di vetëm të premtojë kur vetë e ka të qartë se pa përmbushur detyrimet përkatëse nuk mund të ketë liberalizim.Të kërkosh liberalizim të vizave do të thotë që të jesh në rregull me detyrimet përball komunitetit të BE-së dhe më pas të kërkosh të drejtën për liberalizimin e vizave. Në këtë drejtim vendi ynë ka bërë disa përpjekje, por duke ditur se nuk përmbush standarde me elementare. Para se të kërkosh duhet të dish sa e meriton.

Vendi ynë kërkon maksimalen në një kohë pa kërkuar minimalen. E themi këtë se do të ishte e mirë që vendin ynë të liberalizonte në fillim vizat me Greqinë dhe Italinë, me vende në të cilat jetojnë dhe punojnë 30 për qind e popullit shqiptar në emigracion. Heqja e vizave në këto vende do të çlironte emigracionin nga shfrytëzimi dhe padrejtësitë.Siç dihet pak ditë më parë nën kujdesin e BE u zhvillua Konferenca e Misterialit me temë: "Drejt një veprimi global kundër trafikimit të qenieve njerëzore", ku ish ftuar edhe vendi ynë.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha pat deklaruar nga Brukseli se: “Lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore është ndër prioritetet e rëndësishme të qeverisë shqiptare. Këtë vit Shqipëria ka bërë përparime në luftën kundër këtij trafiku, duke zbatuar Strategjinë Kundër Trafikut të Qenieve Njerëzore. Shqipëria është vlerësuar si vendi me praktikën më të mirë në rajon për ndërtimin dhe vënien në funksionim të bazës së të dhënave, për viktimat e trafikut. Gjatë vitit 2007, u identifikuan 199 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit me 238 autorë, ndërsa për vitin 2008 u identifikuan, 104 raste me 154 autorë dhe për 2009 janë identifikuar 46 raste me 73 autorë gjatë vitit 2009. U organizuan 39 operacione me teknika speciale gjatë këtyre viteve, si dhe u eliminuan 72 grupe kriminale, duke bërë të mundur vënien para drejtësisë të qindra anëtarëve të këtyre grupeve".

Dëgjohet se vitet e fundit ka patur edhe një bashkëpunim dhe vullnet të mirëfilltë me BE në shkëmbimin e informacionit për parandalimin e trafikimit, si edhe bashkëpunim me disa agjenci ndërkombëtare si, Interpol, Europol, Eurojust dhe Fronteks për marrjen e operacioneve të përbashkëta.Po ashtu nga politika jonë flitet se një vlerësim pozitiv ka patur edhe raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi trafikimin e qenieve njerëzore, duke hequr Shqipërinë nga lista e vendeve në vëzhgim. Vallë përbën një realitet?...

Duke u bazuar mbi faktet e mësipërme shikojmë se nga viti në vit numri i të identifikuarve ka ardhur duke u ulur, në një kohë kur qëndron akoma i lartë numri i të rinjve që kërkojnë të emigrojnë. Politika shqiptare me sa duket jeton në një planet tjetër dhe jo në Shqipëri. Të mohosh realitetin është gjeja më e paturpshme, më e papranueshme por shoqërinë tonë.Trafikimi i qenieve njerëzore nuk mund të luftohet vetëm me raporte dhe deklaratë politikanësh, ashtu siç përpiqet qeveria aktuale. Shifrat dhe faktet janë shokuese. Nuk mund të luftohet vetëm me ndihmën nga jashtë pa bërë punën brenda shtëpisë tënde.Në familjen shqiptare tradicionalisht burrat vazhdojnë që të jenë ende burim i parë i të ardhurave. Papunësia ka prekur më shumë gratë dhe vajzat tona, ndërsa në emigracion dominon më shumë mbi seksin femër. Në Shqipëri gratë përbëjnë 20 për qind të forcës në punë, si politikë, biznes etj. Prirja për një barazi e ndihmëse të përbashkët në buxhetin e familjes mbetet një prirje sot për sot.Si në Shqipëri dhe në Evropë burrat kanë qenë autoriteti kryesor në familje.

Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti që një pjesë e shqiptarëve e shohin paranë si një qëllim të vetëm të jetës dhe kur e kanë arritur këtë, nuk e kanë për gjë që të përfshihen në ingranazhet e drogës e deri në atë të prostitucionit.Nga pjesa më e madhe e vajzave të nxjerra në trotuaret e Greqisë apo të Italisë, vendi ynë për këto nuk është më një “vend shpresë” për të jetuar, pasi të shfrytëzuara nga trafikimi kanë frikë që të kthehen pranë familjeve të tyre.Organizatat kriminale shqiptare janë përhapur dhe shtrirë jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë kufirit të saj, me binomin kryesor, “Drogë-Prostitucion”.

Mungesa e një politike të shtetit për të luftuar në kohën dhe momentin e duhur, krimin e organizuar, trafikimet e qenieve njerëzore, papunësia dhe varfëria të ndikuar nga pozicioni favorizues gjeografik, përbëjnë elementin kryesor të fenomenit të shumë përfolur. Me gjithë përpjekjet dhe dëshirën e mirë të shtetit për të luftuar fenomenin Drogë-Prostitucion, viktima mbetet brezi i ri i pa shpresë i të nesërmes, në mungesë të mundësive të institucioneve për të plotësuar kërkesat e interesave të tyre lidhur me situatat shoqërore. Mbi të gjitha prostitucioni humb të gjitha vlerat morale, ku bota ndihet e ekspozuar më shumë se kurrë përball këtij fenomeni të dhimbshëm që po kërcënon gjithnjë e më shumë.Si veprimtari të pa pranueshme ilegale edhe antisociale ( droga – prostitucioni) shkaktojnë dëme jo vetëm në aspektin e shëndetit por edhe në atë moral dhe material, duke shkaktuar një plagë morale shoqërore. Prostitucioni si “profesioni më i vjetër në botë” ka marrë përmasa të mëdha në shtrirje jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj.

Llogaritet se 30.000 gra dhe vajza shqiptare mbushin trotuaret dhe shtëpitë publike në mbarë Evropën, si një mjet mënyre të ardhurash financiare, duke venë në dilemë se përbën krim apo vetëpunësim?.Mbyllja dhe menaxhimi i drejtë i kufirit është edhe mjeti më i drejtë dhe i vetëm për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore. Po sa është realizuar kjo. Bllokimi i skafeve ka dhënë padyshim rezultatet e para pozitive. Për vitin e kaluar Greqia i ktheu Shqipërisë 40 mijë klandestinë, po në këto kthime nuk dihet saktë se sa gra dhe vajza janë kthyer. E themi këtë se në vitet 97-2000 Greqia ndalonte në vit 12-14 mijë prostituta.

Shoqëria shqiptare sot nuk ka asgjë të përbashkët me të djeshmen, degjenerimi i shoqërisë sa vjen dhe po merr përmasa të mëdha. Marrja e masave radikale nuk janë zgjidhja e vetme, duke mos harruar mungesën e një politike sociale. Jo të gjitha shkojnë trotuareve me dëshirën e tyre, ashtu si jo të gjitha shkojnë për të fituar lehtësisht paranë. Por hapi i parë për të parandaluar sadopak është dhe mbetet riedukimi i shoqërisë me vlerat morale që vitet e para të fëmijërisë, duke mos lënë në haresë edhe shtresat e tjera viktimë. Sondazhet e ndryshme ndërkombëtare kanë treguar se 65 për qind e prostitutave para se të marrin këtë rrugë kanë qenë viktima të përdhunimit më shumë se njëherë. Prostitucioni përbën një krim pa viktima, ndërsa droga të kundërtën.Çdo vit rreth 200 mijë njerëz trafikohen në Evropë, ku pjesa më e madhe janë gra dhe vajza e fëmijë që detyrohen prostitucionit. Ky trafik i zakonshëm zë aktivitetin kriminal pas drogës dhe trafikimit të armëve. Shumat fitimprurëse janë shokuese. Nga ky trafikim ilegal asnjë vend nuk mund të shpëtojë këtij krimi. Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton është shprehur se trafiku njerëzor, prek çdo vend të botës, përfshi edhe SHBA, duke u bërë thirrje vendeve të tjera të bashkëpunojnë për eliminimin e të gjitha formave të trafikut njerëzor.Në raportin e qershorit të 2009, thuhet se viktimat shqiptare të këtij fenomeni trafikohen me synim shfrytëzimin seksual kryesisht për në Greqi, por edhe në Itali, Maqedoni, Kosovë, Spanjë, Francë dhe Britani, por edhe brenda Shqipërisë. Sipas raportit, më tepër se gjysma e viktimave që trafikohen janë nën moshën 18 vjeçare.

Në raport thuhet se qeveria shqiptare nuk i plotëson të gjitha standardet e nevojshme për eliminimin e trafikut njerëzor, por po bën përpjekje të rëndësishme në luftën kundër këtij fenomeni. Në raport thuhet se qeveria shqiptare ka treguar vullnet të mirë politik gjatë viti të kaluar në këtë fushë dhe se trafikantët, apo personat e implikuar në trafik janë çuar para drejtësisë. Shqipëria duhet të hetojë dhe të ndjekë penalisht të gjithë zyrtarët e rendit të përfshirë në trafikun njerëzor .Ndërsa ambasadorja Bard-Bringéus ka thënë se: “Qeveria duhet të ndërmarrë një angazhim sistematik për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe trafiqet e qenieve njerëzore. Ne theksojmë me shqetësim atë që thuhet dhe në progres-raportin e Komisionit Europian, sipas të cilit korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem veçanërisht serioz.

Komisioni Europian nënvizon se progresi i vogël i arritur në administratën publike në të kaluarën tani është shumë larg. Ligjet për administratën publike janë hartuar, por zbatimi i tyre vazhdon të jetë problematik”,Dëshira për tu futur në familjen e BE është aspiratë e çdo shqiptari dhe jo vetëm e qeverisë, por që të realizohet kjo dëshirë duhet punë konkrete dhe jo të pritet nga të tjerët si një lëmoshë...