Wednesday, November 25, 2009

Nëna shqiptare

Vitore Stefa Leka

Të ndihmosh nuk do të thotë bamirësi, por një detyrim që ke ndaj një personi që ka nevojë...
Tirana Observer 24/11/2009
Vitore Leka Stefa, është një nga figurat më interesante të emigracionit, që jetën e saj e ka lidhur ngushtë me bamirësinë. Për këtë bamirësi në Diasporë njihet me emrin Nëna shqiptare. Të gjithë i thërrasin Nëna Vito. Edhe në vend të huaj, emigrante vazhdon të ndihmojë njerëz të ndryshëm që kanë nevojë, duke ndjekur njëkohësisht rrugën e Nënë Terezës. Jeta e saj është e lidhur plot dhimbje, por edhe me çaste jete të lumtura. Porta e shtëpisë së saj qëndron e hapur për njerëzit që kanë nevojë, pasi jeta e saj është lidhur edhe me jeten këtyre njerëzve. Një tronditje të fortë nënë Vitorja pati në çastin kur i ka hequr nga duart e karabinierve një fëmijë, që më pas mësoi se ishte fëmija e atij, i cili kishte dhënë urdhër për pushkatimin e të jatit të saj. Por me gjithë dhimbjen shpirtërore nënë Vitorja në intervistën e mëposhtme thotë se: “duhet të tregojmë se dimë të falim, për të rregulluar diçka të shkatërruar”.Vitore Stefa (Leka) ka lindur e Beratit, nga një familje e shquar intelektual me tradita e rrënjë të thella patriotike të Kostaq e Eleni Stefa. Është stërmesë e Kostandin Kristoforidhit dhe Gjergj Stefës ( veprimtar i njohur i Lidhjes së Prizrenit). Rregjimi monist i pushkaton të jatin për idetë demokratike. Babai i saj, Kostaq Stefa, është shpallur pas vdekjes “Martir i Demokracisë”, nëna, Eleni, “Mësuese e Popullit”, ndërsa vetë ajo, nga ish Presidenti Alfred Moisiu, është dekoruar me Medaljen e Artë të Mirënjohjes, për punën e saj humane dhe veprimtari patriotike, në këto 17- vjet emigracion. Poetja e dhjetëra librave me poezi e tregime, në këtë intervistë ka treguar shumë detaje të jetës së saj në Shqipëri dhe në emigracion.Mbas shëmbjes së komunizmit merr rrugën e emigrimit për në Itali. E palodhur në mbrojtje të drejtave dhe dinjitetit e gjen kudo në krijimet e shoqatave italëo-shqiptare. Është anëtare nderi e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare- Arbëreshe në Itali. Për veprimtarinë e saj humanitare-bamirëse në Itali e thërrasin Nënë Tereza e Triestes”. Më 2005 Shoqata Humanitare në Shqipëri “Nënë Tereza” e ka shpallur anëtare nderi.Vitorja merret edhe me krijimtari poetike, duke i dhënë lexuesit vëllime si, La Liberta, Jetoj ringjalljen, Vetmi e largësive, në prozë librin Plagë shpirti, si dhe romanin Mozaike të një portreti, Metafora e arratisur. Veprimtaria dhe aktiviteti i saj krijues dhe humanitar eshte pasqyruar me jehone te fuqishme ne shtypin vendas italian por edhe ne gazeta e revista te ndyshme ne Shqiperi dhe diaspore si gazeta “Tribuna Demokratike”, “Republika”, “Panorama”, revistat “Klan”, “Spekter”,”Eurozeri” ne Zvicer, etj. Motoja e saj eshte “Ju kam vëllezër, më thoni motër” Poetja, vajza e një prej familjeve më të njohura shqiptare, dënuar dhe persekutuar në kohën e diktaturës, dhe pse mes një jetë plot peripeci dhe dhimbje, është munduar të japë një ndihmë modeste në drejtim të bamirësisë. Ka ndihmuar me mijëra emigrantë, shqiptarë të Kosovës, por simbas kësaj nëne,zemra dhe dashuria nuk ka kombësi. Poetja e dhjetëra librave me poezi e tregime në këtë bisedë ndryshe nga të tjerat, na tregon shumë detaje të jetës së saj në Shqipëri dhe emigracion. Në mbarë diasporën njihet edhe me emrin: Mreteresha e Diasporës Shqiptare...


Çdo të thotë bamirësia për ju?

Të ndihmosh nuk do të thotë bamirësi, por një lloj detyrimi që ke ndaj një personi në nevojë. Kjo varet nga nevojat që kanë personat dhe nga mundësitë që na krijohen për ta ndihmuar. Në emigracion më është dhënë mundësia që t’i jem pranë çdo emigranti, pavarësisht nga kombësia. Qyteti i Triestes ku banojë është i populluar nga të gjitha etnitë, për vetë strategjinë që ka ky qytet bregdetar, ku ankorohen tragete nga e gjithë bota. Është një nga qytetet që mikpriti eksodet e ndryshme që kanë ndodhur duke nisur nga viti 1990. Duke qenë dhe vetë emigrante, unë jam më e ndjeshme ndaj tyre dhe i kam ndenjur pranë, duke i shoqëruar në dikasteret përkatëse, nëpër komuna, apo në shoqatat bamirëse, si Caritasi, apo duke ë marrë në shtëpinë time, deri sa këto të fundit janë sistemuar. Kjo ka qenë e përditshmja ime që nga viti 1990-94 ku në Itali vinin shumë emigrantë nga Shqipëria dhe më vonë nga luftrat e Bosnjës, Sllovenisë, Kosovës apo Maqedonisë, ku flukset e refugjatëve u bënë më të shpeshta dhe unë isha çdo ditë pranë tyre. Dua të them se në këtë punë nuk kam qenë kurrë e vetme. Më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi, Masrur Imami dhe Xhokonda Amadej.


Mund të na thoni për ndonjë detaj të rëndësishëm ose ndonjë histori nga gjithë kjo përkujdesje ndaj emigrantëve kam shumë kujtime të dhimbshme por dhe të bukura nga takimet dhe nevojat e emigrantëve?

Do veçoja dy. Të gjithëve na kujtohet viti 97 kur helikopteri Italian mori në stadium një familje shqiptare me dy fëmijët e saj, njëra prej të cilëve ishte shumë e sëmurë. Vajza u shtrua në spitalin e Barit. E ëma gjeti numrin e telefonit tim, më merr urgjentisht dhe më tregon rastin e fëmijës së saj. Spitali i Triestes “Burlo”, mbahet si një nga spitalet më të mira në Evropë për sëmundjen që kishte Ina. Bëra çmos me prefekturën, ku nuk ja harroj kurrë dhe zonjës Alma Biskarro, që më shoqëroi në spital e kudo, deri sa sollëm familjen shqiptare në Trieste, ku dhe Inën e shtruam menjëherë në spitalin e Burlos. Familjarët e tjerë për 20 ditë ndenjën në shtëpinë time, deri sa i sistemoi Karitasi.Gjithashtu nuk do të harroj kurrë rastin e një djali që po e kthenin në Shqipëri dhe ai bërtiste se s’donte të kthehej. Në një moment i shpëtoi policëve nga dora dhe u afrua afër nesh. Aty tek sheshi i tragetit njëri prej policëve i ra me shkop gome dhe ai bërtiti: “Oh nëna ime”!.

Aq shumë u trondita sa për një çast mendova se aty mund të ishte djali im dhe u futa dhe unë në mes. Hëngra dhe unë një shkop gome, që më dhemb akoma kurrizi kur e kujtoj. Djali veç të tjerave ishte me temperaturë, dhe mbas ndërhyrjeve tona e lanë të merrte vehten nga temperatura dhe gripi. Unë e mroa në shtëpi. Ditën që ai do të ikte me traget ishim ulur në tavolinë për të ngrënë drekën. Kisha mysafir zotin e nderuar Kristaq Lako, atë kohë redaktor i gazetës “Pasqyra” dhe një gazetar tjetër nga televizioni shqiptar që nuk ia kujtoj dot emrin tani. Më kujtohet që zoti Kristaq e pyeti djalin nga ishte, kur Ai i tha, nga Tirana dhe nisi të thoshte emrin e të atit mu errësuan sytë. Ishte djali i atij njeriu që kishte dhënë urdhrin e pushkatimit të tim eti.

Ndjeva që po më dridhej garuzhdja në dorë, sepse ishte moment kur po ndaja gjellën. Por e mblodha vehten dhe thashë me vete: Ç’faj faj ka ky për fatkeqësinë time, për faktin që unë u rrita pa babë, në një mjerim të plotë? Mund të kisha lindur unë në vend të tij, ose anasjelltas. Pastaj mu kujtua fakti që ne shqiptarët sot më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar dhe t’i harrojmë hakmarrjet dhe përçarjet, nuk duhet të rrimë me kokën prapa. Mbas një jave më merr i ati i djalit, që me gjysëm zëri më tha: "Ti me bukë e unë me gurë”. Por ajo ishte një leksion, një mësim dhe për atë djalë, por dhe për të tjerët, që të tregojmë se duhet të dimë të falim për të rregulluar diçka të shkatërruar.


Çdo të thotë një fëmijë jetim për ju?

Meqë u rrita vetë jetime pa baba, dhe thonë që babai të lë fukara, ndërsa nëna jetim, unë e kam ndjerë mbi supet e mia peshën e kësaj fjale, pasi nëna ime ishte e mbytur në punë dhe punonte tërë ditën për të na rritur neve, që ishim pesë fëmijë. Ndaj më ka dhimbsur gjithnjë shpirti kur shihja fëmijë të braktisur. Më kujtohet që në Shqipëri një herë kthehesha në shtëpi me autobus dhe shoh një fëmijë në fund të sediljes që ishte mbledhur kruspull nga të ftohtit. Ishte një djalë që kishte moshën e djalit tim. Kishte ikur nga shtëpia se e trajtonte keq njerka. I ati punonte në metalurgji dhe vinte në shtëpi një herë në javë. Ai nuk ë besonte shumë thëniet e të birit, kur i tregonte për keqtrajtimin. E mora djalin në shtëpi dhe e mbajta për një kohë të gjatë, sa të sqarohej pozicioni i tij, sigurisht duke sinjalizuar organet e policisë që e dëgjuan vetë djalin që drithëronte nga frika dhe që kish vendosur të mos kthehej kurrë në shtëpi. Nga ky djalë kam shumë kujtime dhe më dhëmb shpirti gjithnjë kur e kujtoj. Por marrja e tij në shtëpi më xhelozi djalin tim, pasi i jepja rrobat e tij. Në atë kohë rrobat e fëmijëve i kishim me shumë kursim. Ai flinte në një shtrat me djalin tim. Nisi të më thërriste mama, ashtu si fëmijët e mi, gjë që krijoi pak xhelozi tek ta. Më pas erdhi i ati dhe e gjeti. Fëmija u mërzit sepse mendoi se e kisha tradhëtuar unë. Fola gjatë me të atin, por djali iku nga shtëpia dhe nuk di më asgjë për të. U interesova në polici, por më thanë se janë në gjurmë të tij.


Cili është mendimi juaj për politikën shqiptare?

E kam amanet nga paraardhësit e mi që mos i afrohem "politikës ". Kështu që rezervohem thjesht në dhënien e një mendimi. Për mua politika duhet të jetë arti për të arritur mirëqënien e një populli. Kush bën këtë, ka bërë politikë. Politika shqiptare për vetë faktin se ka probleme të shumta në atdhe, drita, ujë, kontrabandë, falsifikime, është duke përshkuar akoma traun e ekuilibrit.


Ju këtë gjë po e vazhdoni edhe sot në emigracion?

Erdha në emigracion dhe ndihmova dhe shumë fëmijë të tjerë jetimë. Më kujtohet Agroni dhe Amarildo nga shtëpia e fëmijës që erdhën me maune. Sigurisht që këtë e bën pa lajmëruar askënd. Më kujtohet që ndërsa udhëtoja një herë më del përpara gjyshja e Amarildos që banonte në Lushnje dhe më falenderoi që i kisha mbajtur nipin, që e kishte rritur me shumë sakrifica. Ato fëmijë sot kanë mbaruar jo vetëm gjimnazin por dhe fakultetin. Kjo më jep një kënaqësi të madhe shpirtërore. Gjithnjë kur më telefonojnë ose më takojnë, me therrasin “Mami” dhe unë qesh, sepse ato tani janë burrëruar dhe kanë në krah të dashurat e tyre. Kam dhe shumë histori të tjera që po i shkruaj tashmë në një libër, ku do të jenë dhe fotografitë. Ju kini marrë titullin “Qytetare Nderi” e qytetit tuaj të lindjes, Berat.


Si jeni ndjerë në këtë moment?

Unë në gjithë procedurat e marrjes së titullit nuk kam qenë në dijeni. Ka qenë nisma e shumë intelektualëve beratas, të cilët propozuan pranë Bashkisë. Thuajse kur të gjitha procedurat kishin përfunduar miqtë e mi më vunë në dijeni. Ishte gazetari Xhovan Shyti (dhe gazetarja Drita Braho), që kanë ndjekur shkrimet e mia në gazeta, veprimtarinë time në emigracion, i cili njeh prejardhjen e familjes time si një nga familjet intelektuale, patriotike më të spikatura në Berat, si një nga familjet më të persekutuara. Të gjitha këto ndoshta ndikuan në nismën e tyre.Kohët e fundit jeni impenjuar maksimalisht me një studente që e keni shpëtuar nga droga.


Si është historia e saj?

Po është e vertetë. Monika është një vajzë e thjeshtë italiane. E njoha rastësisht në rethana shumë të këqija. Isha në lulishten e madhe të qytetit ku jetoj. Aty ndodhet dhe busti i artistit tonë të madh Aleksandër Mojsiut, që unë e vizitoj shpesh dhe ia tregoj me krenari miqve të mij italianë, sepse ai është krenaria e artit tonë shqiptarë. Ndërsa po debatoja me një gazetar Italian për emrin e aktorit ma këputi shpirtin një vajzë e imët që qante dhe ashtu e fshehur mes pemësh, e thoshte : “Voglio morire » (dua të vdes). I thashë mikut tim që do shkoja tek ajo dhe shkova. Ajo më lutej ta lija rehat, por unë i fola me gjuhën e një nënë. Mbas këmbënguljes time më tregoi se e kishte qëlluar i dashuri i saj në sy, sepse nuk donte të shkonte të bënte dashuri me shokun e vet. Mbeta e befasuar për këtë fakt. Më pas më tregoi se ishte nga periferia e Udines dhe se prindërit e kishin sjellë të studionte për farmaci. Kishte ardhur në Trieste dhe jetonte me dy mikeshat e saj. Gjithçka mirë derisa ishte njohur me Xhulion, i cili e shtynte të mos mësonte, të braktiste provimet dhe të pinte hashash. Prindërit i dërgonin para për shkollën, ndërkohë që ajo ia ndante me Xhulion për hashash. Pasi prindërit e saj morën vesh të vërtetën vajza ishte e deshperuar, sepse e kishte braktisur familja. E mora me vete. Shkuam në urgjencë ku fillimisht kuroi plagët dhe më pas erdhi në shtëpinë time. U sistemua me një punë dhe pjesa tjetër rrinte në shtëpinë time. Me të dashurin e saj u nda përfundimisht, me punën lau borxhet e drogës dhe pas gjashtë muajsh u pajtua me familjarët e saj. Monika vazhdon akoma të rrijë në shtëpinë time. Pas 5 vjetësh ajo po vë në jetë ëndrrën e saj të madhe për t’u bërë farmaciste e bimëve mjekësore dhe vazhdon të punojë në një farmaci. Përveç ëndrrës së saj më thotë shpesh se është e lumtur që arriti të realizojë ëndrrën e saj dhe të prindërve. Unë vazhdoj të jem nëna spirituale e saj. Nuk do e harroj kurrë kënaqësinë që më ka dhënë ajo vajzë kur më ftoi që ta festoja ditëlindjen në fshatin e saj. Në sheshin para kishës së fshatit kishte ftuar gjithë banorët dhe pasi u foli për mua, u bë një festë e madhe që sinqerisht më ka bërë disa herë të skuqem. Me Monikën jam shumë kërkuese dhe dëshiroj që ajo të mbaroj fakultetin me rezultate të larta. Shpesh herë ajo u shprehet fëmijëve të mi se, unë jam si gjermankë e rreptë, por unë jam shumë e preokupuar për të ardhmen e saj. Dëshiroj me gjithë zemër që të ketë fat në jetë.....