Friday, December 04, 2009

Emigrantët protestë për kutitë para OSBE-se në Greqi


Socialistët transferojnë protestën në kryeqytetin helen

2 /12/2009 , Tirana Observer
Emigrantët shqiptarë organizuan dje, më 1 dhjetor, një protestë në kryeqytetin grek, Athinë, për hapjen e kutive. Kjo protestë zhvillohet në një kohë kur në Shqipëri politika është mbërthyer nga një konflikt i ashpër. Protesta e djeshme është e para e këtij lloji që zhvillohet në një vend të huaj, me karakter politik kundra qeverisë. Protesta u zhvillua në kryeqytetin helen, përballë ambienteve të ish-aeroportit të vjetër, ku mbahej mbledhja e radhës së diplomatëve të huaj. Gjatë gjithë protestës emigrantët me parulla dhe thirrje, kërkuan hapjen e kutive me kërkesë për të parë se ku ka shkuar vota e tyre. Protesta u shoqërua me thirrjet, “Dua të shoh votën time” dhe “Berisha na kthe votat e vjedhura”, etj.

Nga Dega e PS-së në Greqi, mësohet se kryetari i PS-së, Rama, nëpërmjet deputetit Arben Ahmetaj, i ka dërguar një përshëndetje falënderimi emigrantëve për mbështetjen e tyre në këtë proteste. Sipas drejtuesve socialistë, muajin e ardhshëm një tjetër protestë në shkallë të gjerë në Greqi pritet të bëhet. Protesta të kësaj natyre do të vazhdojnë deri sa vendi të kalojë në zgjedhje të parakohshme.

Kërkesa për votat

Në një nga ambientet e vjetra të ish-areportit në Athinë, në Eliniko, rreth 200 metra larg godinës, emigrantët u mblodhën për të protestuar njëzëri hapjen e kutive të votimit. Me parulla në duar dhe flamur kombëtar, protestuesit kanë kërkuar një zëri numërimin e votave një për një në Parlamentin shqiptar, pasi dyshimet për vjedhje të votave janë më se të sigurta dhe nuk lënë më vend për të diskutuar. Në takimet e bëra me emigrantët dhe simpatizantë e PS-së, deputetët Taulant Balla, Stefan Çipa dhe Arben Ahmetaj, theksuan se kryeministri Berisha e ka më të lehtë për të rrënuar demokracinë se sat ë numërojë votat e vjedhura.

Ata shprehën optimizëm për të ardhmen e PS, besimin se në mars të këtij viti Shqipëria mund të kaloj edhe në zgjedhje të parakohshme. Hapja e kutive tashmë përbën një kërkesë të domosdoshme të një vendi të një demokracie të vërtetë pasi në asnjë vend të botës nuk mund të ketë një qeverisje me vota të vjedhura. Në asnjë të botës një vend nuk mund të qeveriset me një shtet pa legjitim, janë shprehur para emigrantëve deputetët e PS-së.

Peticion ministrave të Jashtëm

Gjatë protestës, një grup emigrantësh me ne krye kryetarin e Degës së PS-së në Greqi, z. Anastas Murati, me anën e një peticioni, u janë drejtuar derës së godinës ku zhvillohej takimi i ministrave të OSBE-së, në, çastin ku ndodhej edhe z/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta. Gjatë protestës, kryetari i Degës së PS-së në Greqi, Anastas Murati, theksoi se: "Emigracioni shqiptar në Greqi kërkon zgjedhje të parakohshme dhe të menjëhershme. Kërkon solidarizim dhe mbështetje të kërkesave tona nga mbledhja e ministrave të Jashtëm të OSBE-së, si dhe hapjen e menjëhershme të kutive të votimit, për t’i hapur rrugën Shqipërisë drejt demokracisë".

Gjatë mitingut të emigrantëve shqiptarë në Greqi, u vu re një tjetër grumbull njerëzish të cilët kundërshtonin protestën e emigrantëve të majtë. Sipas protestuesve që kundërshtonin opozitën, protesta e emigrantëve ishte e pakuptimtë, pasi vendi ka ecur përpara duke bërë disa reforma dhe duke u anëtarësuar në NATO.
Peticioni i emigrantëve

Gjatë historisë së saj 20-vjeçare të tranzicionit, qeveria shqiptare ka dështuar vazhdimisht për të përmbushur standardet për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qeveria vazhdoi të dështojë në përmbushjen e standardeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, edhe pse opozita përmbushi rolin e saj si dhe angazhimet e saj, rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në reformën elektorale dhe procesin zgjedhor. Shqetësime të rëndësishme janë ngritur nga OSBE/ ODIHR-i në raportin vlerësues mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009.

Së pari Partia Socialiste kërkon publikisht hapjen e kutive të votimit, duke mos pasur si qëllim ndryshimin e rezultatit ligjor të zgjedhjeve, por për të hetuar mbi vërtetësinë e numrit të fletëve të votimit, listat e votuesve dhe raportet e komisionerëve.

Mazhoranca me forcë mban mbyllur kutitë e votimit, nuk lejon transparencën publike, ndërsa për vrasjen paraelektorale të një deputeti të opozitës ende nuk ka një version zyrtar të policisë ende pas 6 muajsh.

Parregullsi të tjera janë nxjerrja e detyrueshme e nxënësve në mitingje, përdorimi i televizionit publik, dhe lirimi i të dënuarve, të gjitha këto janë larg të qenit standarde demokratike. Menjëherë pas këtyre zgjedhjeve, dy gazetarë janë rrahur publikisht nga miqtë e qeveritarëve. Pjesëmarrja e gabuar e opozitës në Parlament do të çonte në BE mesazhin e gabuar për demokracinë në Shqipëri.