Saturday, September 17, 2011

Me Salinë, lamtumirë o integrim...


Publikuar te Shtunen, 17 Shtator 2011
Shkruar ne gazeten “SOT “

Për vitin 2011, Shqipëria i ka dhënë lamtumirën integrimit për në BE, një nga prioritetet e politikës shqiptare, por edhe një dëshirë e madhe për popullin shqiptar. Prej shumë vitesh Evropa e dinte që në Shqipëri ka vdekur demokracia dhe bashkë me të edhe integrimi për në BE. E di shumë mirë që vendin e sundon monarku Berisha, dhe sa të jetë Berisha në udhëheqje, Shqipëria vetëm ëndrra në diell mund të shohë për anëtarësimin në BE. Evropa nuk do të ketë më probleme, e ka të qartë që një vend si Shqipëria me Saliun vetëm probleme do të sjellë. Evropa e di që Saliu në emër të demokracisë ka uzurpuar gjithë shtetin, pasi më parë ka vrarë demokracinë. Por që të jesh anëtar në BE, nuk është vetëm një çështje dëshire, por problemi kryesor është sa e meriton atë plotësisht, jo vetëm nga ana gjeografike, por nga qenia e mentalitetit global si një evropian.

Lidhur me këtë Berisha ngriti edhe një “dikaster të ri” të ashtuquajtur Ministria e Integrimit, që deri më sot ka dhënë vetëm rezultate negative, por që ende funksion si ministri. Nga qeveria shqiptare u mendua se ngritja e këtij institucioni fantazmë do “vuloste” përfundimisht marrjen e statusit si kandidat, duke mos bërë më asnjë përpjekje më të vogël serioze. Kjo u pa edhe nga konkluzionet e fundit që dhanë dy kryediplomatët e vendeve fqinj dhe aleatët më të ngushtë të vendit tonë, Franko Frattini dhe Stavros Lambrinidis. Por, një fjalë të urtë ruse thotë: “Në qoftë se nuk ke bërë atë që duhej bërë, atëherë ke bërë një krim”. Në vendin tonë ndodh e kundërta. Politika shqiptare, mbas rënies së komunizmit ka vuajtur dhe po vuan nga egoja dhe megalomania e ish komunizmit, që edhe pas njëzet vjetësh Shqipëria të mbetet e izoluar, jo vetëm nga vendet e Evropës, por edhe nga fqinjët e Ballkanit. Kjo ndodh për fajin tonë që sa të kemi në krye Salinë, do t’i themi përherë lamtumirë integrimit për në BE. Dëshira e popullit për një Shqipëri evropiane, ka mbetur në dorën e një pjese “sharlatanësh” politikanë të ardhur nga sistemi ish komunist, që përbën një rast unik e të veçantë për vendet e tjera. Entuziazmi i popullit tonë i viteve ‘90, “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, ka rënë dhe duket si diçka e pabesueshme, pasi politika e sotme i ka rrënjët tek e djeshmja, te ish sistemi komunist. Shqipëria është e vetëdënuar që të durojë akoma edhe disa vite tjera izolimin, ku vendet e tjera në Ballkan po ecin me hapat e kohës, duke lënë mënjanë njëherë e përgjithmonë sistemin e vjetër komunist. Greqia, Rumania dhe Bullgaria i dhanë me kohë lamtumirën Shqipërisë, ndërsa Turqia është kandidate për në BE, ndërsa Serbia pret muajin dhjetor. Për këtë nuk ia ka fajin njeri. Inatet personale të krerëve të partive, sharjet dhe banaliteti, hakmarrja dhe fjalori i ulët në debate përbëjnë sot sistemin politik të vendit tone, kur e ardhmja e vendit varet në duart e tyre.

Në një anë duket se të huajt po na ndihmojnë me vërejtjet dhe këshillat e tyre, këtë nuk e mohon njeri, por çdo ndihmë ka edhe një kufi. Vendin nuk e udhëheq opozita. Evropa duhet që t’ia fusë Salës dy këmbët në një këpucë, në qoftë se duan që Shqipëria të integrohet.Por nga ana tjetër që të jesh anëtar në BE, nuk është vetëm një çështje dëshire, por problemi kryesor është sa e meriton atë plotësisht, jo vetëm nga ana gjeografike, por nga qenia e mentalitetit global si një evropian. Populli shqiptar gjatë 20 vjetëve të pluralizmit pati në dorë për të ndryshuar të ardhmen e vendit, gjë që nuk e bëri. Sot paguan gjynahet e këtyre 20 vjetëve të humbura.Që të kërkojmë integrimin në BE, në radhë të parë duhet ta justifikojmë përse kemi të drejtë që e kërkojmë. Askush nga ndërkombëtarët nuk na ka inat, përkundrazi na dhanë mbështetje, na këshilluan disa herë, pa asnjë dallim njëlloj si vendet e tjera. Mbështetja në momentet e duhura dhe këshilla janë ndihma më e mirë që mund t’i jepet një vendi, por kjo nuk do të thotë që të japin atë që nuk të takon, pasi akoma nuk i ka lënë mëndja, kur ne nuk bëjmë përpjekjet e duhura, por mbetemi vetëm në premtimet e Berishës. Edhe pak javë e ndan vendin tonë nga publikimi i progres-raportit nga Komisioni Evropian, në një kohë kur Shqipëria me një qeverisje ish komuniste nuk ka plotësuar asnjë kriter, 12 kushtet e vendosura, si edhe 21 rekomandimet për integrim.


Shqipëria si një vend demokratik ndërtuar mbi themelet e ish sistemit komunist nuk është më vendi i fundit në Evropë, por e fundit në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Sali Berisha nuk ka më kurajo të premtojë më popullit të tij për integrimin e vendit, pasi misioni i tij tashmë ka dështuar. Si një dështak, ai duhet të largohet pasi përsëri edhe një herë tjetër popullit shqiptar iu mbyllën dyert e Evropës, kur e dinte mirë që në vendin e tij nuk funksionon Kuvendi, marrëdhëniet me opozitën, bllokimi i ligjeve me 3/5, asfiksimi i Avokatit të Popullit etj.A e meritojnë shqiptarët të trajtohen dhe njëkohësisht të dënohen moralisht nga ndërkombëtarët si një komb i fundit i Ballkanit për paaftësisë politike të pushtetit të sotëm Berisha? A ka moral të dytë që shqiptarëve t’u premtohet akoma edhe njëherë nga qeveria Berisha për integrimin e vendit në BE ? Përgjigjen më të mirë do ta jepte vetë qeveria e sotme Berisha, që në vend të bënte autokritikë, premton akoma ende pa mbushur standardet më elementare të një shteti. Sa turp! Ende jeton me të kaluarën, duke mos dalë nga errësira e getos të ish komunizmit. Por kur problemet e kombit do të merren seriozisht nga pushteti që ende qëndron në këmbë me vota të vjedhura?Duhet të dimë që Komisioni Evropian po përpiqet konkretisht edhe njëherë për të mbështetur plotësimin e 12 kushteve apo të 21 kritereve, luftën kundër korrupsionit. Për këtë duhet një unitet i të gjitha partive politike, si dhe një opozitë në shkallën e duhur të një politike të kulturuar, duke mos lënë për në fund kritikat dhe vërejtjet.Shqipëria i tha “lamtumirë integrimit” për 2011, pasi nuk ishte gati. Kjo nuk fajëson të tjerët më shumë sesa vetë ne shqiptarët, më shumë udhëheqësit e këtij kombi që nuk patën vullnet të mirëfilltë. Për këtë dështim politik, moralisht para popullit ka përgjegjësi, jo vetëm mazhoranca, por edhe të gjitha partitë opozitare që në njëfarë mënyre zhgënjyen mbarë popullin shqiptar. Bojkoti është arma e fundit e opozitës, por përbën krim kur ka të bëjë me integrimin e vendit. Është një hipokrizi e tepruar, kur shikon se si janë hedhur në sulm me kritika të njëpasnjëshme kundër qeverisë Berisha partitë e tjera politike të vendit, thua se integrimi i vendit nuk prek këta.

Saturday, September 10, 2011

Demokracia, kërkon një kryeministër për gjithë shqiptarët


07 Shtator

Shkruar në gazetën “SOT”

Sa mirë do të ishte që vendi ynë të kishte një parlament dhe një kryeministër për të gjithë shqiptarët dhe jo më partiak. Fatkeqësisht “Qeveria Berisha” po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, përballë një populli të lodhur e të varfër por të duruar, me sindikata të paralizuara dhe organizma të tej politizuara, me një rini të heshtur dhe të pajtuar me regjimin aktual. Sot integrimi i vendit me një demokraci të vërtetë më shumë se kurrë ka nevojë për një kryeministër dhe për një Parlament për gjithë shqiptarët, pasi kështu e kërkojnë interesat e kombit. Për interesat e kombit shqiptar nuk ka më vetëm rëndësi se kush po udhëheq vendin, po rëndësi ka se çfarë lë pas Ai udhëheqës. Koha kërkon një kryeministër dhe një Parlament të të gjithë shqiptarëve dhe jo një kryeministër me një parlament partiak dhe qesharak. Nga ana tjetër opozita edhe pse nuk udhëheq vendin shumë herë akuzohet dhe ironizohet nga kryeministri Sali Berisha, duke ia faturuar të gjitha të këqijat e vendit asaj. Kabllogramet e publikuara kohët e fundit treguan qartë se në duart e kujt regjimi kanë rënë fatet e Shqipërisë, regjim i pjellë nga ish diktatura komuniste, sot instaluar në tip mafie të egër “Made in SalAlbania”.Gjithashtu kabllogramet vulosën përfundimisht se në demokracinë e brishtë shqiptare, shumica e partive politike përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, ose të disa klasave, duke dëmtuar jo pak imazhin e tyre politik. Pothuajse e gjithë klasa politike është përlyer dhe ka shfrytëzuar pushtetin politik për interesa personale, duke lënë mënjanë interesat kombëtare. Rastet e fundit të korrupsionit treguan për një mungesë transparence në investime të ndryshme ekonomike, në favor për interesa të tyre, që është një tregues kuptimplotë se në duart e kujt kanë rënë fatet e popullit. Mungesa e një opozite serioze i hapi rrugë korrupsionit të regjimit Berisha të bëjë ç’të dojë e kur të dojë, deri në atë fazë sa të mos kursejë as kufijtë e vendit. Kryeministri shqiptar nuk ka asgjë të ngjashëm, asgjë të përbashkët me kryeministrat e vendeve të tjera demokratike. Me veprat e tij mizore, Saliu mund të rreshtohet për krah diktatorëve të vendeve të Lindjes së Mesme, Mubarakut, Gadafit etj.

Saliu e ka të qartë se dështimi i tij në politikë do ti kushtojë shumë, prandaj bëri çmos që të vidhte votat përsëdyti herë përballë një opozite aspak serioze.Në teori, çdokush prej nesh është i lirë të mendojë e të vendosë ashtu siç e gjykon, për të mirën e përgjithshme, për të zgjedhur figurën politike që beson, për demokracinë. E pikërisht mbi këtë liri të shprehjes e të barazisë u mbështet dhe u ndërtua demokracia e sotme. Por në praktikë regjimi Berisha përmbysi çdo gjë duke e çuar vendin edhe disa vite prapa, duke renditur edhe pas Ugandës që zgjedhjet parlamentare i bëri më mirë se Shqipëria.Kabllogramet çdo ditë na tregojnë se Pushteti është në kurriz të shoqërisë që disave në Shqipëri u është dhënë "e drejta" që partinë që iu besua, ta trajtojnë si një çiflig të vetin. Sikur të mos mjaftojë kjo, një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që u dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, saqë sot nuk u besojnë dot as syve të tyre. Kjo falë edhe drejtësisë shqiptare. Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon ata në trupin e saj të brishtë.

Këta drejtues pushteti, të cilët uzurpuan shtetin, e tani janë thjesht e vetëm parazitë në kurriz të shoqërisë, duket se janë bërë të pathyeshëm. Ata zhvillohen gjithnjë e më shumë në një demokraci të brishtë, si ajo në Shqipërinë e pas-diktaturës 50-vjeçare. Mësuan shumë nga kjo diktaturë. Populli po ndeshet përballë një rreziku real, përballë një regjimi që sot po vë në dilemë se çfarë demokracie duam të pranojmë. Demokraci Europiane apo regjim Berishian? Por fatkeqësisht ish komunisti i zjarrtë Sali Berisha, me një këmbëngulje dhe kokëfortësi po na servir që të pranojmë regjimin "Berisha". Nga ana tjetër regjimi Berisha lufton me çdo mënyrë opozitën që kjo e fundit të mos ekzistojë më. Ai nuk kursen as edhe fjalorin e tij të “pasur” ofendues në ambientet publike, duke ulur imazhin e vendit dhe të personalitetit të tij. Në të kundërtën, në një shtet demokratik evropian, qeveria përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucionesh, dikastere partish politike, organizatash dhe shoqatash të ndryshme.

Demokracia është sistem ku shtetasit marrin lirisht vendime politike, duke zbatuar parimin e sundimit të shumicës. Protestat dhe grevat apo demonstratat janë të pranueshme në shoqërinë demokratike, duke përjashtuar çdo lloj dhune. Ngjarjet e 21 janarit treguan se në Shqipëri mungojnë themelet e demokracisë së vërtetë. Një shembull të keq në këtë drejtim po dha vetë kreu i qeverisë, që pasi vrau në mes të ditës në bulevard, sot po bën rolin e gazetarit, hetuesin, gjykatësin, prokurorin, policinë etj, duke mos patur parasysh se është kryeministër i gjithë vendit dhe jo vetëm i pjesës së elektoratit të tij. Po pas nuk mbetet edhe Parlamenti në mungesë të një edukate të përgjithshme dhe profesionalizmi është kthyer në kupolë partiake dhe një çështje urrejtje ndaj kujtdo që mund të ngrejë zërin për korrupsion etj.Demokracia shqiptare e ndërtuar mbi themelet e ish komunizmit u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që, për të na qeverisur, të na vrasin, të premtojnë, të na gënjejnë e të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit, së bashku me kravatën politike. U ka dhënë mundësi që, kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa pasur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ta vendi do të shkonte në katastrofë (më parë, ata sigurisht që kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre). Për të punësuar nipërit dhe mbesat e tyre, dyfishojnë numrin e personelit të ambasadave tona. E ndaj abuzimi nën emrin e demokracisë u dha të drejtën atyre që, para popullit të jenë ata, e pastaj ne, populli i thjeshtë. Në emër të demokracisë na vidhen votat në mes të ditës.

Në emër të demokracisë, në krye të KQZ-së vendosen njerëz që më parë janë dënuar për ryshfet, e për të cilët më parë është marrë edhe pëlqimi i dy partive më të mëdha të vendit. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në Parlament njerëz që nuk e meritojnë, pasi priten të dalin para drejtësisë. Në emër të saj vidhen miliona euro dhe ata që duheJ të dilnin para drejtësisë sot drejtojnë dikastere dhe Bashkinë e Tiranës. Në emër të demokracisë na flasin kur zihen ngushtë dhe kur duhet të japin llogari para drejtësisë etj. Por nga ana tjetër demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa qytetarët. Populli voton për qeverinë që dëshiron ta udhëheqë atë dhe shtetin. Është pikërisht populli Ai që u jep besimin disave për të qenë në krye të shtetit. Por në Shqipëri ndodh ndryshe.

Demokracia u ka "lejuar" që në emër të saj, çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin, ata legalizojnë qindra objekte e banesa të pamiratuara, në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën. Për të ndërtuar shkatërrojnë me urrejtje atë që ish ndërtuar më parë.Ata, pra, që u qëndrojnë në krye partive politike dhe politikës, nuk qëndrojnë duarkryq ndaj shtypit të lirë, kur e shikojnë se u dalin skandalet, marrin masa në mënyrat e tyre. Flasin dhe premtojnë, pasi e dinë se sa më shumë të premtojnë, aq më shumë do t'i besojmë. I japin popullit karta identiteti, kur vetë janë të parët që nuk i njohin ato. Premtojnë e premtojnë, por në fund nuk të thonë as "na falni se bëmë gabim", pasi këto fjalë nuk i njohin më. Miratojnë ligje penale dhe statute partie, në një kohë kur janë të parët që nuk i zbatojnë, por luajnë me to si pa të keq.

Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë Kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, premton dhe bën sikur harron. Mburret kur duhej të bëj autokritikë për ato premtime të kota. U harrua Shqipëria një euro?...Berisha me shokë bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë, që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen europiane, pasi më parë na kanë vjedhur votën, por më pas na lënë në mëshirën e fatit. Demokracia "i lejon" të gjitha këto. Ashtu sikurse na lejon edhe ne të "flemë" në indiferentizmin tonë, për të cilin, nesër nuk do të na falë askush. Edhe pse vendi drejtohet nga qeveria, fajet për këtë vend ja faturohen opozitës. Rinia e sotme jeton akoma në botën e saj adoleshente, duke qëndruar larg rolit të rinisë së vendeve të tjera. Mazhoranca është e dominuar tërësisht nga Berisha, që vazhdon me kokëfortësi të mohojë ekzistencën e krizës politike në vend, edhe pse konkretisht ajo ekziston që nga 28 qershori i vitit të kaluar.

Mazhoranca nuk dëgjon kritikat apo udhëzimet e partnerit dhe faktorin e huaj. Ngërçi politik vë mazhorancën para përgjegjësisë direkte për zgjidhjen e krizës si forcë politike që udhëheq vendin në mungese të një kryeministri dhe Parlamenti të të gjithë shqiptarëve, të një regjimi “de facto”. E keqja e vendit tonë nuk është opozita por vetë Saliu...

Greqia, nga parajsa në skëterrë


09 Shtator 2011

Shkruar ne gazetën “ SOT”

Haroje Greqinë që dije thonë vendasit, të cilët e shikojnë të ardhmen të zymtë. Varfëria ka arritur deri në atë shkallë që njerëzit të shesin unazën, simbolin e marteses, të varrosin të afërmit e tyre me këste etj. Varfëria e madhe për Greqinë përbën një shëmbull tipik në BE, të cilët synojnë që ta kthejnë në një vend eksperimental për vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Sot ky vend po kalon një krizë të rëndë ekonomike që mbas çlirimit të saj nga lufta e dytë botërore. Borxhi i saj i përgjithshëm (brenda vendit si edhe borxhi i jashtëm ) kalon të 900 miliardët euro. Analistët e vendit e shikojnë me skeptizëm masat antikrizë të marra nga qeveria Papandreu, që borxhet jo vetëm nuk po ulen, por rriten edhe më tej. Kreditë e marra deri më sot nuk kanë bërë të mundur normalizimin e gjendjes, pasi pjesa më e madhe shkon për të larë interesat kreditore, si dhe për pagesat e punonjësve të shërbimit publik. Shumë qytetarë të Athinës janë kthyer dhe po kthehen në fshatrat nga erdhën, ndërsa emigrantët në vendlindjet e tyre. Sikur të mos mjaftojë varfëria, vendi po ndeshet edhe me një numër të madh grevash dhe protestash. Muaji shtator do të jetë muaji i grevave dhe i protestave.

Asnjë vend nuk do të kishte dëshirë nga ana morale dhe politike që ekonomia e vendit të tij të kontrollohej e të kalonte në mikroskop nga Komisioni Evropian. Greqia bënte një jetë që nuk i takonte, një jetë të shfrenuar dhe luksoze me paratë e tjetërkujt, duke mos menduar se borxhi një ditë do të kthehej. Këto ditë pret me padurim kredinë e 6-të në 18 muajt e qeverisjes së Papandreut, një qeveri që nuk mund ta nxjerrë dot i vetëm vendin nga skëterra.“Harroje Greqinë që dije”, thonë vendasit, të cilët e shikojnë të ardhmen të zymtë. Varfëria ka arritur deri në atë shkallë që njerëzit të shesin unazën, simbolin e martesës, të varrosin të afërmit e tyre me këste etj. Varfëria e madhe për Greqinë përbën një shembull tipik në BE, të cilët synojnë që ta kthejnë në një vend eksperimental për vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Sot ky vend po kalon një krizë të rëndë ekonomike që mbas çlirimit të saj nga lufta e dytë botërore. Borxhi i saj i përgjithshëm (brenda vendit si edhe borxhi i jashtëm) kalon 900 miliardë euro. Analistët e vendit i shikojnë me skepticizëm masat antikrizë të marra nga qeveria Papandreu, që borxhet jo vetëm nuk po ulen, por rriten edhe më tej. Kreditë e marra deri më sot nuk kanë bërë të mundur normalizimin e gjendjes, pasi pjesa më e madhe shkon për të larë interesat kreditore, si dhe për pagesat e punonjësve të shërbimit publik. Shumë qytetarë të Athinës janë kthyer dhe po kthehen në fshatrat nga erdhën, ndërsa emigrantët në vendlindjet e tyre. Sikur të mos mjaftojë varfëria, vendi po ndeshet edhe me një numër të madh grevash dhe protestash. Muaji shtator do të jetë muaji i grevave dhe i protestave.

Ky vend i bekuar nga dora e zotit po jeton në këto momente nga paratë e vendeve të tjera. Ekonomia është paralizuar pothuajse komplet, ku për çudi disa tregues e rendisin këtë vend për eksport në krye të listës. Kështu në transportin detar zë vendin e parë, ndërsa në eksportin e ullirit dhe të vajit në vendin e dytë, po në të njëjtin pozicion do ta gjejmë këtë vend edhe në eksportin e metaleve etj. Gjendja aktuale ka ndikuar që të gjitha mediat të jenë përqendruar në këtë vend.Por keqqeverisja e vendit nga politika prej 30 vjetësh e katandisi këtë vend në BE, si vend lypës, por edhe si një shembull konkret për vendet e tjera. Greqia bënte një jetë që nuk i takonte, një jetë të shfrenuar, luksoze dhe me paratë e tjetërkujt, duke menduar se borxhet do t’i faleshin nga kredidhënësit. Ekonomia greke, në 1995 hyri në një periudhë të rritjes së shpejtë ekonomike, që vazhdoi deri në 2009 duke ndryshuar peizazhin ekonomik të vendit. Megjithatë, në fund të kësaj periudhe të rritjes dhe për shkak të krizës globale financiare, ekonomia greke u përball me probleme të mëdha duke zbuluar të gjitha dobësitë strukturore. Rasti i Greqisë përbën një shembull konkret për vendet e tjera, por më shumë për vendin tonë që fatkeqësisht po ndjek të njëjtat gabime të helenëve. Radhitja e vendit tonë pas Greqisë lidhur me borxhet, mungesa në transparence në dhënien e tenderave dhe korrupsioni i përgjithshëm nën indiferentizmin e drejtësisë, vulosin përfundimisht se jo larg Shqipëria do jetë bashkudhëtare e Greqisë.

Papunësia sfidon gjithçka

Ekonomia dhe papunësia kanë gjunjëzuar përfundimisht qeverinë e Papandreut, që me masat e marra antikrizë po i shtrëngon më shumë lakun popullit. Këto masa ka bërë që protestat dhe grevat e përditshme nga dita në ditë të përshkallëzohen e paralizojnë vendin, duke dëmtuar ekonominë e vendit. Kontrolli i gjithanshëm e kudo i FMN, ka rritur në maksimum zemërimin dhe indinjimin e vendasve, që si një rrugë shpëtimi ka gjetur armën e grevave dhe protestave. Asnjë vend nuk do të kishte dëshirë morale dhe politike që ekonomia e vendit të tij të kontrollohej e të kalonte në mikroskop nga Komisioni Evropian. Varfëria prek më së shumti moshën deri në 17 vjeç, që shkon deri në 23 për qind, ndërsa për njerëzit mbi moshën 65 vjeç, shkon deri në 22 për qind. Varfëria dhe papunësia shkon në 37 për qind, me një rritje të konsiderueshme në dy pikë përqindje në krahasim me 2007. Gjatë 20 muajve të qeverisjes se Papandreut, vendi u përfshi nga 1mijë greva dhe protesta, baras kjo me 50 te tilla ne muaj.

Statistikat, 832.975 familje në pragun e varfërisë

Varfëria ka prekur rreth 833.000 familje që jetojnë me të ardhura vjetore, më pak se 13.600 euro, këto të regjistruara para krizës ekonomike. Po sipas statistikave të Shërbimit Kombëtar të Greqisë (NSG) të vitit 2008, më shumë se 832.975 familje greke, ose 2.186.869 njerëz, janë të regjistruar në listën e varfërisë, baras kjo me 21 për qind të popullsisë të kërcënuar nga varfëria. Sipas studimit të kushteve të jetesës së familjes, të ardhurat në vitin 2008 ishin në pragun e rrezikut të varfërisë për person, me të ardhura vjetore prej 6.480 euro. Këtu nuk janë marrë në konsiderate emigrantët, shtresa e të pastrehëve apo të romeve (ciganëve)

Varfëria fenomen i pashmangshëm

300 mijë familjeve u janë prerë dritat, ndërsa 90 për qind e kredimarrësve nuk kanë mundësi për të paguar kreditë të marra në banka. Për këtë vit nxënësit nuk do të kenë mundësi të marrin libra, pasi nuk ka. Rreziku i varfërisë për fëmijë nga mosha 0-17 vjeç, arrin deri në 23 për qind dhe për njerëzit e moshës 18-24 si dhe për personat mbi 65 vjeç është në 22 për qind. Varfëria më e lartë i prek gratë në rreth 21 për qind, ndërsa meshkujt, në rreth 20 për qind. Familje me vetëm një anëtar (grua) është në rrezikun e varfërisë në shkallën 27 për qind, ndërsa të familjeve përkatëse vetëm me një anëtar (mashkull), arrin në 23 për qind. Të papunët, ekonomikisht jo aktivë, (pensionistët, shtëpiaket, etj), janë më shumë në rrezik të varfërisë në 37 për qind, kundrejt 14 për qind, të atyre që punojnë. Familjet që jetojnë në një shtëpi private janë të kërcënuar nga varfëria në 19 për qind, ndërsa për ata që jetojnë në shtëpi me qira shkon në 25 për qind. Rreziku i varfërisë midis familjeve me një prind dhe të paktën me një fëmijë në ngarkim është 27 për qind, ndërsa raporti përkatës për familjet me dy prindërit dhe një fëmijë në ngarkim është në 22 për qind. Në fusha të tjera, të populluara, rreziku i varfërisë arrin në 63 për qind. Marrëdhëniet ndërmjet arsimit dhe varfërisë janë të rëndësishme, sa që 71.2 për qind e të varfërve kanë përfunduar vetëm arsimin e detyrueshëm. Më shumë se 42 për qind e njerëzve janë analfabetë, ose nuk e kanë përfunduar, ndërsa përqindja e njerëzve që kanë përfunduar arsimin e lartë ose pasuniversitar është 7 për qind, janë këta që rrezikohen dhe kërcënohen nga varfëria e mëtejshme. Rreziku i varfërisë tashmë ka filluar të prekë edhe emigracionin e ligjshëm dhe atë të klandestinëve. Emigrantët përbëjnë 12.5 për qind të fuqisë punëtore, ndërsa sot, ata rrisin numrin në radhët e ushtrisë së papunëve përkrah popullit vendas.

Greqia merr borxhe për të larë borxhe

Edhe pse Greqia është një nga vendet më të bekuara, sistemi politik apo mentaliteti ballkanas ka bërë që ky vend të ketë një borxh të madh që përbën një rekord të njerëzimit. Është hera e parë që mbas Luftës së Dytë Botërore, që një vend të ketë kaq shumë hua. Analistët grekë thonë se dëmet që shkaktoi Gjermania në Luftën e Dytë Botërore, ishin në 50 miliardë, ndërsa sistemi politik vendas gjatë 60 vjetëve në paqe e ka tejkaluar atë në 380 miliardë, ose më saktë një fëmijë që lind sot në këtë vend, sa del në jetë, ka një borxh prej 30.000 eurosh. Sa për kuriozitet, borxhi i Greqisë prej 380 miliardë është më shumë se sa borxhet që kanë së bashku Rusi-Argjentinë. Sot po bën përpjekje për të siguruar një borxh tjetër, borxhin e 6-të të radhës prej 120 miliardë euro, ku një pjesë do të shkojë për të larë borxhet e mëparshme. Borxhi i brendshëm dhe i jashtëm është mbi 900 miliardë euro, theksojnë analistet vendas. Me shumë se kushdo nga kriza është prekur media, televizioni shtetëror ET-1 që së shpejti do i vihet dryni.

25 vjet punë për të shlyer borxhin

Analistët kompetentë për ekonominë flasin se, për të shlyer këtë borxh të këtij vendi, i duhen të paktën rreth 25 vite dhe kjo do të arrihet, në qoftë se kontrollohet borxhi sa nuk është vonë. Po një shqetësim mbetet për qeverinë, se papunësia këtë vit do të prekë rreth 1 milionë njerëz, duke mos marrë në konsideratë emigrantët apo komunitetin rom e cigan. Borxhet, 4 herë më shumë kufirin në Eurozonë. Greqia ka një deficit prej 12.7 për qind, katër herë më të lartë se ç'lejohet në Eurozonë. Qeveria ka vendosur ta ulë këtë deficit në 8.7 për qind këtë vit, dhe të zvogëlojë borxhin kombëtar, duke shkurtuar rrogat e punonjësve të shërbimeve publike, duke ngritur moshën e pensionit, si dhe duke rritur TVSH-në nga 13% në 24%.

120 mijë punonjës humbën vendin e punës

Rritja e numrit të ushtrisë së të papunëve përbën sot protagonistin e vërtetë të vitit 2010. Kriza ekonomike u tregua e pamëshirshme për mijëra vendas dhe të huaj. Sipas Institutit të Sindikatave të Greqisë (GSEE) për vitin 2009, rreth 120 mijë punonjës u hodhën në rrugë. Sot papunësia përbën çështjen kryesore për vendin. Çdo ditë dyqane të shumta venë drynin për të mos u hapur më. Nga dita në ditë shumë shtëpi boshatisen nga emigrantët që marrin rrugën e kthimit për në atdheun e tyre. Viti 2009 dhe në vazhdim përbën vitin e papunësisë, që shpreh realitetin. Papunësia, nga 7.4 për qind që ishte për 2008 u ngrit në 9.3 për qind për 2009 dhe sot kurba është ngritur në 13.9 për qind, duke shënuar një rekord të ri në 750 mijë të papunë. Ky fenomen më shumë ka prekur të rinjtë me arsim të lartë që tashmë kërkojnë të emigrojnë në Amerikë, Australi, Evropë apo në Dubai. Papunësia më shumë ka dëmtuar sektorin e ndërtim- montimit që pati shkurtime në masën mbi 70%.

Çdo muaj 300 vendas humbasin apartamentet e tyre

Papunësia ka ndikuar që në çdo muaj rreth 300 grekë humbasin apartamentet e blera me anën e kredisë, ndërsa 60.000 të tjerë në vit humbasin makinat për të njëjtën arsye. 60 për qind e popullit grek nuk është në gjendje të paguajë kreditë e marra, ndërsa pjesa më e madhe e biznesit nuk është në gjendje të paguajë detyrimet (taksë) shtetit.

Grekët sytë nga emigrimi

Çdo muaj rreth 35 mijë vendas humbasin vendin e punës. Papunësia ka gjunjëzuar brezin e ri të moshës 25-34 vjeç, të diplomuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke renditur në vend të parë në rritjen e papunësisë në 34 % (17.9 %) në BE, kundrejt Holandës në 3.1 për qind. Sot ky brez, e ardhmja e këtij vendi sytë i ka drejtuar nga emigrimi në drejtim të Amerikës, Evropës dhe Dubait. 60-70 mijë kërkesa u bënë vitin e kaluar për të punuar në këto vende, duke kujtuar emigrimin e viteve ‘60-të. Spitalet e Amerikës dhe të Evropës janë kthyer shpresa e mijëra mjekëve dhe e infermierëve grekë, ndërsa Dubai i nxehtë, përbën një zgjidhje të përkohshme për të diplomuarit në sektorin e industrisë dhe ndërtimit. Nga viti në vit kërkesat për të emigruar sa vijnë dhe shtohen. Papunësia për këtë shtresë bëri që në dhjetë vitet e fundit, 550 mijë grekë të kenë emigruar për të punuar, duke mos përjashtuar edhe ata studentë që shkuan për studime dhe nuk u kthyen më.

Nga sektori i shëndetësisë, çdo vit emigrojnë për të punuar në spitalet e Amerikës dhe Evropës mbi 1000 mjekë, ndërsa 1900 të tjerë janë në pritje për punë. 70.3 për qind e të diplomuarve në fushën e mjekësisë dëshirojnë që të punojnë jashtë vendit. Të diplomuarit përbëjnë 0.90 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, analogë me të punësuarit është 1 në 47 të punësuarve. Sipas medias greke, në Dubai kanë emigruar rreth 5 për qind e numrit të përgjithshëm të diplomuarve në fushën e mekanikës. Vitin e kaluar 60 mijë grekë emigruan për të punuar në Evropë, Amerikë dhe Dubai, ndërsa muajt e fundit kanë bërë kërkesë për emigrim edhe 9 mijë të tjerë. Përsa i përket fenomenit të emigrimit Greqia zë vendin e 12-të në BE.

Në një muaj, 36 mijë të papunë

Sipas Organizatës të Punësimit të Fuqisë Punëtore (OAED) për muajin janar të 2011, numri i të papunëve të regjistruar u rrit nga 36.000 njerëz krahasuar me dhjetor (5,5% rritje) dhe mbi 74.272 në janar të vitit 2010 (12% rritje), duke arritur në 689.558 të papunëve të regjistruar. Përveç 689.600 të papunëve të regjistruar, ka edhe 144.700 të cilët nuk janë në kërkim për punë. Pra në përgjithësi papunësia arrin në 834.300 persona, në bazë të Statistikave të Shërbimit të Punësimit.


Mbyllen 85 mijë dyqane, 280 mijë të tjera në prag falimentimi

Konfederata Kombëtare e Tregtisë bën fjalë se për vitin 2010 mbyllja e dyqaneve është rritur në 30%, duke sjellë një humbje xhiroje në 7.5 miliardë dollarë. Shitja e karburantit për 2010 pati një rënie prej 10%, kjo për shkak të rritjes së tvsh në 25%. Deri në dhjetor të 2010 ishin mbyllur 85 mijë dyqane duke hedhur në rradhët e punësisë mbi 100 mijë persona. Analistët vendas llogarisin se deri në fund të vitit do të mbyllen edhe 280 mijë dyqane të tjera… Dyqanet patën një rënie në xhiro prej 16.4% ndërsa në shitje mobilje, mallra elektrike, pajisje shtëpiake 34,5%. Në veshmbathje 34.6%, shitje artikuj shkollorë, letra dhe libra, 16.7%, në ilaçe-farmaceutikë 12.3% dhe 9.5%, në supermarkete 9,9% etj. Indeksi i afarizmit në dhjetor të vitit 2010 krahasuar me 2009, në karburant dhe lubrifikantë, shitje makinash është ulur me 17.1%, ndërsa indeksi i shitjeve në përgjithësi ka rënë nga 19.9%. Masat antikrizë ekonominë kanë humbur çdo shpresë, 6 në 10 familjeve deklarojnë se nuk dalin paratë për jetesë.

Katër në dhjetë grekë, gati për të emigruar

Studimi i fundit i Eurobarometrit publikuar më 13 /07/ 2010 ka nxjerrë se 38 për qind e grekëve kanë deklaruar se janë gati për të emigruar në një vend tjetër për të gjetur punë. Emigrimi për të gjetur punë në një vend tjetër është kthyer në një fenomen si një nga çështjet më kryesore të vendasve, duke u kthyer mbrapa në vitet ‘60.

Sheshi Omonia rikthehet në vitet ‘90

Qendra e Athinës ka marrë pamjen e viteve 1990, ku çdo mëngjes shumë emigrantë me çanta në duar grumbullohen në shesh me shpresë për të siguruar punë. Pasi presin me orë të tëra, fytyra të lodhura dhe të pa shpresa marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre. Vite më parë pronarët kërkonin emigrantë për punë, ndërsa këta të fundit pretendonin me të drejtë për një pagë më të mirë, ndërsa sot ndodh e kundërta. 74.9 për qind e emigrantëve shqiptarë punojnë në ato vende pune ku nuk duan të punojnë vendasit. Sot çdo gjë ka ndryshuar, pasi Greqia nuk është më ajo e mëparshmja. Të pashpresë për të ardhmen, sytë e tyre janë drejtuar për nga Shqipëria.


Kthimi i emigrantëve, një kthim real dhe jo një skenar


Të parët që po preken nga kriza ekonomike janë emigrantët, të cilët po i kthejnë sytë nga vendlindja e tyre. Media greke bën fjalë për mëse 300 mijë shqiptarë, të cilët nga dita në ditë presin riatdhesimin. Dikur kthimi i tyre në mënyrë vullnetare dukej një skenar, sot është kthyer në një realitet i pakthyeshëm. Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përkohësisht apo përfundimisht vendit të tyre të lindjes me mënyra nga më të ndryshme. Deri më sot nuk ka një numër të saktë nga shteti shqiptar, pasi edhe interesimi ndaj këtij fenomeni është zero. Sipas burimeve të mediave vendase, bëhet fjalë se të paktën 300.000 emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, pritet nga dita në ditë të rikthehen në vendin e tyre. Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, për një të ardhme sa më të mirë, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura.Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët, që po i drejtojnë sytë gjithnjë e më shumë nga vendi i tyre. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura. Shumë mallra shtëpiake apo automjete janë blerë nga emigrantët me para në dorë, ndërsa pjesa tjetër me anën e kësteve. Çdo fund muaji në bankat e vendit, shumë emigrantë tërheqin sasi parash për të përballuar jo vetëm nevojat e jetesës, por edhe për të paguar këstin e automjetit dhe mallrave të tjera shtëpiake. Deri tani sipas mediave greke rreth 50 mijë emigrantë shqiptarë kanë braktisur përfundimisht Greqinë, që dikur përbënte një parajsë, ndërsa sot është kthyer në një skëterrë e vërtetë.