Saturday, January 09, 2010

Emigrantët kërkojnë aplikimin për pasaportë në konsullatë

Publikuar me 9/01/2010 "Tirana Observer"

Procedura e aplikimit të pasaportës sjell vështirësi

Shteti i ka të gjitha mundësitë për të sjellë aparaturat pranë konsullatave, ashtu siç i kanë mundësitë të gjithë emigrantët të pajisen në kohë rekord me këto pasaporta biometrike. Qeveria duhet të kuptojë se, më shumë se emigrantëve asnjë njeriu tjetër nuk i hyjnë në punë këto pasaporta biometrike. Pajisja e emigrantëve me pasaporta biometrike në Greqi, përbën një nga sfidat e qeverisë në përmbushjen e angazhimeve të MSA, për liberalizimin dhe heqjen e vizave me BE-në. Emigrantët u janë përgjigjur thirrjes së ministrisë së Brendshme që të aplikojnë për pajisjen sa më parë me pasaporta biometrike, por kjo nuk u mor në konsideratë nga autoritetet përkatëse. Por... Janë 800.000 emigrantë që kërkojnë njëzëri aplikimet për pasaportat biometrike pranë konsullatave tona në Greqi, por deri më sot kërkesa e tyre kanë rënë në vesh të shurdhër. Askush nuk po merr mundimin për të pare nga afër problemet e emigrantëve tanë në vendin fqinjë fqinj, ku dhe numri i tyre përbën 30 për qind të popullsisë shqiptare. Kjo kërkesë e tyre vjen në një kohë kur 60 për qind e emigrantëve në shtetin Helen janë pa dokumente të rregullta, si rezultat i punës së dobët të shtetit grek. Sikur të mos mjaftojë kjo, një bela tjetër u vjen nga vetë shteti i tyre, që në vend t’i ndihmojë u hap të tjera telashe. Pajisja e emigrantëve me pasaporta biometrike pranë konsullatave në Selanik, Janinë dhe Athinë do të ishte një “dhuratë” e shtetit në fillimvitin e 2010-s. Nga dita në ditë emigrantët shqiptarë presin këtë “dhuratë” dhe shpresojnë nga shteti mëmë që t’u krijojë mundësi reale që të aplikojnë pranë konsullatave të tyre, pasi edhe pjesa më e madhe prej disa muajsh janë në pritje të rinovimit të lejeve të qëndrimit. Nga autoritet shqiptare janë të njohura vështirësitë e emigrantëve për të udhëtuar, duke filluar që nga fëmijët e tyre që vazhdojnë shkollat e deri tek prindërit.

Robër edhe në vendin e tyre
Asnjë emigranti nuk i shkonte ndërmend se mund të mbetej rob i vendit të tij, duke iu përgjigjur thirrjes së ministrisë së Brendshme për pajisjen me pasaportë biometrike. Pikërisht kjo ndodh në një kohë kur prej shumë vitesh ndodhen pengje të politikës greke. Ndoshta e pabesueshme, po në fakt një realitet. Një realitet që ndodh në vendin tonë. Emigrantëve tanë që erdhën dhe që aplikuan për dokumentet e reja, nuk u lejohet të dalin jashtë vendit të tyre drejt vendeve ku punojnë dhe jetojnë. Shumë emigrantë të trembur nga ky lajm u kthyen në vendet e tyre para se të mbyllej viti, ndërsa pjesa tjetër janë kthyer nga mbrapsht nga autoritet e pikave kufitare, sepse nuk ishin pajisur me pasaporta biometrike. Kjo pengese ishte për atë konigjent që kishin bërë aplikimin, por e kishin tërhequr akoma pasaportën. Është urdhri i ardhur nga ministria e Brendshme, që asnjë emigrant që ka aplikuar për pasaportë biometrike të mos lejohet të kalojë kufirin pa marrë atë. Marrja e pasaportës biometrike shfuqizon njëherazi pasaportën e vjetër, duke mos marrë në konsideratë se, viza apo leja e qëndrimit është vulosur në të. Kjo në fakt po krijon një alulum, pasi tashmë emigranti duhet qe për të kaluar kufirin të disponojë të dy pasaportat, në një kohë kur ligji e ndalon atë. Faktet kanë treguar se pasaportat e vjetra quhen të pavlefshme për kalimin e kufirit në qoftë se nuk paraqitet dhe pasaporta biometrike.
Vendimi i Ministrisë: Emigrantët që kanë aplikuar, nuk kalojnë dot kufirin
Ministria e Brendshme me anën e një vendimi ka njoftuar se, në rast se një person aplikon për pasaportë biometrike, atij i del jashtë shërbimit pasaporta e vjetër. Gjithashtu bën të ditur se: “Të gjithë aplikuesit për pasaportë biometrike që u është prodhuar pasaporta duhet ta tërheqin atë sepse pasaportat sapo prodhohen regjistrohen në sistem duke nxjerrë kështu të pavlefshme pasaportën e mëparshme”. Por ky vendim bën përjashtim për ata që kanë aplikuar pas datës 26 dhjetor. “Asnjë aplikues pas datës 26.12.2009, nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010 në asnjë pikë kalimi kufitar për shkak se vetëm ka aplikuar”. Sipas këtij urdhri ndoshta të nxituar, emigrantët duhet që të presin për ditë të tëra për të tërhequr pasaportat e reja biometrike, duke mos marrë në konsideratë mundësinë e tyre për të qëndruar shumë ditë në pritje. Por që të marrë emigranti pasaportën e re, duhet që të ketë marrë pa tjetër kartën e identitetit, pasi pa të nuk mund të bëj aplikimin. Sipas urdhrit, emigrantët nuk mund të kalojnë kufirin as edhe me kartën e identitetit, kur kanë bërë aplikimin për pasaportat biometrike. Një fakt është se urdhrat dhe direktivat ministrore dalin në kohë dhe momente të papërshtatshme për emigrantët. E themi këtë se do të ishte mirë qo dikasteri përkatës të kishte bërë kohë më përpara një njoftim me qëllim që emigrantët të merrnin masat për të bërë aplikime dhe për të qëndruar më gjatë, pasi qëndrimi i tyre në Shqipëri është i kushtëzuar dhe varet nga punëdhënësit grekë. Qëndrimi i tyre jashtë çdo parashikimi do të ndikojë që fëmijët të humbasin shkollën, ndërsa prindërit punën.

Mungesa e informacionit
Mungesa e një informacioni të duhur nga autoritet shtetërore në rrugë zyrtare, u krijoi emigrantëve probleme të mëdha psikologjike dhe ekonomike. Edhe pse problemi i shkaktuar erdhi si një rrjedhojë e punës së dobët të dikasterit, autoritet vendore nuk morën asnjë masë për të krijuar kushte normale, ose edhe pse jo për të përshpejtuar aplikimin dhe tërheqjen e pasaportave biometrike. Radhët e gjata të emigrantëve në zyrat e aplikimit ishin një tregues i qartë se ardhja e emigrantëve i gjeti të papërgatitur autoritet përkatëse, duke na kujtuar parimin se “nga e thëna në të bërë i ndan një lumë i tërë”.
20 ditë në pritje
Më shumë se kushdo, emigrantët janë ndërgjegjësuar për pajisjen me pasaporta biometrike me qëllim për të përfituar liberalizimin dhe heqjen e vizave, ashtu siç ka premtuar qeveria shqiptare, po ngadalësimi i procedurave nga ana e autoriteteve nuk justifikon këtë gjë. Emigrantët u janë përgjigjur thirrjes së ministrisë së Brendshme që të aplikojnë për pajisjen sa më parë me pasaporta biometrike, por kjo nuk u mor në konsideratë nga autoritetet përkatëse. Një numër i madh i emigrantëve të trembur kanë shfaqur shqetësimet e tyre për problemet që do tu krijohen në pikat kufitare, duke preferuar që të tërheqin sa më parë kartën e identitetit dhe njëkohësisht pasaportën e re. Ata janë ankuar për radhët e gjata dhe për kushte jo të përshtatshme, por mbi të gjitha janë ankuar edhe për procedurat e shpërndarjes që bëhen me hapin e “breshkës” dhe jo me të kohës. Shumë prej tyre janë në pritje edhe pse kanë aplikuar 20 ditë më parë.