Kakavija, turpi i shtetit shqiptar
“Telegraf”
Liberalizimi i vizave ka rebeluar plotësisht autoritet përkatëse, të cilët kanë lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit këtë pikë doganorë. Pika doganore e Kakavijës, pasqyrë e shtetit tonë, sot përbën turpin e shtetit shqiptar, një turp që për gati 20 vjet ende vazhdon të na paraqesë një pamje të tmerrshme, që askush nuk do ta dëshironte më. Prej vitesh është lënë pas dore dhe askush nuk mendon më për të ndryshuar këtë pamje të zymtë. Pothuajse çdo ditë drejt kësaj pike hyjnë dhe dalin me dhjetëra autobusë dhe automjete të ndryshme. Mijëra shtetas shqiptar apo edhe të huaj janë dëshmitarë të gjendjes së mjeruar që mbizotëron në këtë pike, duke filluar që nga pisllëku i ambientit e deri tek paraqitja e jashtme dhe sjellja e punonjësit të policisë. Një paraqitje e tillë na jep të drejtën të theksojmë se kjo pamje konkrete nuk ka asgjë të përbashkët me vendet europiane. Pamja e jashtme e punonjësve të policisë lë mjaft për të dëshiruar, thuajse i mungon trajnimi dhe kultura e përgjithshme. Rrallë mund të gjesh ndonjë punonjës me uniformë të rregullt ashtu siç e përmban rregullorja, aq sa rrallë mund të gjesh ndonjë polic me xhaketë të mbërthyer e kapele në kokë. Gjendja aktuale të tregon se prej kohësh këtu në këtë pike doganore nga më të mëdhatë e vendit nuk është venë dorë prej shumë vjetësh. Një përgjegjësi të madhe për këtë gjendje mbajnë vetë udhëtarët, të cilët i hedhin mbeturinat ku të mundin, por njëkohësisht edhe vetë autoritet vendore, që nuk kanë vendosur kosha në vende të posaçme për hedhjen e mbeturinave, apo tabela të ndryshme, siç jemi mësuar ti shohim në parqet e vendit. Në hyrje të kësaj pike përveç plehrave të shumta, që ndodhen prej shume vitesh, gjithashtu ndodhen edhe automjete të braktisura.
Vulosja e pasaportave, një metodë antiligjore
Gjatë 20 viteve shteti shqiptar ende nuk ka mësuar nga vendi fqinj mënyrën e vulosjes së pasaportave edhe pse largësia ndërmjet tyre nuk kalon madhësinë e një gjysmë fushe të futbollit. Qeset e najlonit apo ndonjë kuti e çokollatash janë mjetet në të cilat përfundojnë pasaportat e shqiptarëve në këtë pike doganore. Mbledhja e pasaportave dhe hedhja e tyre ne qesen e najlonit apo në kuti bëhet nga vetë shoferi, ndërsa vulosja në mungesë të personit fizik bëhet nga punonjësi i policisë, që më pas ja rikthen për shpërndarje po shoferit. Nga kutia apo qesja e najlonit dalin përsëri pasaportat e përfundojnë përsëri në duart e pasagjerëve. Por, këtu jo çdo gjë ka përfunduar pasi odisea në këtë pikë sapo ka filluar.
Kontrolli i çantave njëlloj si para 20 vjetëve
Asgjë nuk ka ndryshuar në këtë pike doganore, edhe pse kanë kaluar mbi 20 vjet. Konkretisht, më 4 shkurt në linjën “Alb-trans” në këtë pikë doganore në të ftohtin e madh dhe shiun që binte, në një ambient jo të përshtatshëm në mungesë të një ndriçimi të plotë, pasagjerët urdhërohen që të ulin plaçkat përtokë. Një prej policëve me një ndriçues dore bën sikur kontrollon çantat e pasagjerëve duke rritur pakënaqësitë tek udhëtarët. Një kontroll formal dhe irritues, një kontroll që dikush duhet të përgjigjet për nga formaliteti dhe në kushtet për të cilën bëhet. Edhe pse kjo pikë doganore është një nga më të mëdhatë e vendit, shteti shqiptar ende ngurron që kontrolli i pasagjereve të bëhet në mënyrë të tillë njëlloj si vendi fqinj. Një makinë e tipit skaner vendosur në këtë pike doganore do të kryente për së miri këtë kontroll, në mënyrë të kulturuar dhe konkrete.
Kontrolli i trupit …
Pasi pasagjerët i kanë dorëzuar dhe vulosur pasaportat dhe vendosur në xhepat e tyre, brenda në autobus duket portreti i një polici me një uniformë të zbërthyer, të zhubrosura dhe pa kapele. Në dritën e dobët të autobusit polici fillon kontrollin fizik të çdo personi në bazë të fotografisë të pasaportës, në një kohë kur fare mire kontrolli mund të bëhej njëlloj siç e bëjnë autoritet greke, duke kontrolluar dhe vulosur pasaportën. Liberalizimi i vizave ka bërë që kjo pikë të përballet me një numër të madh shqiptarësh dhe se dikush duhet të merret me këtë problem pasi nga kjo pikë kalojnë gra me fëmijë në krahë, njerëz të moshuar etj. Asnjë masë konkrete nuk është marrë në këtë drejtim, si në pikun e vapës ashtu edhe në të ftohtin e madh, aq sa nuk ka një çezmë uji. Një problem, që ende mbetet për t’u zgjidhur, është mungesa e një trajnimi të duhur punonjësve të kësaj pike, se si duhet të mbahet uniforma dhe kapela sipas rregullores.
Konkurrenca shqiptare, kujton marrëveshjen e kushtëzuar të 1998-s
Jashtë kontrollit "bredhin" autobusët shqiptarë. Kështu shkruan gazeta “Proto Thema” më 3 shkurt të 2011, lidhur me transportin e udhëtarëve shqiptarë, duke e krahasuar gjendjen aktuale njëlloj me ato të “vendeve të treta”. Midis të tjerave thekson dëmet që i kanë sjellë vendit numri i madh dhe i shfrenuar i autobusëve shqiptarë, duke kërkuar edhe dëmshpërblim shtetit të tyre. Një nga problemet sipas kësaj gazete është edhe shkelja ndërkombëtare nga ana e Shqipërisë, pasi konkurrenca midis autobusëve inter-urban midis dy vendeve do të ndikojë në paralizimin e plotë të transportit inter-urban grek. Marrëveshja midis dy vendeve është bërë me anën e një dekreti të vitit 2006 të dalë nga Ministria e Transportit helen, për t’i dhënë mundësinë kompanive shqiptare të aplikojnë në territoret e Greqisë. Kriza ka ndikuar që nga sirtarët greke të dali në pah marrëveshja e parë e kushtëzuar për të dy palët është bërë më 1998, ku lejohej që sasia e autobusëve ndërmjet kompanive greke dhe shqiptare të ishte e barabartë 50-50 autobusë. Autobusët shqiptarë janë bërë shqetësues për autoritetet greke pasi të gjithë autobusët nisen në të njëjtin orar, dhe pikërisht në orët e vona të mbrëmjes, duke shkaktuar një amulli të vërtetë. Gjatë netëve të dimrit nga ora 2-7 të mëngjesit tentojnë që të kalojnë 40-50 autobusë duke shkaktuar alarm edhe në kontrollin e plotë të lëndëve narkotike. Shembulli i fundit i arrestimit të dy shoferëve të autobusëve të linjës nga Saranda në Athinë, ku u gjetën pesë kilogram heroinë u fshehur në një ambient të projektuar posaçërisht në brendësi të gypit kondicioner e automjetit, lë shumë për të dëshiruar. Vendosja sa më parë e një teknologjie për zbulimin e trafikut të drogës përbën sot një nga kushtet kryesore të shtetit shqiptar. Autobusët shqiptarë çdo mbrëmje janë mbushur me njerëz dhe të gjithë së bashku në të njëjtin orar janë të ndaluar në stacionin kufitar të Kakavijës, duke krijuar amulli çrregullim dhe incidente. Gjithashtu, theksohet se, një pjesë e mirë autobusëve shqiptarë nuk kanë të drejtën për të lëvizur në rrjetin kombëtar rrugor të Greqisë, duke rritur edhe numrin e aksidenteve.